1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Osama Bin Laden vritet nga njësitë speciale amerikane

2 Maj 2011

Cameron: Vdekja e Bin Ladenit lehtësim i madh për njerëzit në gjithë botën

https://p.dw.com/p/117ST

Osama bin Laden, terroristi më i kërkuar në botë, ka vdekur. Njësitë speciale amerikane e zbuluan dhe e vranë udhëheqësin e rrjetit terrorist të El Kaidës në afërsi të kryeqytetit të Pakistanit Islamabad, njoftoi presidenti amerikan Barack Obama në Uashington. Drejtësia ka triumfuar, tha Obama në një fjalim televiziv. Para Shtëpisë së Bardhë në Uashington pas marrjes vesh të lajmit u grumbulluan mijëra njerëz, që brohorisnin. Bin Laden konsiderohej si përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, gjatë të cilave në SHBA humbën jetën rreth 3.000 vetë.

Presidenti i SHBA-së Obama tha, se në gusht 2010 janë mësuar të dhënat e para për vendndodhjen e Bin Ladenit. Javët e fundit ai ka patur informacione të mjaftueshme dhe ka vendosur të veprojë, tha Obama. SHBA ka vendosur në gatishmëri përfaqësitë e tyre diplomatike në të gjithë botën. Arsyeja është frika se terroristët mund të kryejnë akte hakmarrjeje.

Kryeministri britianik David Cameron tha në një reagim të parë pas vdekjes së Osama bin Ladenit, se ky lajm do të thotë një lehtësim të madh për njerëzit në gjithë botën. Ish-presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush u shpreh për një "fitore për Amerikën". Ai përgëzoi pasuesin e tij Barack Obama si dhe ushtrinë amerikane dhe shërbimet sekrete. Ngjashëm u shpreh edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton. Në bursën e Tokios lajmi për vdekjen e Osama bin Ladenit i dha shtytje të madhe tregtisë. Indeksi Nikkei kaloi ndërkohë kufirin prej 10.000 pikësh.

Autor: dpa / A. Verbica

Redaktoi: E. Ajazaj