1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Oslo tronditet nga një shpërthim me bombë

Norvegjia është e tronditur: një bombë shpërtheu të premten (22.7.) në qendrën e Oslos. Sipas medieve shumë persona janë lënduar dhe të paktën dy vetë kanë humbur jetën.

Pamje nga rruga e shpërthimit në Oslo.

Disa të lënduar nga shpërthimi në Oslo.

Në një kamp të rinjsh jo larg Oslos pati dhe shkëmbime zjarri midis një personi të veshur si polic dhe personave të tjerë, ende te paidentifikuar. Si rezultat, sipas të dhënave deri në orën 22:10, nga atentati në kampin e të rinjve janë shkaktuar të paktën dhjetë të vrarë. Policia konfirmon se ka lidhje në mes atentateve në Oslo dhe atyre në kampin e të rinjve. Dorasi, që hapi zjarr, ndërkohë është kapur.

Qendra e Oslos u trondit nga një shpërthim i fortë

Copa xhamash në rrugë, re të dendura tymi në ajër, njerëz që vrapojnë në panik në vendin e fatkeqësisë - fotot dhe videot e dëshmitarëve në vendngjarje tregojnë shkatërrimet e mëdha në kryeqytetin norvegjez. Qendra e Oslos u trondit të premten nga një shpërthim i fortë. Shpërthimi dëmtoi rëndë ndërtesën e qeverisë ku ndodhet zyra e kryeministrit Jens Stoltenberg. Por vetë kryeministri nuk ka pësuar lëndime.

Të paktën tetë persona të tjerë janë lënduar. Dy vetë kanë humbur jetën. Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë për shkatërrime të mëdha, njerëz të përgjakur në rrugë dhe re të dendura tymi. Të gjitha xhamat e dritareve të ndërtesës qeveritare me 17 kate u thyen nga shpërthimit. Në ministrinë e Naftës, e cila ndodhet aty pranë shpërtheu zjarr. Kaosi mbretëronte në vendngjarje.

Pamje të shkatërrimeve pas shpërthimit në kryeqytetin norvegjez.

Pamje të shkatërrimeve pas shpërthimit në kryeqytetin norvegjez.

Njerëzit largoheshin me vrap të përfshirë nga paniku. "Të gjithë qanin, shumë kërkonin të telefonin të afërmit me celular", tregon një dëshmitar okular, i cili thotë se ndodhej 15 metzra larg vendit ku ndodhi shpërthimi. Në atë kohë rruga ishte shumë e mbushur me njerëz.

Policia dhe forcat e shpëtimit po përpiqen ndërkohë të krijojnë një pamje të përgjithshme për situatën. Rrugët pranë vendit të shpërthimit janë bllokuar, nga frika e shpërthimeve të tjera. Zyra e gazetës bulevardeske "VG" u evakuua. Arsyeja e shpërthimit sipas të dhënave të policisë norvegjeze ishte një bombë. Përpara njërës prej ndërtesave të dëmtuara policia gjeti skeletin e një automjeti të shkatërruar.

Eksperti për terrorizmin Tore Björgo tha për kanalin norvegjez "NRK: "E kam të vështirë të besoj se nuk bëhet fjalë për një atentat."

Autore: Olga Kapustina (dpa, rtr, dapd) / E. Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica