1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Opinion: Banka Qendrore Evropiane kthehet në byronë politike të Evropës

A po e kalon apo jo ECB-ja mandatin e saj me blerjen e obligacioneve? Sidoqoftë ky është një kapërcyell kohor në Evropë, sepse në të ardhmen rojtarët e monedhës bëjnë edhe politikë.

Kë të telefonoj kur dua të flas me Evropën? Ka qenë ish-Ministri i Jashtëm amerikan Henry Kissinger ai që e ka bërë dikur këtë pyetje. Sot atij i duhet përgjigjur: Në Frankfurt, te Banka Qendrore Evropiane [EZB], pasi atje (prej së enjtes është e qartë) bëhet politikë evropiane. Dhe jo në Bruksel.

Me vendimin e saj për të blerë në sasi të pakufizuar obligacione shtetërore të vendeve të eurozonës në krizë, ECB-ja hoqi dorë nga parimi i saj i deritanishëm sipas të cilit ajo është e detyruar vetëm ndaj stabilitetit të çmimeve. Kjo gjë mori fund. Ruajtësit e monedhës po e prishin këtë traditë, dhe ata po shkelin të drejtën ekzistuese. Banka kthehet në financier të shtetit.

Vetëm përfaqësuesi gjerman në këshillin e ECB-së, shefi i Bankës Qendrore Gjermane Jens Weidmann, votoi kundër vendimit. Madje edhe vende të cilat deri tani kishin qenë në anën e tij (Finlanda, Luksemburgu dhe Holanda) në fund refuzuan t'i shkonin pas gjermanit. Më keq akoma: Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e pati mbështetur gjithmonë Weidmann-in, i dëshmon tani me shkrim ECB-së se po vepron në kuadër të mandatit të saj.

Si mund të pretendojë tani e tutje ECB-ja se është banka emetuese më e pavarur në botë? Sepse pikërisht këtë detyrë ka ajo sipas statuteve të veta dhe sipas kushtetutës së BE-së. Mirëpo ajo nuk është kurrsesi më në gjendje të jetë e tillë, sepse vendimi i së enjtes parashikon ndër të tjera që blerja e obligacioneve shtetërore të kryhet vetëm pasi vendi përkatës të jetë futur nën ombrellën e shpëtimit. Kësisoj banka emetuese bën politikë.

Dhe çfarë ju lutem është më e mirë te programi i ri sesa te programi i parë i këtij lloji? Që dy vitet e para ECB-ja u ka blerë çertifikata borxhi fëmijëve të vet të vështirë. Vërtet me një kuadër financiar, por e shoqëruar edhe prej shpresës se tani e tutje politikanët në shtetet e krizës do të nisnin zbatimin e reformave të domosdoshme. Kjo gjë u bë vetëm me gjysmë zemre. Megjithatë Spanjës dhe Italisë iu desh të ofronin norma interesi rekord për huatë e reja. Mirëpo, normat tepër të larta të interesave të tregut për obligacione shtetërore nuk janë gjë tjetër veçse fatura për detyra shtëpie të pakryera.

Pra, kur ECB-ja ndërhyn kaq masivisht në tregun e obligacioneve shtetërore, sepse siç thotë shefi i bankës emetuese Draghi tregu është i çrregulluar, atëherë kjo mund të shkaktojë për kohë të shkurtër një shtensionim, mirëpo në plan afatgjatë kjo barrë gjigante do ta dëmtojë Evropën.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Henrik Böhme.

Komenton redaktori i Deutsche Welle-s, Henrik Böhme.

Në thelb tani nuk ka rëndësi se si gjykon Gjykata Kushtetuese mbi ombrellën e shpëtimit ESM të mërkurën e ardhshme; nëse ky mekanizëm është apo jo në përputhje me ligjin themeltar gjerman. Edhe sikur gjykata të thotë jo, ajo nuk do ta ndalojë ECB-në që ta zbatojë programin e saj të obligacioneve.

Kancelarja gjermane Merkel do t'i jetë mirënjohëse Draghi-t. Ajo nuk ka pse e pyet më parlamentin kur të duhet të zgjerohet edhe më shumë ombrella e shpëtimit. Sepse vendos (shumë e saktë): Banka Qendrore Evropiane. Ajo e ka ndezur makinën e prerjes së monedhave, dhe vetëm Mario Draghi e di se ku është leva e fikjes.