1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Opinion: Premtimet e dyshimta të Phenianit

Moratoriumi i Koresë së Veriut për armët bërthamore është në dukje një sukses për diplomacinë amerikane. Megjithatë, ai duhet shijuar me skepticizëm mendon Daniel Scheschkewitz

Reaktori Yongbyon

Reaktori Yongbyon

Korea e Veriut ka punuar më shumë se 20 vjet për zhvillimin e armës atomike. Gjatë gjithë kësaj kohe regjimi autoritar i ka dhënë premtime komunitetit ndërkombëtar, të cilat i ka shkelur pak më vonë, për të bërë shantazh me forcën atomike të mbajtur në fshehtësi.

Premtimet e thyera të Phenianit

Le të kujtojmë: Në tetor 1994, Pheniani lidhi marrëveshjen e parë me SHBA, e cila e detyronte Korenë e Veriut të ndalonte programin atomik. Dhjetë vjet më vonë, Korea e Veriut doli në mënyrë demostrative nga pakti për bllokimin e armëve atomike. Në vitin 2005, regjimi i Phenianit premtoi sërish, kësaj here në bisedime me gjashtë palë ndërkombëtare, që të hiqte dorë nga programi atomik. Edhe kësaj here komuniteti ndërkombëtar ofroi stimuj ekonomikë. Vetëm një vit më vonë, më 2006, Pheniani e shokoi botën me provën e parë atomike, një e dytë pasoi në vitin 2009.

Regjimi i Koresë së Veriut zbuloi njëkohësisht programin e vet për pasurimin e uraniumit. Pak më parë, ishin dëbuar nga vendi inspektorët e Zyrës Ndërkomnëtare për kontrollin e energjisë atomike (IAEA). Korea e Veriut u fut përfundimisht në klubin eksluziv të fuqive atomike. Por ajo që e bënte gjendjen edhe më të keqe ishte se regjimi koreano-verior mendohet t`i ketë vënë në dispozicion Iranit njohuritë teknike për pasurimin e uranit. Që nga ajo kohë, rrethi vicioz i përhapjes së teknikës bërthamore e mban shumë të tendosur politikën e sigurimit të komunitetit ndërkombëtar. Kjo dhe jo numri i armëve atomike e bëjnë kaq të rrezikshme Korenë e Veriut.

Kim Jong-un, pushtetmbajtësi i ri i Koresë së Veriut

Kim Jong-un, pushtetmbajtësi i ri i Koresë së Veriut

Ushqime kundrejt armëve atomike

Me bërjen të ditur të moratoriumit të provës atomike, pasurimit të uraniumit dhe provës së raketave me rreze të gjatë veprimi, që arrijnë deri në SHBA, rreziku nuk është larguar. Përkundrazi, regjimi i Koresë së Veriut e ka kuptuar sa i ndjeshëm ndaj shantazheve është komuniteti ndërkombëtar në çështjet atomike. Koncensionet, për të cilat tregohet gatishmëri bëhen vetëm sepse prej vitesh Korea e Veriut ndodhet në prag të një katastrofe urie dhe është e varur nga komuniteti ndërkombëtar për të marrë ndihma në ushqime. Prodhimi industrial ka rënë që prej vitit 1990 në gati 50 përqind. Sipas vlerësimeve të OKB-së, një milion vetë janë të kërcënuar nga uria. Për regjimin ky problem është çështje mbijetese.

Pas vdekjes së Kim Jong Ir më 2011 Korea e Veriut qeveriset nga i biri Kim Jong Un. Është spekullim të thuash se kalimi i pushtetit në dinastinë familjare po shoqërohet tani nga një ndryshim kursi në politikën atomike. Në ceremoninë mortore për Kim Jong Ir tema e programit atomik nuk u përmend fare, ndërkohë që u fol për mangësinë e produkteve ushqimore. Me sa duket kjo është pika e vetme, e cila e bën regjimin koreano-verior që të arrijë në marrëveshje për çështjet atomike. Kësaj i shtohet edhe fakti që SHBA, kanë plotësuar një dëshirë të Koresë së Veriut, duke zhvilluar bisedime bilaterale dhe jo multilaterale.

Premtime për të testuar elasticitetin

Komuniteti ndërkombëtar duhet të verë tani në provë seriozitetin e ofertës koreano-veriore. Inspektorët e IAEA-së duhet të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur në Korenë e Veriut dhe të kontrollojnë me sy kritik reaktorin Yongbyon. E drejta e vizitës së këtij impianti në të cilin Korea e Veriut teston uraniumin, duhet të zbatohet në parim dhe nuk duhet të revokohet. Kontrollet duhet të bëhen pa u njoftuar. Ky do të ishte i vetmi kusht, që mund të diskutohet që prej ndërprerjes së bisedimeve gjashtëpalëshe, në vitin 2009 për rifutjen e Koresë së Veriut në paktin për ndalimin e armëve atomike. Vetëm pastaj mund të arrihet kthesa. Në konfliktin atomik me Korenë e Veriut puna është si me kutinë e Pandorës. Kur e keqja është krijuar në botë, është e vështirë ta bësh zap.

Autor: Daniel Scheschkewitz
Redaktoi: Aida Cama/ Auron Dodi