1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Opozita në Siri: Beteja për Alepon vendimtare për rebelët

Shtetet arabe duan një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm Ban kërkon t'i jepet fund masakrës. Turqia mbyll kufijtë. Por dhuna dhe luftimet në Siri vazhdojnë pa ndërprerje.

Shtetet arabe do të përpiqen të arrijnë vendosjen e një rezolute për Sirinë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përnmes saj synohet të kërkohet ndërtimi i një qeverie demokratike në Siri, deklaruan përfaqësuesit e Arabisë Saudite dhe të Katarit në Nju-Jork. Sipas tyre Kombet e Bashkuara nuk janë në gjendje që ta trajtojnë në mënyrë efektive krizën siriane. Rusia dhe Kina patën penguar sërish javën e kaluar me veton e tyre një rezolutë për Sirinë në Këshillin e Sigurimit. Në të qeveria në Damask duhet të detyrohej nëpërmjet kërcënimit me sanksione që t'i japë fund dhunës në vend. Në Asamblenë e Përgjithshme nuk ka mundësi vetoje. Megjithatë, rezolutat nuk janë detyruese.

Ban Ki Moon kërkon dhënien fund masakrave

Ndërkaq sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon gjatë një vizite në Bosnje-Hercegovinë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t'i japë fund gjakderdhjes në Siri. Në vendin e përfshirë nga dhuna sulmohen fshatra dhe masakrohen fëmijë tha Ban në një fjalim para parlamentit boshnjak në Sarajevë. E njëjta bashkësi shtetesh e cila "dështoi në shmangien e gjenocidit" gjatë luftës së Bosnjës, gjendet tani përballë një sfide në Siri. Bashkësia ndërkombëtare ka detyrimin të ndalojë shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, tha Ban. Ndërkaq Kombet e Bashkuara bënë të ditur se do të tërheqin gjysmën e 300 vëzhguesve të tyre të paarmatosur nga Siria. Puna megjithatë do të vazhdojë, tha shefi i helmetave të kaltra në Damask, Hervé Ladsous. Javën e shkuar OKB-ja e zgjati me 30 ditë të tjera mandatin e vëzhguesve. Në mënyrë të përsëritur vëzhguesit e OKB-së janë penguar të vizitojnë lokalitete të ndryshme dhe në disa raste kanë qenë edhe vetë në shënjestër të sulmeve. Për arsye sigurie Turqia mbylli pjesërisht kufirin e saj me Sirinë.

Syrien Grenze Türkei

Zona kufitare Siri - Turqi

Beteja e Alepos

Në Damask dhe Alepo ushtria siriane duket se po fiton sërish epërsi ndaj rebelëve. Korrespondentët njoftojnë për beteja të ashpra veçanërisht përreth metropolit ekonomik Alepo. Assad-i ka dërguar dhjetra tanke në qytet, të paktën 2000 ushtarë të qeverisë janë nisur për në Alepo. "Beteja për Alepon do të jetë vendimtare për rebelët", tha Abu Omar al Halabi, një komandant i forcave të armatosura opozitare, Ushtria e Lirë Siriane. Sipas të dhënave të aktivistëve nga e gjithë Siria janë nisur kryengritës për të luftuar për "çlirimin e Alepos".

Diplomatët largohen nga Assad-i

Dy diplomatë të tjerë të lartë sirianë janë larguar nga Assad-i: e ngarkuara për Sirinë në Qipro, Lamia Hariri dhe bashkëshorti i saj Abdel Latif al-Dabbagh, i cili deri tani ka qenë ambasador i Sirisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Rreth dy javë më parë kaloi në anën e opozitës ish-ambasadori sirian në Irak, Navaf Fares.