1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Opozita në Maqedoni: dorëheqjet nuk e shpëtojnë qeverinë

Pas dorëheqjes një ditë më parë të dy ministrave, Parlamenti i Maqedonisë zgjodhi (13.05) me 74 vota pro dhe 4 kundër Mitko Çavkovin ministër i Brendshëm dhe Vllado Misajllovskin ministër i Transportit.

Mazedonien Regierungskrise Rede Premiminister Gruevski im Parlament

Kryeministri Nikolla Gruevski duke folur në parlament

Paraprakisht kryeministri Nikolla Gruevski e pranoi dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe të ministrit të Transportit dhe Komunikacionit Mile Janakieski, si dhe të drejtorit të Drejtorisë për Sigurinë dhe Kundërzbulimin Sasho Mijallkov. Jankulloska, Janakieski dhe Mijallkov kanë dhënë dorëheqje pas akuzave të opozitës dhe publikimit të bisedave të përgjuara telefonike dhe krizës së shkaktuar politike në vend.

Opozita: Gruevskit i ka ardhur fundi

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi ka komentuar dorëheqjet e para të qeverisë, duke u shprehur, se ky nuk është qëllimi i partisë së tij, por ky është vetëm një hap drejt fundit të Nikolla Gruevskit. “Çdo gjë që kemi diskutuar është konfirmuar. Kjo është dëshmi e përgjimit dhe për vërtetësinë e bisedimeve. Dorëheqjet e ministrave nuk janë qëllimi ynë përfundimtar. Ky është vetëm një hap drejt fundit të Nikolla Gruevskit”, thotë Zoran Zaevi, lideri i opozitës maqedonase.

Mendoj se bëhet fjalë për reagim në panik, pasi është më se e qartë se Gruevski nuk ka hapësirë veprimi për të vazhduar qeverisjen me vendin, thotë Tito Petkovski një nga liderët e opozitës. “Është komike të shihet se si urdhërdhënësi i të gjitha aferave tani dorëzon bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë që të ruaj kokën e tij. Nuk kam asnjë dilemë se Nikolla Gruevski një orë e më parë duhet të largohet nëse vërtetë ia do të mirën Maqedonisë“, shprehet Tito Petkovski.

Sa më shpejtë të formohet qeveri kalimtare

Dorëheqja e Jankullovskës, Mijallkovit dhe Janakievskit është vetëm një tentativë e kryeministrit Nikolla Gruevski që të amortizojë presionin e faktorit ndërkombëtar. Ato janë pjesë e rrëzimit të regjimit të Gruevskit edhe pse nuk janë të mjaftueshme. Kështu e vlersojnë situatën politike në vend analisti politik Naser Zyberi dhe profesori Lubomir Fërçkovski. “Me këto dorëheqje, kryeministri mundohet që të amortizojë presionin e mëtutjeshëm edhe të faktorit të brendshëm, por edhe atij ndërkombëtar dhe të mundohet në këtë mënyrë të futet në pazarllëk për t'i shpëtuar situatës. Unë jam thellësisht i bindur se kjo nuk do të jetë e mundur pasi kupola e problemeve është vetë kryeministri”, thotë Naser Zyberi.

“Kurdo që të ndodhnin këto dorëheqje janë pjesë e rrëzimit të regjimit të Gruevskit, ato nuk janë të mjaftueshme por megjithatë janë vetëm fillimi. Ne presim që Gruevski të tërhiqet pa krijuar ndonjë dramë gjatë kësaj periudhe duke pasur parasysh se projekti i tij politik po shkon drejt kolapsit dhe e solli Maqedoninë në një krizë që përfundoi nëse jo me incident ndëretnik me incident, ku u përfshin grupe kriminale ushtarake”, shprehet Lubomir Fërçkovski, profesor universitar.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se kryeministri, Nikolla Gruevski është i pafuqishëm t'i bëjë ballë rezistencës, e cila nga dita në ditë po rritet.

“Presioni do të vazhdoj deri në dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski. Askush nuk dëshiron të punojë me të, presionet janë të fuqishme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Duhet të formohet një qeveri kalimtare nga personalitete të pastra për të mundësuar organizmin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike“, deklaron Mirjana Malevska, profesore në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Analisti Mersel Bilalli, thotë se dorëheqja e dy zyrtarëve është parapërgatitje e Gruevskit për të dorëzuar pushtetin: “Mendoj se kjo është një parapërgatitje për dorëheqjen e përgjithshme të qeverisë, pra kjo është një përgatitje e opinionit për atë që pritet në ditët në vijim, para së gjithash e përgatitje e VMRO-DPMNE-së për atë se qeveria do të shkojë".

Identifikohen 3 nga 14 personat e vrarë

Ndërkohë autopsia e trupave të pjesëtarëve të vrarë të grupit të armatosur në aksionin e Kumanovës ka konfirmuar se mes tyre janë edhe Mirsad Ndrecaj ­ Komandant NATO dhe Begë Rizaj ­ Komandant Begu, të dy nga Kosova, nga personat e vrarë u konfirmua edhe identiteti i Nusret Kaloshit, shtetas i Maqedonisë. Është konfirmuar edhe identiteti i Sami Ukshinit, i njohur si Komandant Sokoli, i cili iu dorëzua policisë dhe tani gjendet në arrest. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Maqedonisë Ivo Kotevski ka informuar se vazhdon procesi i identifikimit edhe të personave tjerë të vrarë.

DW.COM