1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

OSBE-ja do të mbështesë procesin zgjedhor në veri të Kosovës

OSBE-ja mbështeti edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, që u mbajtën në nëntor të vitit të shkuar. Serbët e Kosovës synojnë të dalin me një listë të përbashkët për deputet për Kuvendin e Kosovës.

OSZE Logo

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, (OSBE), do të mbështesë me këshilla teknike procesin zgjedhor në veri të Kosovës gjatë organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahet më datën 8 qershor. Këtë e konfirmon për DW, zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikolla Gaon. Ai thotë se OSBE-së i është kërkuar ndihmë nga institucionet kosovare. "Siç e dini, OSBE-ja e mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në rolin e këshillave teknike dhe po ashtu ne e kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm të mbështesim edhe procesin zgjedhor në veri të Kosovës, nëse kjo kërkohet nga ne. Tashmë kërkesa për ndihmë OSBE-së është bërë nga presidentja si dhe kryetarja e KQZ-së dhe në ditët në vijim detajet e mbështetjes së OSBE-së do të diskutohen me KQZ", thotë Nikolla Gaon.

OSBE-ja ka qenë e përfshirë duke ndihmuar edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës vitin e shkuar, ku serbët e atjeshëm morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës. Mirëpo, që nga nëntori i vitit të shkuar, komunat veriore nuk kanë ndërruar statutet e tyre që duhet të përshtaten me ligjet dhe rregullat e Ministrisë së Pushtetit lokal të qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministrja në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila është e përfshirë në bisedime me udhëheqësit serb të komunave veriore ka deklaruar, se "ajo beson që deri të premten (16.05.2014), komunat veriore do të arrijnë t'i harmonizojnë statutet e tyre me ligjet e Republikës së Kosovës".

Deri tani komunat veriore të Kosovës kanë funksionuar si struktura paralele jashtë rregullave dhe ligjeve të Kosovës. Mirëpo, me marrëveshjen e 19 prillit të vitit të shkuar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, u arrit marrëveshje për shpërbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e kësaj pjese në institucionet kosovare, prej nga u sigurua edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje.

Edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, në veri të Kosovës do të organizohen zgjedhje për deputet në kuvend, ndërsa, po të premten (16.05.2014) është afati i fundit kur subjektet politike me kandidatët e tyre duhet të regjistrohen në KQZ, në Prishtinë.

Partitë serbe në Kosovë me listë të përbashkët deputetësh në zgjedhje

Kryetari i njërës nga komunat veriore të Kosovës Leposaviq, Dragan Jabllanoviq, ka deklaruar për mediat lokale serbe, se "serbët e Kosovës synojnë që në këto zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët që ka mbështetjen e qeverisë në Beograd".

"Shpresoj se do t'ia arrijmë që për herë të parë në historinë popullit serb të bashkohemi dhe me listë të përbashkët të paraqitemi në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ta fitojmë numrin maksimal të vendeve të deputetëve. Më pas, ne do të ishim një fuqi në Kuvendin e Kosovës, e cila do të mund ta mbronte të gjithë popullatën serbe dhe jo shqiptare në gjithë territorin e vendit", ka theksuar Jabllanoviq.

Vetëm pak kohë para se të shpërndahej Kuvendi i Kosovës, autoritetet e Beogradit i ftuan politikanët serbë të Kosovës që të koordinohen dhe të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme me një listë të përbashkët.

Edhe kryetari i Partisë së Pavarur Liberale të serbëve të Kosovës (SLS), Sllobodan Petroviq, ka thënë se "me Iniciativën Qytetare Serbia është rënë dakord për dalje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës". Sllobodan Petrovic në qeverinë tashmë në largim të kryeministrit Hashim Thaçi, ka ushtruar postin e zëvendëskryeministrit.

Afatio i fundit i regjistrimit në KQZ të subjekteve politike për zgjedhje te parakohshme parlamentare të 8 qershorit është deri të pretmen në mesnatë më datë 16.05. Zyrtarë të KQZ-së, thonë se deri tani subjektet politike akoma nuk kanë filluar regjistrimin, sepse tashmë është bërë praktikë që hartimi i listave të kandidatëve për deputet nga subjektet politike të lihen deri në ditën e fundit të afatit për regjistrim.