1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për shumë kosovarë Gjermania do të mbetet shtëpia e tyre e dytë

25 Shtator 2009

Në kuadër të javëve të kulturës gjermane, në Prishtinë u zhvillua simpoziumi "Dhjetë vjetori i bashkëpunimit gjermano - kosovar për zhvillim". Gjermania mbetet një ndër shtetet që ndihmon shumë në zhvillimin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/JopB
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania llogaritet si donatori i tretë më i madh, që ka ndihmuar në zhvillimin e Kosovës në shumë fusha. Shteti gjerman ka ndihmuar jo vetëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, po ka ndihmuar edhe në kulturë dhe arsim. Këto ndihma kanë vazhduar tash e dhjetë vjetë që nga përfundimi i luftës, ndërsa një lidhje të veçantë Kosova ka me Gjarmaninë edhe nëpërmes qindra mijëra kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Kështu u tha në shënimin e dhjetë vjetorit të bashkëpunimit gjermano kosovar për zhvillim, një simpozium ky që u shënua në kuadër të javëve të kulturës gjermane në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë Hans Dieter Steinbach, rikujton kosovarët se shkëmbimi i përvojave me kosovarët është pjesë e politikës gjermane. “Për qeverinë gjermane, shkëmbimi kulturor është një ndër fushat e rëndësishme, krahas marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimit ekonomik," thotë ambasadori Hans Dieter Steinbach.

Në dhjetë vjetorin e bashkëpunimit gjermano kosovar për zhvillim, u nënshkrua edhe një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj gjermane. Marrëveshja siguron edhe 42 milionë euro ndihmë për Kosovën nga qeveria gjermane. Këto të holla do të shfrytëzohen për efikasitet të energjisë për zhvillim të sektorit financiar, ekonomik, rural dhe për reformën në administratën publike.

Zëvendësdrejtori nga Ministria gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim Fridrih Kitschelt, thotë se për shumë kosovarë Gjermania do të mbetet shtëpia e dytë e tyre. “Në vitin 1999, gjithandej nuk kishte energji elektrike, nuk kishte ujë, rrugët ishin të shkatërruara, pengonin transportin e mallrave, shtëpitë ishin të shkatërruara dhe refugjatët kosovarë akoma nuk ishin kthyer në shtëpitë e tyre. Dhe pikërisht në këto pika u përqëndrua ndihma gjermane," thotë zoti Fridrih Kitschelt.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se ndihma gjermane për Kosovën asnjëherë nuk ka munguar dhe prezenca gjermane në Kosovë sipas tij, shihet jo vetëm si ndihmë por edhe si partner i përkushtuar për zhvillimin e Kosovës. “Misioni i juaj fisnik në bartjen e vlerave demokratike është një pikë referuese edhe për politikën perendimore kosovare. Përmes projekteve tuaja janë pikërisht qytetarët e Republikës së Kosovës, ata që kanë përfituar më së shumti dhe është një fakt që është shënuar vazhdimisht," thotë kryeministri Thaçi.

Në konferencën e donatorëve, që u zhvillua vitin e shkuar në Bruksel, qeveria gjermane premtoi 100 milion euro ndihma për Kosovën. Sipas ministrit të ekonomisë së Kosovës, Ahmet Shala, ky zotim tashmë është përmbushur në tërësi dhe ai zotohet për një transparencë në shfrytëzimin e të hollave dhe bashkëpunim me shumë organizata gjermane që veprojnë në Kosovë. “Dua t'i them ambasadorit Steinbach dhe zotit Kitschelt, se sa herë që u jepet shanci kosovarëve të tregojnë vlerat e veta, ata befasojnë për së miri në miqësinë dhe sinqeritetin në raport me shtetin gjerman," thotë ministri, Ahmet Shala.

Gjermania është e pranishme në Kosovë më shumë organizata dhe kompani që ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Më të ve;uarat janë GTZ gjermane dhe banka për zvillimim “kfw”, të cilat tash e dhjetë vjet kanë ndihmuar më së shumti në sektorin e energjisë dhe projekteve në ujësjellës.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama