1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Opozita e Venezuelës flet për grusht shteti me këste

Pas kritikave të ashpra ndërkombëtare dhe nacionale, shfuqizimi i Parlamentit në Venezuelë u anulua. Por opozita sheh në këtë hap vetëm një "korrigjim kozmetik".

Parlamentit të Venezuelës të dominuar nga opozita do t'i kthehen kompetencat që kishte. Megjithatë, kohët e fundit Presidenti Nicolas Maduro ka qeverisur gjithsesi me dekrete - ndërsa Gjykata e Lartë i ka anuluar shumë vendime të Parlamentit. Prandaj opozita sheh në tërheqjen e vendimit për ta shfuqizuar Parlamentin vetëm një korrigjim kozmetik, për ta maskuar një "grusht shteti" me këste. "Vendimi qe vetëm një pikë kulmore i një grushti shteti, i cili po vazhdon prej muajsh dhe vitesh në Venezuelë", tha Presidenti i Parlamentit Julio Borges në një demonstratë në Caracas. Mijëra vetë kërkuan fundin e presidencës së Maduros dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Forcat e sigurisë e shpërdanë më tej me gaz lotsjellës turmën e njerëzve.

OJF kërkuan dorëheqjen e Gjykatësve më të Lartë

Procedura e pazakonshme e tërheqjes së vendimit flet edhe për çarje në aparatin e pushtetit të socialistëve, në pushtet prej vitit 1999. Opozita me drejtim të djathtë pati denoncuar se vendimet e Gjykatës së Lartë për ta shfuqizuar Parlamentin do të hapin rrugën në drejtim të diktaturës. Një bashkim prej 51 organizatash jofitimprurëse u ka kërkuar ndërkohë gjykatësve që të japin dorëheqjen. Gjykata ka shkelur rëndë kushtetutën, thanë ata. Nënshkruesit kërkuan heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila i mundëson Presidentit Maduro që të qeverisë me dekrete të posaçme, pa e pyetur Parlamentin.

Protesta kundër mungesës së mallrave

Vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë ka përfunduar nën Maduron në një krizë dramatike furnizimi. Inflacioni është më i larti në botë. Maduro bën përgjegjës për mungesën e ushqimeve, bukës dhe medikamenteve "luftën tregtare" të botës së jashtme. Edhe për çmimin e ulët të naftës përgjegjësinë sipas tij e mban bota e jashtme. Së fundi ai madje u kërkoi Kombeve të Bashkuara që ta furnizojnë me medikamente. Për shkak të zhvlerësimit të monedhës vendase Bolivar, importet e konvertuara në dollarë dhe në euro janë bërë të papagueshme. Në lidhje me vështirësitë e furnizimit ka pasur disa herë trazira të rënda dhe plaçkitje. Në protesta u vranë shumë njerëz.

Opozita i pati fituar zgjedhjet parlamentare në dhjetor 2015 me një shumicë prej dy të tretat e votave. Që atëherë, Maduro qeveris me dekrete urgjente. Gjendja e jashtëzakonshme, e cila i jep Maduros kompetenca të veçanta, u vendos në vitin 2016. Mandati i Maduros si President përfundon në dhjetor 2018.

Bashkimi ekonomik amerikanojugor Mercosur, i cili e suspendoi që në dhjetor përkohësisht anëtarësinë e Venezuelës, dënoi në një mbledhje urgjente të ministrave të Jashtëm të Brazilit, Argjentinës, Paraguajit dhe Uruguajit "thyerjen e rendit demokratik". Ai kërkoi respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve dhe një plan veprimi për zgjedhjet. Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) do të diskutojë të hënën për gjendjen në Venezuelë.