1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kirgistan Lage

Lindita Arapi8 Prill 2010

Pas trazirave të përgjakshme të mërkurën në Kirgizinë e varfër opozita ka marrë pushtetin. Qeveria dhe presidenti Bakijev janë larguar ndërkohë nga kryeqyteti. Protestuesit kanë akuzuar Bakijevin për korrupsion.

https://p.dw.com/p/Mpvq
Trazira në KirgiziFotografi: DW

Presidenti i Kirgizisë Bakijev është larguar nga kryeqyteti i vendit, Bishkek. Nuk dihet ende vendndodhja e tij, ka vetëm spekulime. Disa njoftime thonë se ai ndodhet në jug të vendit, ku ka mjaft përkrahës. Ditën e enjte në mëngjes kanë vazhduar protestat në qytetin Osh, edhe këto protesta anti-Bakijev.

Opozita merr pushtetin në Kirgizi

Opozita ndërkohë thotë se ka marrë pushtetin. Ish-ministrja e jashtme dhe udhëheqësja e opozitës, Rosa Otunbajeva deklaroi veten si kryetarja e qeverisë së re. Ditën e enjte, ajo do t'i drejtohet parlamentit në Bishkek me një fjalim. Ish-ministrja e Jashtme Rosa Otunbajeva udhëheq qeverinë e përkohshme. Pritet që shumë shpejt të ketë zgjedhje parlamentare tha Otunbajeva e cila theksoi se tanimë duhet të riftitohet besimi:

Parlament in Bishkek Bischkek Kirgistan
Parlamenti në BishkekFotografi: picture-alliance / Bildagentur-online/McPhoto-Str

"Situata në vend nuk është e lehtë, qeveria e vjetër ka dorëzuar pushtetin me dëshirën e saj. Është e paqartë ku ndodhet presidenti. Qeveria e përkohshme do të fillojë nga puna. I bëjmë thirrje ushtrisë të heqë dorë nga përdorimi i dhunës, po ashtu i bëjmë thirrje popullsisë të heqë dorë nga vandalizmat."

Një natë me flakë dhe vjedhje

Nuk mund të bëhet fjalë për një qetësim të situatës në kryeqytetin Bishkek. Korrespondenti i ARD-së, Frank Aischmann, aktualisht raporton për një qetësi të rreme. "Natën dëgjoheshin herë pas herë të shtëna, ka pasur edhe shpërthime. Ka pasur vjedhje dhe janë parë flakë. Prokuroria e përgjithshmë është djegur për gjatë gjithë natës. Në orët e mëngjesit duket se është kthyer qetësia, nëse mund të quhet kështu, ka pasur trafik të zakonshëm në orarin kur njerëzit shkojnë në punë. Si do të zhvillohet më tej situata është tërësisht e paqartë."

Tumulte Unruhen gewaltsame Proteste Krawalle in Bischkek Kirgistan
Protestat kanë vazhduar të enjten në mëngjes në OshFotografi: DW

Operacione 24 orë në spitale

Ushtria që të mërkurën përdori dhunën kundër demonstruesve ndërkohë është tërhequr, por se kur do të vendoset plotësisht rendi nuk mund të parashikohet. "Si edhe më parë nuk ia kam dalë të shoh asnjë polic këtu në qendër, gjë që shpjegohet me atë që janë rrahur shumë vetë, ka pasur shumë viktima dhe policia qëlloi mbi demonsruesit." thotë Aishman.

Në përleshjet e ashpra mes policisë dhe demonstruesve ditën e mërkurë flitet për rreth 65 të vdekur. Mbi 500 vetë janë plagosur opozita ka bërë fjalë për numër më të madh viktimash. Spitalet në Kirgizi janë të mbingarkuara, mjekët operojnë gjatë gjithë kohës. Personeli shëndetësor është i mbingarkuar. Një mjek thotë: "Nuk ia dalim dot, na vjen keq, ka një numër të madh të vdekurish dhe të plagosurish."

Autor: Stefan Lack/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani