1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Opozita siriane kërkon mbështetje në Gjermani

Opozita siriane proteston prej dhjetë muajsh kundër regjimit të presidentit Assad. Tani ajo shpreson për ndihma nga bota e jashtme.

Demonstrues kundër Assadit në Jabrud, 30.12.2011

Demonstrues kundër Assadit në Jabrud, 30.12.2011

Me fytyra serioze, pak të tulatura, përfaqësuesit e opozitës siriane rrinë para gazetarëve në Berlin. Dhjetë muaj pas fillimit të protestave numërohen më shumë se 6000 të vdekur, forcat e sigurisë veprojnë brutalisht kundër demonstruesve. Tani opozita shpreson për më shumë mbështetje nga jashtë. Qëllimi i saj është t'i japë fund sundimit të presidentit Bashar al-Asad dhe të krijojë një "Siri pluraliste". Dhe kjo me mjete paqësore.

Këtu kundërshtarët e regjimit mbështeten edhe te Gjermania. "Ne kërkojmë nga qeveria gjermane njohjen e Këshillit Kombëtar Sirian (SNC), si përfaqësues legjitim i popullit sirian", thotë Ibrahim Hozan. 28-vjeçari, i cili ka qenë një vit në burg në Siri, është një nga udhëheqësit e Këshillit Kombëtar. Deri tani SNC nuk është njohur zyrtarisht nga asnjë përfaqësi qeveritare e popullit sirian.

Në dialog me qeverinë gjermane

Në gushtin e kaluar në Këshillin Kombëtar janë bashkuar grupe të ndryshme opozitare brenda dhe jashtë Sirisë. Kryetari, Burhan Ghalioun, është profesor në Sorbonne në Paris. Emrat e anëtarëve në Siri mbahen sekret për arsye sigurie. Në dhjetor ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) priti tre përfaqësues të Këshillit Kombëtar Sirian, duke përfshirë edhe Ibrahimin. Interesi ishte i madh, thotë i riu i dobët me syze. Që atëherë ato janë vazhdimisht në bisedë me njëri-tjetrin.

Ibrahim shpreson se qeveria do ta shtojë presionin kundër Assadit: "Gjermania dhe vendet e tjera të BE duhet t'i tërheqin ambasadorët e tyre nga Siria."Qeveria federale iu përgjigj me maturi kësaj kërkese. Figura të tjera të opozitës kanë kërkuar që ambasadori gjerman në Damask të qëndrojë, thuhet në Ministrinë e Jashtme.

Për një zonë sigurie

Sanksionet janë aktualisht mjeti i vetëm i atyre vendeve, që e kritikojnë shtypjen brutale të Assadit. Për politikanin e partisë së Gjelbër në Berlin, Fehrad Ahma, gjithashtu anëtar i Këshillit Kombëtar Sirian, kjo nuk është e mjaftueshme. Ai kritikoi "reagimin e ngadalshëm" të bashkësisë ndërkombëtare.

Vëzhgues të Ligës Arabe në Siri

Vëzhgues të Ligës Arabe në Siri

# b# Ahma është për një zonë sigurie në kufirin me Turqinë, nga ku njërëzit të mund të arratisen për të shpëtuar. Në këtë zonë forca ajrore siriane duhet të ketë ndalimfluturimi. Ahma shpreson te Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Sipas tij është e pashmangshme, që komuniteti ndërkombëtar të paktën të kërcënojë me një ndërhyrje të dhunshme: "Ne nuk do të kemi asnjë zgjidhje tjetër, në qoftë se dhuna brutale kundër popullatës nuk do të ndalet në të ardhmen e afërt."

Ahma raporton se ushtria e lirë siriane po fiton mbështetje në Siri. Ushtria e lirë siriane është një grup i armatosur brenda opozitës, që përbëhet prej dezertorësh, nga ushtarë, që nuk duan të qëllojnë mbi bashkëqytetarët e tyre. Deri tani këto ushtarë kanë mbrojtur sidomos demonstratat dhe procesionet e varrimit, thotë Ahma. Por ai shikon një rrezik që konfrontimi me forcat e armatosura siriane mund të thellohet. "Nuk përjashtohet që ushtria e lirë siriane të bëjë një luftë guerile kundër ushtrisë zyrtare siriane."

I sulmuar në Berlin

Se sa larg mund të mbërrijë krahu i regjimit në Damask, Ahma e ka përjetuar vetë: Ai u sulmua në fund të dhjetorit nga dy burra në banesën e tij në Berlin. Të panjohurit trokitën në derën e tij natën dhe e rrahën me shkopinj. Ende vazhdojnë hetimet, por Ahma dyshon se autorët kanë qenë xhelatët e regjimit të Assadit .

38-vjeçari tregon se familja e tij në Siri në vitet e fundit është vënë në mënyrë të përsëritur nën presion. Ata u kishin thënë të afërmve të tij se aktivitetet e tij në Gjermani, janë "duke u ndjekur nga afër", thotë Ahma, i cili jeton në Gjermani që nga viti 1996. "Këto përpjekje frikësimi do të vazhdojnë, veçanërisht tani, që regjimi e sheh ekzistencën e tij në rrezik."

Autore: Nina Werkhäuser/Angjelina Verbica
Redaktoi: Auron Dodi