1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Opozita në Kosovë: ”Jo dialog politik me Serbinë”

Dy udhëheqësit e vendit, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kanë hedhur idenë që në bisedimet e ardhshme me Serbinë të përfshihet i tërë spektri politik kosovar. Opozita ende kundërshton.

Bisedimet teknike në Bruksel

Bisedimet teknike në Bruksel

Në Kosovë po vazhdon debati nëse vendi duhet të hyjë në dialog politik me Serbinë, ku do të diskutohet çështja e veriut të Kosovës dhe cili do të jetë formati i mundshëm i këtij dialogu. Dy udhëheqësit kryesor të vendit, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tashmë hapur kanë hedhur idenë që në bisedimet e ardhshme me Serbinë të përfshihet i tërë spektri politik kosovar dhe jo vetëm qeveria e Kosovës.

Me Serbinë vetëm për normalizimin e marrëdhënieve

Boris Tadiq Hashim Thaçi

Boris Tadiq Hashim Thaçi - përshëndetja e vonuar.

“Në takimet e paralajmëruara të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit do të diskutohet vetëm për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Ndërkohë që sa i përket rolit të opozitës në këto takime, çështjet madhore nuk janë punë vetëm e një partie apo e një qeverie por e gjithë spektrit politik”, ka deklaruar kryeministri Thaçi për mediat lokale.

Në të njetën linjë është shprehur edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai thotë se faktori politik shqiptar në raportet e Kosovës me Serbinë duhet të ketë një unitet mendimi dhe veprimi.

Duhet koalicion më i gjerë

“Për çështjen e bisedimeve duhet një koalicion më i gjerë, do të thotë duhet një pajtueshmëri më e madhe ndërmjet pozitës e opozitës, për të pasur një pozicion më të fortë Kosova në raport me kërkesat politike të vendit dhe ato që vijnë nga institucionet ndërkombëtare”, thotë Krasniqi.

Por partitë politike opozitare tash për tash nuk duan të marrin përgjegjësinë e përfshirjes së tyre së bashku me qeverinë në dialog të nivelit politik me Serbinë.

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, thotë se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të hyjë në bisedime politike me Serbinë.

Opozita jo pjesë e bisedave me Serbinë

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, kanë qenë dhe janë të pa përgatitur përfaqësuesit tanë:  pa agjendë të qartë, pa qëllim se çka dëshirohet nga këto bisedime dhe realisht, çfarë të bisedohet kur e dimë çfarë gjendje kemi në veri të Kosovës dhe e dimë që Serbia po sillet sikur në vitet 90-të”, thotë Beqiri.

Kundër dialogut politik me Serbinë dhe kundër përfshirjes krahas qeverisë në këto biseda të mundshme, shpehen edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ahmet Isufi nga kjo parti, thotë se qeveria e Kosovës duhet të jap fillimisht llogari për dialogun, siç e quan, "të dështuar teknik".

Edita Tahiri fajëson Serbinë dhe BE-në.

Edita Tahiri fajëson Serbinë dhe BE-në.

“Opozita, në këtë rast edhe AAK-ja, nuk kanë asnjë obligim sa i përket bisedimeve me Serbinë, sepse Kosova i ka kryer këto biseda në vitin 1999 dhe nuk ka nevojë që me Serbinë të hyjë në biseda të tilla  - sidomos tani kur në Serbi në pushtet është një njeri dhe një politikë që ka shkaktuar shumë dëme të mëdha në Kosovë”, thotë Ahmet Isufi.

Por sa e dëmton Kosovën kjo mungesë uniteti lidhur me dialogun me Serbinë? Drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore, KIPRED, Ilir Deda, thotë se qeveria e vetme nuk mund t'i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë.

Duhet vetiniciativë dhe jo të pritet presioni ndërkombëtar

“Pjesa më e çuditshme është se pse nuk ka një vetiniciativë nga politika vendore që të ulen e të bisedojnë për rrjedhat e ardhshme politike në Kosovë, por duhet që të gjendemi para presionit ndërkombëtar për një unifikim të tillë. Kjo tregon për një papjekuri politike si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Sa i përket bisedave për veriun e Kosovës, Serbia nuk është adresa me të cilën duhet biseduar për rregullim të brendshëm të Kosovës dhe kjo duhet t'i tregohet faktorit ndërkombëtar qartazi”, thotë Ilir Deda.

Ilir Deda

Ilir Deda

Opozita kosovare dhe analistët e pavarur politik, mendojnë se Kosova nuk duhet të hyjë në bisedime politike me Serbinë, përderisa nuk ka zbatim të plotë të marrëveshjeve që u arritën në dialogun e deritashëm teknik. Kryenegociatorja kosovare në bisedat me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar ditë më parë në një konferencë për media, se fajtore për moszbatimin e plotë të marrëveshjeve është vet Serbia. Por një pjesë të fajit, sipas saj, e ka edhe bashkësia ndërkombëtare që ka qenë garantuese e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik Prishtinë-Beograd.