1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

OSBE: Ta luftojmë me rrënjë terrorizmin

Një konferencë dyditore e OSBE po e vështron luftën kundër terrrorizmit në tërësinë e fenomenit. Njëri nga synimet e Presidencës gjermane, është forcimi i OSBE-së si platformë dialogu.

Gjermania kryeson që prej fillimit të vitit Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier aktualisht është "kryetar i radhës i OSBE-së". Si njërin nga synimet e Presidencës gjermane, Steinmeiri pati përcaktuar para ndërrimit të viteve forcimin e OSBE-së si platformë dialogu.

Në këtë kuadër, në Berlin po zhvillohet aktualisht (31 maj deri 1 qershor) një konferencë kundër terrorizmit e OSBE-së. Ka nevojë të flitet për atë se si mund të luftohet terrorizmi dhe para së gjithash se si mund të shmanget ai, u bë e ditur nga Ministria e Jashtme Gjermane. Disa vende mbështesin në mënyrë shumë të njëanshme vetëm masat represive. Por nevojitet që problemi të vështrohet në "mënyrë tërësore", siç tha ministri i Jashtëm gjerman në hapje të fjalës së tij në Ministrinë e Jashtme. Të gjitha niveleve të terrorit u duhet kushtuar vëmendje - edhe metodave të rekrutimit, shkaqeve të radikalizimit dhe masave parandaluese. Kjo mund të ketë sukses vetëm në kuadër të një bashkëpunimi ndërkombëtar, deklaroi Steinmeier të martën në Berlin.

Për shembull, kur bëhet fjalë për shkëmbimin e të dhënave të pasagjerëve: në një projekt të OSBE-së për këtë temë aktualisht marrin pjesë 20 nga 57 shtetet anëtare të OSBE-së. Kjo duhet të ndryshojë. Por deri atëherë është e nevojshme të bëhet ende punë bindëse, u tha në Berlin.

E re: perspektiva gjinore

Dy ditë me radhë do të shkëmbejnë mendimet e tyre mbi 350 pjesëmarrës nga më shumë se 50 shtete dhe nga 20 organizata ndërkombëtare. Njëri nga fokuset është te fenomeni relativisht i ri i terroristeve femra. 20 përqind e "Foreign Fighters"- e luftëtarëve të huaj - besohet se tashmë janë femra, midis tyre shumë janë nga qarqe jo të varfra. Çfarë i bën ato të bashkohen me këta ekstremistë të gatshëm për dhunë?

Deutschland Berlin Antiterrorismus-Konferenz de Maiziere u. Steinmeier

Ministrat Thomas de Maiziere dhe Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere përmendi shifra aktuale për gjendjen e rrezikut. 810 vetë kanë shkuar deri tani nga Gjermania në Siri ose në Irak, për t'u bashkuar me radhët e të ashtuquajturit "Shtet Islamik" (IS). "Po u kthyen ata, potenciali i rrezikut është i dukshëm," tha ministri i Brendshëm. Edhe sepse ambienti salafist në Gjermani vazhdon të rritet. Shumë prej tyre janë "tjetërsuar së tepërmi dhe janë kthyer në njerëz brutalë".

Shkaktari nuk është interneti

Për një kohë të gjatë, tha De Maiziere, besohej se interneti është shkaktari për radikalizimin e tyre. Por ndërkohë dihet se "shkaktarët janë gjithmonë njerëz". Interneti nga ana tjetër është "një përshpejtues i radikalizimit". Edhe De Maiziere u shpreh që të hidhet një vështrim në ambientin e terroristëve - si plotësim për "metodat e ashpra". Lufta antiterror duhet të jetë represive dhe njëkohësisht parandaluese, të zhvillohet në nivel nacional, ashtu edhe ndërkombëtar. Siguria me mjete thjesht shtypëse nuk funksionon. Parandalimi i quajtur i butë duhet të shkrihet me përndjekjen penale, tha ministri i Brendshëm i Gjermanisë. Një vendim të përbashkët në fund të konferencës nuk do të ketë, por gjithsesi do të bëhet një përmbledhje e gjendjes së diskutimeve. Kjo përmbledhje do t'i paraqitet pastaj në fillim të dhjetorit Këshillit të Ministrave të Jashtëm në Hamburg, i cili do të marrë pastaj vendime konkrete, si për shembull për shkëmbimin e të dhënave të pasagjerëve.

Ministri Steinmeier në forumin gjermano-rus Takimet e Potsdamit

Ministri Steinmeier në forumin gjermano-rus "Takimet e Potsdamit"

Steinmeieri kundër "atmosferës si para fundit të botës"

Në të njëjtën kohë, në Berlin po mbahet forumi me traditë gjermano-rus "Takimet e Potsdamit". Edhe ky forum u hap nga Ministri i Jashtëm gjerman e edhe këtu Steinmeieri tërhoqi vëmendjen për rolin e OSBE-së. "Të ndërtohen ura të bashkëpunimit" është një titujt që ka përcaktuar Gjermania për kryesimin prej saj të OSBE-së, veçanërisht në menaxhimin e konfliktit të Krimesë dhe të krizës së Ukrainës. Këto konflikte vazhdojnë t'i vënë para provës marrëdhëniet gjermano-ruse, disa pjesëmarrës folën për një "atmosferë si para fundit të botës".

"Fryma e Helsinkit", e konferencës historike të 1975-ës e ka formësuar Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE) dhe më vonë "Kartën e Parisit", si dhe OSBE-në e sotme, theksoi Steinmeier. Këtu bën pjesë "parimi i paprekshmërisë së kufijve".