1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

OSBE-ja dërgon për herë të parë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare në Gjermani

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Gjermani, OSBE-ja do të dërgojë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare. Misioni nuk ka të bëjë me moslejimin e disa partive të vogla për të marrë pjesë në zgjedhjet e shtatorit

OSBE-ja dërgon vëzhgues për zgjedhjet në Gjermani. Ne foto: logo e OSBE-se

OSBE-ja dërgon vëzhgues për zgjedhjet në Gjermani

OSBE/ODIHR-i në radhë të parë dërgon misione vëzhguesish në vende me demokraci jo të konsoliduara

Zgjedhjet e sivjetshme parlamentare në Gjermani do të mbikqyren nga një ekip vëzhguesish të OSBE/ODIHR-it. Kjo është hera e parë që në Gjermani vjen për të monitoruar zgjedhjet një ekip i tillë, sepse OSBE/ODIHR-i në radhë të parë dërgon misione vëzhguesish në vende me demokraci jo të konsoliduara. Për këtë në mediat gjermane u hodh versioni se ky mision ka të bëjë me faktin se të enjten e kaluar, Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet përjashtoi nga e drejta e kandidimit në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare një sërë partish.

Ftesa që OSBE/ODIHR-i të dërgojë vëzhgues në Gjermani është bërë nga qeveria gjermane

Zëdhënësi i OSBE/ODIHR-it, Thomas Rymer, sqaroi ditën e dielë (09.08) se misioni i OSBE-së nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me moslejimin e disa partive të vogla për të kandiduar në votime dhe as ndonjë shkak për të lindur dyshime për manipulim të zgjedhjeve. Ai tha po ashtu se ftesa që OSBE/ODIHR-i të dërgojë një ekip vëzhguesish në Gjermani është bërë nga vetë qeveria gjermane.

Gazeta "Financial Times Deutschland" citon kryezëdhënësin e OSBE/ODIHR-it Jens-Hagen Eschenbächer me fjalët:

"Meqenëse në Gjermani moslejimi i disa partive për të kandiduar në zgjedhje përbën një temë, vëzhguesit tanë do ta shikojnë nga afër këtë gjë."

'Misione të tilla vëzhguesish janë dërguar edhe në Itali apo në Francë'

Por në një prononcim për stacionin publik gjerman MDR, Eschenbächer-i e hodhi poshtë një lidhje të misionit vëzhgues me moslejimin e disa partive të vogla për zgjedhjet. Ai theksoi se edhe pse në Gjermani është hera e parë, dërgimi i vëzhguesve nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, sepse misione të tilla janë dërguar edhe në Itali apo në Francë. Përveç kësaj edhe monitorimi nuk do të bëhet në të gjithë Gjermaninë, por në zona të caktuara.

Ekspertët e OSBE-së merren edhe me proceset e regjistrimit dhe të punës së autoriteteve që organizojnë zgjedhjet

Sipas të dhënave të tij, zyra e OSBE/ODIHR-it në Varshavë do të dërgojë në Gjermani 12 vëzhgues, të cilët do të qëndrojë në vend nga mesi i shtatorit deri në fillim të tetorit. Eschenbächer-i tha se ekspertët e OSBE-së merren gjithmonë me të gjithë procesin e zgjedhjeve në një vend, kuadrin ligjor të tyre, fushatën elektorale, raportimin në media si dhe rrjedhjen e procesit ditën e votimit. Në këtë mes, tha ai, bëjnë pjesë edhe proceset e regjistrimit dhe të punës së autoriteteve që organizojnë zgjedhjet. Në këtë kuadër, tha Eschenbächeri, ekspertët do të merren edhe me tema të tilla si moslejimi i partive të vogla për të kandiduar. Por ai theksoi se OSBE-ja nuk mban kurrë përpara zgjedhjeve ndonjë qëndrim dhe se të gjitha vëzhgimet përmblidhen në një raport, i cili publikohet disa javë pas zgjedhjeve. Eschenbächeri sqaroi edhe një herë se dërgimi i vëzhguesve bëhet me ftesë të qeverisë gjermane, e cila synon që përmes rekomandimeve të përmirësojë më tej procedurat elektorale.

"Pantera e thinjur","Partia", "Partia Qytetare për të Gjithë", "Bashkimi i Lirë" nuk u lejuan të marrin pjesë në zgjedhje

Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet, nën drejtimin e Drejtuesit të Zgjedhjeve Federale, Roderich Egeler, u mohoi statusin e partive partisë "Të thinjurit" apo "Pantera e thinjur", një parti e vogël kjo, e cila ka si qëllim të saj mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve, grupimit satirik "Partia" si dhe "Partisë Qytetare për të Gjithë" (BPA). Po ashtu ky komision vendosi të mos i lejojë partisë "Bashkimi i Lirë" të Gabriele Paulit të drejtën për të marrë pjesë me kandidatë në votime.

Partitë e refuzuara nuk kanë të drejtë t'u drejtohen përpara zgjedhjeve gjykatave

Vendimi i Komisionit Parlamentar për Zgjedhjet u kritikua jo vetëm prej vetë partive të prekura, por edhe nga politologë dhe juristë. Eksperti i ligjit për partitë, Martin Morlok tha për revistën "Der Spiegel", se "Të thinjurve" dhe grupimit "Partia" u është mohuar statusi i partive, bazuar në presupozime të gabuara. Ndërsa në rastin e "Bashkimit të Lirë" komisioni as që kishte marrë në diskutim aspektin thelbësor ligjor, por ishte nisur nga një gabim formal - mungesa e nënshkrimit të kryetares së partisë në kërkesë - gjë e cila, sipas tij, mund të bëhej edhe pas kalimit të afatit për dorëzimin e dokumentacionit. Sipas Morlok-ut, edhe më i keq është fakti që partitë e refuzuara nuk kanë të drejtë t'u drejtohen përpara zgjedhjeve gjykatave.

Autor: dpa/mdr/swr/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 10.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J6uK
  • Data 10.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J6uK