1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogave, policia e Kosovës dhe EULEX-i raportojnë për qindra arrestime për posedim, kultivim dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Slogani i fushatës kundër drogave Mos mbyll sytë.

Slogani i fushatës kundër drogave "Mos mbyll sytë".

Si kudo në botë, edhe në Kosovë krimi i drogës i kalon kufijtë e shtetit. Mirëpo, marrëveshjet e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit me shtetet e rajonit dhe të Evropës si dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacioneve, ndihmon dukshëm në luftimin e krimit në nivel ndërkombëtar.

“Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar, ne kemi arrestuar mbi 20 persona. Para një muaji me operacionin “Harku” në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë dhe në disa qytete të Kosovës konfiskuam 47 kg droge të llojit mariuana dhe u bënë 16 arrestime. Pastaj, operacionet e fundit ku konfiskuam 10.5 kilogram droge: operacioni “Gardhi” në vendkalimin Merdare ku u arrestuan 2 shtetas kosovarë me shtetësinë e dytë slloven, ku kemi pas bashkëpunim me autoritetet e Sllovenisë si dhe operacioni “Trekëndëshi” në Rajonin e Pejës, ku u arrestuan 6 persona 4 shtetas të Shqipërise dhe 2 të Republikës së Kosovës”, -thotë kapiten Bahri Shala, drejtor i Drejtorisë Kundër Drogave. Suksesin e policisë së Kosovës ai ua dedikon sa bashkëpunim të qytetarëve aq edhe bashkëpunimit me policinë e EULEX-it.

Kapiten Bahri Shala, drejtor i Drejtorisë Kundër Drogave.

Kapiten Bahri Shala, drejtor i Drejtorisë Kundër Drogave.

„Suksesi i punës sonë është rritur si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët. Ndërsa, kolegët e EULEX-it na furnizojnë me informata nga vendet të cilat nuk e kanë njohur shtetin tonë apo me të cilat nuk kemi marrëveshje bashkëpunimi dhe në përgjithësi kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm”, thotë kapiten Shala.

Grupet kriminale hetohen për kohë të gjatë

„Ata po e fshehin drogën diku jashtë shtëpisë. Nuk po e mbajnë në shpi, apo?“

„Jo, ata sasi droge mbajnë n´shpi veç n´momentin kur ta kthejnë në pluhur. Atë ditë ata mbyllen brenda me familje dhe derisa ta përzinë e ta paketojnë, nuk pranojnë vizita as telefonata për 24 orë. Pastaj, e largojnë nga shpia menjëherë. Për tash dërgoma një kamera që ta kemi për herë tjetër“.

Kjo bisedë telefonike e kapiten Shalës me forcat në terren është vetëm një sekuencë e aksioneve të policisë së Kosovës, të cilët nga terreni njoftojnë bazën për hetimin e grupeve kriminale që merren me kultivimin, paketimin dhe shpërndarjen e narkotikëve. Si rezultat, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti policia e Kosovës raporton për 64 aksione të cilat rezultojnë me qindra arrestime.

Qindra arrestime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar

Kapiten Bahri Shala është në krye të Drejtorisë kundër Drogave në Policinë e Kosovës:

“Deri në qershor, gjithsej janë 196 persona të arrestuar, prej tyre 187 shqiptar, 4 serb dhe 5 të kombësive tjera. Brenda këtij gjashtëmujori, janë konfiskuar 33 kilogram drogë të llojit heroinë, 87 kilogram mariuana, dy kilogramë e gjysmë kokaine, 139 bimë kanabis, 691 tableta extasy si dhe 3 kilogram droga të tjera”.

Por krahas aksioneve të suksesshme, qytetarët mendojnë se format e parandalimit lënë për të dëshëruar.

„Unë e di se tradicionalisht në Kosovë kurrë nuk është përdor droga as në hapësirat e saj nuk është kultivuar as nuk është trafikuar. Por kjo po ndodh tani! Prandaj, kërkohet një angazhim i shtuar i institucioneve të Kosovës, i prindërve dhe i vetë qytetarëve, në veçanti i të rinjve, që me fushata të ndryshme të informohen për pasojat e drogës„- thotë një qytetar.

Fushata e EULEX-it „Mos i mbyll sytë“ senzibilizon opinionin

Këtë qe gati dy muaj po e bën Misioni Evropian për Polici dhe Gjyqësi në Kosovë (EULEX), i cili para dy muajve ka lansuar një fushatë kundër drogës. Fushata me slloganin “Mos i mbyll sytë” ka për qëllim thyerjen e tabusë për drogën në shoqërinë kosovare dhe është thirrje për t'u raportuar krimet që ndërlidhen me drogën, thotë Anne Blancsma, zëdhënës i misionit „EULEX“, në Kosovë:

Zëdhënësi i EULEX-it Anne Blancsma.

Zëdhënësi i EULEX-it Anne Blancsma.

„Krahas prezencës në media, ne udhëtojmë me autobus nëpër qendra të Kosovës dhe policia e Kosovës me atë të EULEX-it flasin me njerëzit lidhur me problemet e drogës. Dhe reagimet e deritanishme ishin mjaft pozitive”, thotë z.Blancsma, sipas të cilit fushata anti-drogë është më e fokusuar në veriun e Kosovës dhe ngaqë policia e Kosovës nuk është e pranuar në këtë pjesë ky është një rast i mirë për t'u prezantuar. Ky është një rast i mirë edhe për EULEX-in, thotë z.Blancsma.

EULEX si mision i policisë dhe gjyqësisë shpeshherë për njerëzit mbetet shumë abstrakt. Mirëpo, rendi dhe ligji po ashtu heqin kriminelët nga rruga dhe përkujdesen që fëmijët tuaj të mos përdorin drogë. Në këtë nuk ka asgjë politike. Dhe, meqënse në veri aksionet e EULEX-it shpeshherë shikohen si aksione politike, nëpërmjet kësaj fushate ne duam t'u bëjmë me dije qytetarëve se në të vërtet ne po bëjmë diçka cqë ua bën jetën më të bukur“, thotë Blancsma.

Në kuadër të Drejtorisë Kundër Drogave veprojnë edhe policë të EULEKS-it

„Ndërsa, kur është fjala te trajtimi i rasteve të tilla, Policia e Kosovës është mjaft profesionale. EULEX po ashtu ka njerëz që punojnë brenda Policisë së Kosovës, duke udhëzuar, këshilluar dhe monitoruar punën e tyre për të sjellë sundimin e ligjit në shoqërinë e Kosovës. Katër operacionet e suksesshme policore dhe të përgatitura mirë u bënë nga Drejtoria Kundër Drogave e Policisë së Kosovës, brenda së cilës kemi edhe policët e EULEX-it“, thotë z.Blancsma.

Sipas Polisisë së Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, janë 196 persona të arrestuar dhe qindra kilogramë droga të konfiskuara. Përdorimi është më evident nëpër qendra të mëdha. Nëpër fshatra të braktisura dhe zona të izoluara kultivohet lloji i drogës Kanabis, e cila krahasuar me rreth 30 mijë bimë në vitet e kaluara, sivjet numri i bimëve në fushat tashmë të evidentuara nuk kalon shifrën 5 mijë. Mirëpo, edhe pse Kosova e ka Strategjinë Kombëtare Kundër Drogave dhe që nga miratimi i saj me 2009, rezultatet në luftimin e kësaj dukurie janë të dukshme në raporte të ndryshme ndërkombëtare Kosova edhe më tej figuron si stacion dhe vend tranzit i substancave narkotike.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: E. Xhani