1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Opozitarët kritikojnë qeverinë gjermane për politikën ndaj Kosovës

Bundestagu debatoi së fundi rreth kërkesës së qeverisë gjermane për ta shtyrë edhe me një vit mandatin e ushtrisë gjermane në kuadër të KFOR-it.

Ushtarë gjermanë të KFOR-it

Ushtarë gjermanë të KFOR-it

Kur shkoje për vizitë tek ish presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ai të jepte me vete dy gjëra: Bindjen se pavarësia e Kosovës do të zgjidhte të gjitha problemet, dhe një gur mineral, që fliste për potencialin ekonomik të zhvillimit të vendit, do të kujtonte Rainer Stinner (Shtiner) në fillim të fjalës së tij për të arritur në përfundimin: "Çështja e Kosovës është historia e shanseve të humbura". Eksperti liberal për Ballkanin, Rainer Shtiner, e quajti të dështuar misionin e UNMIK-ut, që edhe mbas tetë vjetësh nuk arriti të rregullonte perspektivën ekonomike të banorëve të Kosovës. Shtiner gjithashtu kritikoi edhe politikën gjermane dhe evropiane, që "nuk luajti sa duhet me kartën e BE-së" në Kosovë si edhe faktin që për vite të tëra e nënvleftësuan mundësinë e vetos ruse ndaj planit të Ahtisaarit.

Kritikë ushtroi Shtiner edhe ndaj ministrit të jashtëm, i cili në fjalën e tij e kaloi shumë përciptaz problemin kryesor që ekziston sot në Kosovë, kalimin e kompetencave, nga UNMIK-u tek Eulex-i. Deputeti i partisë tjetër opozitare, Të Gjelbërve, Juergen Trittin, shikon në këtë çështje dy rrugëdalje: "Ose Unmik-u të marrë përsipër administrimin civil në pjesën veriore, ose të gjendet një mënyrë se si Eulex-i faktikisht të varet nga UNMIK-u."

Në Kosovë nevojitet një arkitekturë e përhershme sigurie

Deputetja socialdemokrate Uta Capf (Zapf) paraqiti argumentet që sipas saj flasin për domosdoshmërinë e pranisë së mëtejshme të ushtarëve gjermanë në Kosovë: "Kfor-i do të marrë përsipër detyra të tjera, është me rëndësi që të krijohet një arkitekturë e përhershme sigurie, por unë mendoj, se edhe aty ekzistojnë rreziqe, sepse kosovarët kanë përfytyrime të tjera për detyrat që po u jepen. Ata duan më shumë ushtri, dhe siç dihet UÇK-ja ka rezerva të mira armatimi të fshehura në bodrum dhe që ka edhe milici ilegale që mund të hapnin probleme", tha Capf. Ajo gjithashtu paraqiti si rrezik për Kosovën edhe grindjet aktuale mes Ramush Haradinajt dhe siç e quajti ajo "rivalit të tij kryesor, Hashim Thaçit" Një shkak tjetër për domosdoshmërinë e Kfor-it është situata e pasigurt në Serbi, e lidhur edhe me rrezikun e krijimit të strukturave paralele, që mund të krijohen mbas zgjedhjeve komunale, që më 11 maj të këtij viti u zhvilluan ilegalisht në Kosovë.

Megjithë rezervat dhe kundërshtimet e mëdha që treguan, katër partitë e përfaqësuara në parlament, pritet ta miratojnë zgjatjen e mandatit. Kërkesa e parashtruar të enjten nga qeveria do të hidhet në votë mbasi të jetë shqyrtuar nga komisionet përkatëse. Vetëm "E majta", e cila parimisht është kundër angazhimit të ushtrisë gjermane jashtë vendit pritet të votojë kundër: "Vazhdimi i pjesëmarrjes gjermane në trupat e KFOR-it nuk përligjet nga rezoluta e OKB-së 1244, sepse njohja e Kosovës (së pavarur) e ka shfuqizuar mandatin fillestar, një rezolutë të re nuk do të ketë, kështu që, në përputhje me parimet e së drejtës trupat duhet tërhiqen", argumentoi në emër të kësaj partie, Monika Knoche dhe kërcënoi jo për herë të parë se partia e saj do të kërkojë rrëzimin e vendimit para Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i ushtrisë gjermane në kuadër të Kfor-it duhet të zgjatet çdo vit. Në Kosovë janë stacionuar gjithsej 2870 ushtarë gjermanë që përbëjnë kështu kontingjentin më të madh në kuadër të trupës ndërkombëtare paqeruajtëse, KFOR. Ky mandat i kushton tatimpaguesit gjerman 158 milionë Euro në vit.

  • Data 30.05.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E951
  • Data 30.05.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E951