1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për ligjin e legalizimeve duhet marrë në konsideratë mendimi i grupeve të interesit

20 Mars 2009

Në Shqipëri ka rreth 350 mijë ndërtime pa leje, që presin të legalizohen. Ligji është ndryshuar disa herë prej tre viteve, që kur u miratua për herë të parë vetëm me votat e maxhorancës.

https://p.dw.com/p/HGHE
Ndërtime pa leje në periferi të TiranësFotografi: DW / Arben Muka

Çështja më e debatuar mes maxhorancës dhe opozitës për ligjin e “legalizmit, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” është përcaktimi i kompetencave se kush do ta menaxhojë këtë proces. Të jetë pushteti lokal, bashkitë e komunat, apo qeveria nëpërmjet agjensisë, që varet prej saj, ALUIZNI. Në fillim të shkurtit të këtij viti Gjykata Kushtetutuese ka shfuqizuar një nen të ligjit, që ka të bëjë me marrjen e kompetencave nga ALUIZNI. Por mazhoranca riformuloi një amendament të ri për të përligjur marrjen e kompetencave nga ALUIZNI, ne rast se pushteti vendor nuk operonte brenda afateve. Amendamenti kundërshtohet nga partitë opozitare dhe grupet e interesit.

Prof.dr. Sazan Guri, ekspert për të drejtën e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm thotë për DW se ndërhyrjet në ligj në dukje janë një elemement pozitiv, tentativë për përmirësim. Por ai shikon një mangësi fillestare në konceptimin e ligjit të legalizimeve, atë të mos marrjes parasysh të mendimeve të grupeve të interesit.

Deutsch albanisches Gymnasium Tirana Projektleiter Hans Zeller
Prof. dr. Sazan GuriFotografi: DW / Arben Muka

„Jemi mësuar me koncepte të vjetëruara për mjaft probleme të rëndësishme. Që vendoset nga lart se si duhet të veprojnë ata poshtë. Por ai lart është ekzekutor dhe pjekjen e bën ai poshtë, aty ku është komuniteti, eksperti, qytetari, pra grupet e interesit. Ndërhyrjet e herëpashershme janë nga mosdëgjimi i grupeve të interesit. Se ka ngecur aplikimi i një ligji në terren, pavarësisht se në letër duket mjaft i mirë dhe i përsosur. Prandaj ndodhin arnimet e vazhdueshme, pasi gjërat nuk kanë ecur me këtë ligj qysh para tre viteve, kur ai është miratuar në parlament“, thotë Sazan Guri.

Pavarësisht se kemi të bëjmë me menaxhim urban të ndërtimeve legale ose ilegale, një proces të tillë duhet ta administrojë pushteti lokal, pra të jetë në duart e vendimarrësve vendorë, thotë ai duke shtuar:

„Për arsye se nuk mund të ndodhë që për anën legale të jetë bashkia, ose komuna dhe për aspektin jolegal të jetë një instancë tjetër. Sepse do të kishim projekte të mbivendosura, apo organizma të mbivendosura. Menaxhimi urban është për pushtetin lokal dhe nuk mund të jetë ndryshe. Në konceptin tim shkencor dhe filozofik, pavarësisht të metave, që mund të vihen re, është vendimarrësi lokal ai, që duhet të përcjellë dhe të përgjigjet për planifikimin e territorit. Në rastin tonë kjo vlen pa dyshim dhe për legalizmin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

Parlamentsgebäude in Tirana
Ndërtesa e parlamentit në TiranëFotografi: DW / Arben Muka

Sipas prof. dr Sazan Gurit, ligji "për legalizmin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” duhet të ndërthuret dhe me ligjin e kthimit dhe kompesimit të pronave, pasi nuk mund të ecë më shpejt legazimi i zonave informale pa zgjidhur dhe çështjen e bartur prej afër dy dekadash të pronarëve legjitimë. Ky do të ishte një nonsens dhe do ta fuste në pasiguri çdo formë a metodë, që realizohet për legalizmin e ndërtimeve të paligjshme.

Nuk mund të ketë vetëm një zgjidhje të njëanshme, ku përfitojnë vetëm ata, që kanë ardhur. Duhet paralelisht të jepet dëmshpërblim për pronarët e vërtetë të këtyre territoreve. Kjo e bën të sigurtë dhe të vlefshëm dhe tapinë e atij, që ka ndërtuar pa leje, por dhe kënaq nga ana tjetër pronarët e ligjshëm.

Shqipëria duhet të zgjidhë pa humbur kohë deformimin e imazhit urban të uzurpimit pa kriter të tokave bujqësore për ndërtime.

Duke planifikuar si në vendet e tjera të zhvilluara, por dhe ato fqinje territoret urbane me një infrastrukturë moderne dhe në funksion të komunitetit dhe individit.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica