1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Orientimi që na duhet" - Partia Socialdemokrate prezanton programin elektoral

Me rëndime financiare për ata që fitojnë më shumë para dhe masa për sigurimin e e vendit të punës, shkon në fushatën elektorale Partia Socialdemokrate Gjermane. Shtajnmajer e lëvdoi programin si orientim në krizë.

Kandidati i PSDGJ për kancelar, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier duke prezantuar programin e partisë.

Kandidati i PSDGJ për kancelar, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, e quan programin elektoral "orientimin e duhur".

Kandidati për kancelar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Frank Walter Steinmeier nuk është për t'u pasur zili. Partia e tij ka humbur në dekadën e fundit gati një çerek milioni anëtarë. Po të zhvilloheshin sot zgjedhjet, PSDGJ do të kishte të sajat vetëm 26 përqind të votave. Me këto shifra në mendje, janë futur socialdemokratët në një fushatë të hershme elektorale. Organet qendrore të partisë e mbështetën të shtunën njëzëri, projektin e një programi elektoral, sipas shijes së kandidatit për kancelar: "Mendoj se është një program i mirë elektoral, ai që kemi paraqitur sot, një program ku formulohen pozicione të qarta. Politikë që jep orientim, që jep drejtim, të gjitha ato për të cilat kemi nevojë."

Pamje ilustruese e kërkesës për ndryshimin e politikës tatimore.

Po të zhvilloheshin sot zgjedhjet, PSDGJ do të kishte të sajat vetëm 26 përqind të votave. Prandaj taksat janë temë qëndore e fushatës.


Megjithë krizën financiare dhe ekonomike, Partia Socialdemokrate, përcakton si plan afatgjatë sërish "punësimin e të gjithëve". Për ta mbajtur punën e kualifikuar në plan afatgjatë në Gjermani, do të investohet fuqimisht në arsim. Para për këtë do t'u merren të pasurve. Kështu Partia Socialdemokrate Gjermane planifikon që normën maksimale tatimore ta ngrejë nga 45 në 47 përqind dhe kjo duhet të vlejë, duke filluar që prej të ardhurave prej 125 mijë eurosh. Nën qeverinë e Schröder-it ishin socialdemokratët ata, që e ulën normën maksimale tatimore në mënyrë spektakulare. Edhe tatimi mbi xhiron në bursë duhet të futet sërish. Një tatim mbi pasurinë, të kërkuar sërish nga krahu i majtë i partisë, Steinmeier-i, i cili nuk dëshiron të hyjë si "kandidat i rritjes së taksave" në garën, thuajse pa shanse, përballë Angela Merkelit, e refuzoi.

Në plan të parë megjithatë aktualisht është menaxhimi i krizës, tha Steinmeieri. Për të parandaluar pushimet masive nga puna për shkak të krizës, Partia Socialdemokrate Gjermane kërkon që subvencionin mbi rrogën nga zyra e punës, në rast reduktimi të punës ta zgjasë edhe me 24 muaj të tjerë: "Ne i kushtohemi me pretendim, ambicie edhe sepse kjo i përgjigjet asaj, që presin njerëzit këtë vit para së gjithash sigurimit të punës. Dhe ju e dini, se janë para së gjithash propozimet tona- për shembull për zgjatjen e punës së reduktuar- që do të kujdesen që këtë vit të ruhen në vendet e punës në ekonomi."

Duke pasur parasysh globalizimin, Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD), angazhohet para së gjithash për zgjerimin e grupit të shteteve të G-8-ës me vende të rëndësishme me zhvillim të shpejtë si Kina, India ose Brazili. Veç kësaj, ajo kërkon ta ruajë ministrinë për ndihmën për zhvillimin, eleminimi i së cilës është në diskutim, në rastin e krijimit të një koalicioni me partinë liberale FDP. Liberalët duan të vendosin në ministrinë e jashtme ndihmën për zhvillim.

Partia Socialdemokrate aprovon programin elektoral.

Partia Socialdemokrate aprovon programin elektoral. Me rëndime financiare për ata që fitojnë më shumë para dhe masa për sigurimin e e vendit të punës shkon në fushatën elektorale Partia Socialdemokrate Gjermane.

Sipas dëshirës së Partisë Socialdemokrate Gjermane, shtetas nga vende jo anëtare të BE, të cilët jetojnë prej më shumë se gjashtë vjetësh në Gjermani, duhet të marrin të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale. Kjo është një ofertë para së gjithash për grupin e madh të turqve, pa pasaportë gjermane. Popullata me shumicë turke zgjedh tradicionalisht, në pjesën më të madhe, Partinë Socialdemokrate Gjermane. Synime të tjera të programit, janë midis të tjerave paga minimale e garantuar me ligj, mbetja besnik ndaj vendimit për të mos përdorur energjinë bërthamore, zgjerimi i energjive të ripërtëritshme dhe një ndalim i partisë ekstremiste të djathtë, NPD.

Si partnerë të mundshëm koalicioni, Partia Socialdemokrate sheh para së gjithash Të Gjelbrit dhe në rast nevoje partinë liberale, FDP. Edhe një koalicion i madh partiak i ri është i mundur si përjashtim. Vetëm një aleancë me Partinë e Majtë përjashtohet. Por unionistët dhe FDP e kritikuan këtë program partiak, i cili do t'i paraqitet në qershor një kongresi partie, si "lëvizje majtas". Ai nuk është bazë për koalicion.

Autor: Bernd Grässler / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HaPp
  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HaPp