1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Optimist: Bilanci vjetor i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në bilancin vjetor kritikon Rusinë dhe Turqinë në mënyrë të veçantë. Por edhe ndaj vetë gjykatës drejtohen kritika.

Një duzinë çadrash të vogla shumëngjyrëshe janë ngritur në mes të dimrit para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Banorët e çadrave janë diku nëpër qytet për t'u ngrohur. Para çadrave shihen kartona me mbishkrime që sqarojnë problemet që këta qytetarë kanë me Gjykatën Europiane. "Më së shumti janë ankimues, çështjet e të cilëve janë refuzuar nga gjykata si të papranueshme apo si të paarsyetuara" shpjegon zëdhënësja e gjykatës, Nina Salomon. Disa prej tyre qëndrojnë me javë të tëra në lëndinën e vogël mes rrugës dhe bregut të lumit. Ka pasur madje edhe greva urie. "Një person është ngjitur njëherë për të kaluar gardhin dhe donte të hynte në ndërtesë." Për rastet më ekstreme alarmohen shërbimet sociale. Salomon: "Pasi disa nuk kanë nevojë për gjykatës, por për psikologë apo terapistë. Por fakti që disa bëjnë ende kamping, tregon se gjykata shihet si një vend shprese."

Ankimime të çuditshme

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut

Një banore e një çadre ka shkruar se ajo është e përzgjedhur nga zoti të sjellë paqen në tokë, por nga NASA i është instaluar një aparat në trup që e pengon atë, madje edhe jashtëtokësorë luajnë rol në këtë izolim të saj. Një tjetër kërkon pension nga shteti rumun dhe harrohet në sharje për presidentin e Gjykatës Europiane, Dean Spielmann, i cili e ka marrë detyrën në nëntor 2012. Luksemburgasi Spielmann nuk shqetësohet për sharjet. Në konferencën vjetore për shtyp ai kujton se shumica e rasteve të drejtuara në këtë gjykatë refuzohen si të papranueshme apo pa bazë të fortë. Gjykata e 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës është një gjykatë për rastet e shkeljes e të drejtave të njeriut dhe respektimin e këtyre të drejtave.

Kur një person do të akuzojë shtetin në Strasburg për shkelje të konventës së të drejtave të njeriut të miratuar që ngë vitin 1953, duhet që të plotësojë disa kushte, kryesorja është ezaurimi i plotë i instancave gjyqësore në vend. Aktualisht 100.000 dosje gjyqësore janë dorëzuar në Strasburg. Numri i rasteve është ulur disi, pas reformimit së seleksionimit. Megjithatë duhen vite derisa të 47 gjykatësit, një gjykatës për vend anëtar, të marrin vendime për çështje të ndryshme.

Rusia mban rekord për daljen para gjyqit -Turqia ka përmirësim

Rastet më të shumta për trajtim në Gjykatën Europiane vijnë nga Rusia. Gykatësi Spielmann sheh edhe një zhvillim pozitiv: "Për Rusinë rastet e paraqitura nga 42.000 janë ulur vitin e kaluar në 16.800. Ky është një rezultat spektakolar." Ulja e këtij numri lidhet me faktin se shumë raste të vjetëruara paraqiten si të papranueshme nga ana ligjore. Sigurisht Rusia, vendi me popullsinë më të madhe në Këshillin e Europës ka edhe numrin më të lartë të ankimimeve. "Kjo nuk do të thotë që nuk kemi raste, shumë raste që na paraqesin probleme. Sfida jonë është që t'i filtrojmë ato dhe të procedojmë po aq shpejt, si në rastin e ankimimeve të palejueshme."

Gjykata ka dhënë 129 dënime për Rusinë, që zë vendin e parë në këtë drejtim, Turqia zë vendin e dytë me 124 raste të shkeljes së konventës së të drejtave të njeriut. Në shumë raste bëhet fjalë për arrestime të pabaza apo keqtrajtime në burgje. Turqia ka bërë përmirësime shpejgon Spielmann. Numri i ankimimeve nga ky vend është ulur në 10.000 raste.

Italia shqetëson Gjykatën Europiane

Dean Spielmann

Presidenti i Gjykatës Europiane, Dean Spielmann

Një krahasim: Gjermania është dënuar gjashtë herë vitin e kaluar nga Gjykata Europiane. Në vitet e shkuara gjykatësit kishin dënuar Gjermaninë në një rast të kërcënimit për dhunë nga policia, dhe në një rast tjetër për ruajtjen në siguri të kriminelëve pas burgimit. Shumë vende europiane i pranojnë dhe i zbatojnë vendimet e gjykatës. Por shpesh vendet europianolindore dhe Turqia nuk i respektojnë këto vendime. Shqetësim për Gjykatën Europiane përbën Italia. Numri i rasteve të ankimimit të është rritur, tanimë Italia renditet e dyta pas Rusisë. Për presidentin e Gjykatës Europiane, rastet nga Italia janë shtuar për faktin se proceset gjyqesore në këtë vend zgjasin shumë dhe shtyhen me vite. Gjykata i ka kërkuar me urgjencë autoriteteve italiane të ndyshojnë këtë gjendje. Në vend të tretë për ankimime renditen Ukraina dhe Serbia.

Kritika Gjykatës Europiane i kanë ardhur nga Britania e Madhe. Një gjykatës i njohur britanik e ka akuzuar gjykatën për "aksionizëm" dhe shkelje të së drejtës sovrane të parlamentit britanik. Spielmann reagoi për këtë në konferencën vjetore të Gjykatës Europiane: "Ne nuk krijojmë një drejtësi të re. Ne vetëm e interpretojmë atë në kushtet e sotme. Këtë e bëjnë edhe gjykata të tjera, gjykatat kombëtare, madje edhe Gjykata e Lartë në Britaninë e Madhe."