1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

OSBE-ja dhe Shqipëria partnere afatgjata

OSBE-ja ka dhënë ndihma të vazhdueshme në ecurinë e reformave në Shqipëri. Reagime ndaj debatit "Të qendroje apo të largohet OSBE-ja nga Shqiperia?

Flamurët e shteteve anëtare të OSBE-së

Flamurët e shteteve anëtare të OSBE-së

Debati për largimin apo vazhdimin e qëndrimit të pranisë së OSBE-së në Shqipëri u ndez ditët e fundit, kur në shtypin e pavarur të kryeqytetit u cituan kritika të ashpra nga një diplomati amerikan ndaj qeverisë së kryeministrit Berisha. Ai e paralajmëronte atë se rrezikonte të humbiste anëtarësimin në NATO, në samitin e ardhshëm të Aleancës, nëse largonte misionin e OSBE-së nga Shqipëria. Kërkesa sipas citimeve të diplomatit amerikan, ngjall dyshime të forta për motivet e saj, përderisa bëhet një vit para zgjedhjeve paralamentare, të verës 2009. Ndonëse në terma të përgjithshme, pa përmendur emrin e diplomatit, citimi ka ndezur debatin dhe nxitur reagimet e palëve.

Debate dhe reagime të politikës shqiptare

Opozita akuzon kryeministrin Berisha se largimi i OSBE do të jetë preludi i manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Arta Dade, nënkryetare e Asamblese Parlamentare të OSBE dhe sekretare për marrdhëniet me jashtë në Partinë Sociasliste, më të madhen në opozitë, i deklaroi DW-së në linjë telefonike, se "Forca e saj politike ka të dhëna dhe fakte se largimi i OSBE-së nga Shqipëria është kërkuar nga nivelet më të larta të diplomacisë së Tiranës, përmes një letre dërguar selise qendrore të OSBE-së në Vienë. Sipas Zonjës Dade, argumenti i përdorur në letrën në fjalë është se Shqiperia tani e ka kaluar fazën e tranzicionit, është në prag të anëtarësimit në NATO dhe prandaj prania e OSBE-së nuk është më e domosdoshme. Arta Dade tha se ky është një argument i sajuar, pas atij fshihen përpjekjet e qeverisë për të përgatitur manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Por kryeministi Berisha dhe Ministri i Jashtëm Basha deklaruan publikisht se "nuk kanë kërkuar largimin e OSBE nga Shqipëria".

Në këtë shkëmbim deklaratash mes palëve ajo që publiku di është protesta e OSBE-se në mesin e muajit të kaluar për dëbimin e përfaqësuesve të saj nga Parlamenti, në kohën kur Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, Ina Rama, do të raportonte përpara kuvendit për luftën kundër krimit të organizuar.

OSBE-ja e gatshme të vazhdojë ndihmën për reformat

Ndërkohë që palët lëshojnë deklarata vetëm sot, pas një heshtjeje disa ditore, ka reaguar prania e OSBE-së në Tiranë Zyra e shtypit dhe e marrëdhënieve me publikun e pranisë së OSBE-së në Tiranë, tha për DW-në se "Ambasadori i kësaj pranie, Robert Bosch, po e ndjek me vëmendje debatin mes palëve dhe konfirmon gatishmerine e organizatës për të vazhduar ndihmën e deritanishme në kryerjen e reformave në Shqipëri."

Stubb: OSBE-ja partnere afatgjatë e Shqipërisë

Ajo që tërheq vëmendjen në reagimin e sotem të pranisë së OSBE-së në Tiranë është përmendja e një letre që kryetari në detyrë i OSBE-së, Ministri i Jashtëm finlandez Alekstandër Stubb i ka dërguar Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha tri javë më parë, më 14 korrik, kohë që përkon me largimin nga Parlamenti të përfaqësuesve të OSBE-së. Në këtë letër Aleksandër Stubb deklaron se OSBE-ja është "Një partnere afatgjatë e Shqipërisë dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj në të mirë të popullit shqiptar."

Një histori jo gjithmonë harmonike

OSBE-ja u vendos në Shqipëri në pranverën e vitit 1997, kur Shqipëria u përfshi në trazira të dhunshme, që çuan vendin në prag të luftës civile dhe rrëzuan demokratët e Berishës nga pushtetit. Mandati i OSBE-së përfshinte mbështetje për demokratizimin e vendit, për mediat dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përgatitjen dhe monitorimin e zgjedhjeve.

Votues shqiptarë duke konsultuar listat e votimeve (nga arkivi)

Votues shqiptarë duke konsultuar listat e votimeve (nga arkivi)

Manipulimi në zgjedhjet parlamentare të 2001, fitorja e kontestuar e socialistëve përmes fenomenit që njihet me emrin e Dushkut, një fshat i vogël në Lushnjë, ku në balotazhin për zgjedhjet e atij viti elektorati votoi jo për subjektin por forcën politike, e kompromentoi asistencen teknike të ekspertëve të OSBE-së që patën asistuar për hartimin e kodit elektoral, ku kishte vakume që bënin të mundur manipulimin.

Forcat e djathta, atëhere në opozitë, kërkuan largimin e OSBE-së nga Shqipëria, duke pasur si flamurtar politikanin republikan, Sabri Godo.

Por OSBE-ja nuk u largua. Ajo ndryshoi pas dy vitesh mandatin e aktivitetit të saj në Shqipëri. Në dhjetor 2003, Këshilli i Përhershëm i organizatës, në Vienë, i dha një mandat të ri, që vazhdon sot e kësaj dite. Sipas tij OSBE-ja mbështet kryerjen e reformes elektorale, legjislative, të sistemit gjyqësor, reformën administrative dhe fuqizimin e kapaciteteve teknike të Parlamentit. Një sërë projektesh shtrihen në fushën e forcimit të shoqërisë civile, të barazisë gjinore apo të ndihmës për fëmijët, që lypin në rrugët e Shqipërisë.

OSBE-ja mbetet organizata më e madhe e sigurisë rajonale ku marrin pjesë 56 shtete, që shtrihen në një zonë gjeografike që nga Vankuveri deri në Vladivostok. Shqipëria iu bashkua OSBE-së në vitin 1991, menjëherë pas përmbysjes së regjimit komunist.

  • Data 05.08.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Eqhv
  • Data 05.08.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Eqhv