1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita në Tiranë: Të hetohet dhe kryeministri Berisha për tragjedinë e Gërdecit

Arben Muka / Tiranë8 Prill 2008

Sipas kryetarit të PS-së Edi Rama hetimi ndaj kryeministrit duhet të bëhet pasi ai është paralajmëruar për tragjedinë e Gërdecit para se ajo të ndodhte.

https://p.dw.com/p/DeQ9
Selia e Partisë Socialiste, Tiranë
Selia e Partisë Socialiste, TiranëFotografi: DW

Mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste u zhvillua ditën e martë në qytetin e Vorës, pak kilometra larg vendit ku ndodhi tragjedia e 15 marsit në fshatin Gërdec, ku humbën jetën 24 persona, ndërkohë që mbetën të plagosur rreth 400 të tjerë. Një çështje që ka diskutuar Asambleja ishte dhe çështja Gërdeci, ku kryetari i PS kërkoi nga prokuroria që të përfshihej në hetime dhe kryeministri Sali Berisha. Sipas Ramës, vetëm një ditë më parë ishte publikuar një dokument, sipas të cilit kryeministri kishte marrë paralajmërime për tragjedinë para se ajo të ndodhte dhe për këtë ai duhej të përfshihej në hetime për të shpjeguar pozicionin e tij. Rama e përshkroi Berishën si „kryeshkaktarin e asaj ngjarje të rëndë".

Të martën një gjykatës i Apelit në Tiranë ka shqyrtuar kërkesën e njërit prej të arrestuarve kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, drejtorit të kompanisë shtetërore të tregëtisë së armëve, Ylli Pinari. Avokatët e Pinarit argumentuan se klienti i tyre duhej të ndiqej në gjëndje të lirë pasi nuk përbënte ndonjë rrezik për tu larguar jashtë vendit, apo të kryente ndonje vepër tjetër penale. Por gjykatësi pasi ka dëgjuar dhe arësyetimin e prokurorit të cështjes vendosi që Ylli Pinari të vazhdojë të qëndrojë në burg, deri sa ndaj tij të kishte një vendim të formës së prerë nga gjykata.