1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

OSBE organizon zgjedhjet serbe në Kosovë

Gjatë zgjedhjeve në Serbi, në Kosovë do të hapen qendra mobile votimi në të cilat do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi i votave do të bëhet jashtë territorit të Kosovës.

OSBE

OSBE

OSBE konfirmoi rolin e saj lehtësues në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga vetë OSBE, të hënën në mbremje (30.04), përmes një komunikate për media, ku thuhet se kryesuesi i OSBE-së, Imon Gilmor e ka mirëpritur këtë marrëveshje, ndërsa ka sqaruar se ai vetë ka qenë në kontakt me palët e përfshira.

OSBE me rolin e lehtësuesit për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

“Mirëpres marrëveshjen që është arritur të hënën sa i përket rolit lehtësues të misionit të OSBE-së në Kosovë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e OSBE-së, mirëpo nuk specifikohen detajet. Duke cituar njoftimin e OSBE-së, Imon Gilmor, më tej thotë:

"Në ditët e fundit, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanieri, për t'i inkurajuar ata që të ndërmarrin një qasje pozitive”. Edhe Lamberto Zanieri, sipas njoftimit të OSBE-së, tha se tashmë, kjo organizatë ka nisur përgatitjet për organizimin e qendrave të votimit për t'iu mundësuar votuesve serbë në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në këto zgjedhje.

Qeveria e Kosovës përshendet vendimin e OSBE-së

Pamje nga zgjedhjet në Mitrovicë -serbë që votojnë për zgjedhjet e Kosovës

Pamje nga zgjedhjet në Mitrovicë-serbë që votojnë për zgjedhjet e Kosovës

Vendimin e OSBE-së për të lehtësuar votimin për qytetarët serbë të Kosovës me shtetësi të dyfishtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, e përshëndeti edhe qeveria e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi të shkruar. Sipas qeverisë, ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane dhe në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

"Gjatë ditës së 6 majit do të hapen qendra mobile votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të shtetit të Kosovës, në mungesë aktuale të Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas. Vendimi i OSBE-së reflekton qëndrimet dhe parimet e panegociueshme dhe vijat e kuqe të Republikës së Kosovës për këtë çështje. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një hap i madh për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë Serbia është pajtuar që të mos organizojë asnjë lloj zgjedhje në Kosovës, në 13 vitet pas përfundimit të luftës", thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

"OSBE-ja po e ndërmerr një veprim të tillë me kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mundësuar votimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që i takojnë komunitetit serb dhe kanë dyshtetësi, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës", thuhet më tej në këtë deklaratë.

Diplomatët perendimorë përshëndesin vendimin e OSBE-së

Hashim Thaci, kryeministri i Kosovës

Hashim Thaci, kryeministri i Kosovës

Edhe përfaqësuesit në Kosovë të vendeve më të industrializuara, SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, e mirëpritën marrëveshjen e arritur nga OSBE-ja për lehtësimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë me 6 maj. Në një komunikatë në emër të vendeve të QUINT-it, thuhet:

“Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë duhet të përgëzohen për gatishmërinë e tyre për t'ua siguruar votuesve me të drejtë vote mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike. Ne i jemi mirënjohës OSBE-së për gatishmërinë e saj për të ndërmarrë këtë detyrë sfiduese në afat të shkurtër dhe i ofrojmë mbështetjen e plotë ekipit të misionit të OSBE-së në Kosovë”. Ata u bëjnë thirrje të gjithë qytetarët që të ndihmojnë për të ruajtur një mjedis të qetë dhe paqësor ashtu që OSBE-ja të mund të kryejë punë.

Autoritetet e Prishtinës janë pajtuar që serbët e Kosovës të mund të votojnë për zgjedhjet parlamenttare dhe presidenciale të Serbisë bazuar në parimin e dy shtetësisë. Por, Prishtina, zyrtare është kategorike kundër organizimit të zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë. Ministria e punëve të brendshme tashmë ka hartuar një plan për të penguar çdo përpjekje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi