1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ombudsmanët e Mesdheut njihen me gjendjen e refugjatëve

Igli Totozani për DW: Shqipëria duhet të jetë e hapur, mikpritëse dhe solidare me refugjatët. Njohja me situatën e refugjatëve në pikat kufitare ishte misioni i ekipit të Ombudsmanëve të Mesdheut.

DW: Z. Totozani, në funksionin e e Presidentit të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, (AOM) sapo keni përfunduar një mision fakt-mbledhës dhe monitorues, në pikat tranzite të kalimit të refugjatëve, që vijnë nga vendet me konflikt në territorin e vendeve të Mesdheut dhe synojnë Europën Perëndimore. Si paraqitet situata në këto pika?

Igli Totozani: Së bashku me homologen nga Spanja, Avokaten e Popullit, znj.Becerril, Nënkryetare e Shoqatës, Avokatin e Popullit nga Franca, Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës, zhvilluam një mision fakt-mbledhës për të monitoruar në terren dhe për të vlerësuar respektimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të refugjatëve dhe të drejtave të migrantëve, sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare, vizitën e organizuar nga Ombudsman-i i FYROM, z. Ixhet Mehmeti. Ne vizituam qendrën tranzitore në Tabanovc, e cila ndodhet në kufirin midis FYROM dhe Serbisë. Situata në Tabanovc mbetet shumë e vështirë dhe me sfida komplekse. Gjatë vizitës në kamp konstatuam se prej disa orësh po qëndronin një numër i madh qytetarësh afganë, rreth 617 persona, të ardhur nga kufiri me Greqinë. Ata prisnin të kalonin kufirin me Serbinë për të ndjekur më pas rrugën për në vendet e Europës Perëndimore. Ishin kryesisht familjarë, fëmijë, gra dhe të moshuar. Sipas një rregulli të përcaktuar, ata trajtoheshin përkohësisht në këtë kamp tranziti nga UNHCR, IOM, organizata të shoqërisë civile kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe struktura shtetërore. Natyrisht, menaxhimi i kësaj situate ishte tepër i vështirë. Nga kufiri me Greqinë pritej një tren tjetër me rreth 500 migrantë, gjithashtu një numër jo i vogël personash po ktheheshin nga territori serb. Dhe sikurse na u konfirmua, ata ishin të parregjistruar. Kjo situatë lëvizjesh ishte pothuajse e përditshme dhe kërkonte një angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë vendas dhe ndërkombëtarë. Është për t'u vlerësuar puna e autoriteteve në kamp, e partnerëve ndërkombëtarë dhe Ombudsmanit të FYROM, kolegut tonë z.Mehmeti, që megjithë vështirësitë që paraqiste situata përpiqeshin ta menaxhonin dhe monitoronin në vazhdimësi. Në atë moment, kufiri ishte i bllokuar çka e bënte edhe më shqetësuese situatën në kamp.

DW: Z. Totozani, a keni shifra për numrin e refugjatëve që kanë kaluar nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të shkuar në Europën Perëndimore?

Igli Totozani: Nuk kemi shifra të plota, por në Tabanovc, na konfirmuan se vetëm në gjashtë muajt e fundit aty kishin kaluar transit rreth 700 mijë migrantë. Mund t'ju them se çështja e shifrave është një sfidë më vete, duke patur parasysh që një numër i madh personash kalonin kufijtë e vendeve të Ballkanit në zona të pakontrolluara.

DW: A ka një koordinim efikas mes aktorëve lokalë, europianë dhe ndërkombëtarë për të përballuar nevojat e refugjatëve? A respektohen të drejtat e refugjatëve të luftës?

Igli Totozani: Pavarësisht vështirësive të shumta, gjatë vizitës në kamp konstatuam që kishte koordinim mes aktorëve të sipër përmendur. Për sa i përket të drejtave të refugjatëve të luftës vetëm një numër minimal personash kishin kërkuar azil politik në FYROM. Duhet të kemi parasysh që respektimi i të drejtave të njeriut nuk parashtrohet vetëm për refugjatët e luftës, por për të gjithë kategoritë e tjera, që janë larguar nga vendet e tyre, për arësye nga më të ndryshmet. Madje, këta të fundit janë numerikisht më shumë. Përpara se ti përgjigjem pyetjes tuaj, është rasti të përmendim disa parime të rëndësishme: atë të mosdiskriminimit sipas kombësisë në aksesin e procedurave të azilit (çdo person, që prezantohet në kufijtë e një shteti, duhet të ketë akses në procedurat e azilit dhe vlerësimi duhet bërë në mënyrë individuale, nëse ekzistojnë kushtet për të garantuar azilin ose ndonjë formë tjetër të mbrojtjes ndërkombëtare); të ndalimit të dëbimeve kolektive të të gjithë personave me kombësi të ndryshme nga ajo e vendit mikpritës; të barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut të azilkërkuesve dhe migrantëve, në mënyrë të veçantë për grupet vulnerabël, si persona me aftësi të kufizuar, persona LGBT, gra, fëmijë, persona të moshës së tretë. A mund të jemi të kënaqur me zbatimin në terren të këtyre parimeve? Mund të them se ka përpjekje por ka akoma shumë e shumë për të bërë.

DW: Autoritetet e Tiranës kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që refugjatët nga Siria të hyjnë në Shqipëri. Tanimë edhe njësi të trupave speciale të policisë po ruajnë kufirin me Greqinë . A duhet që Shqipëria të hapë kufijtë e saj për refugjatët sirianë sidomos tani që Maqedonia bllokoi kufirin e saj me Greqinë, per t'u mundesuar kalimin tranzit drejt Europes Perendimore? A mund ta përballojë këtë Shqipëria?

Igli Totozani: Do të dëshiroja të evokoja këtu deklaratën e fundit të Komisionerit të Lartë të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, në lidhje me respektimin e të drejtave të refugjatëve dhe migrantëve që çdo masë sigurie e ndërrmarë nga autoritetet policore duhet të jetë në përputhje me të drejtën europiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë konventat e 1951 të të drejtave të refugjatëve dhe protokolli i saj i 1967 etj. Secili parim i përmendur më sipër vlen absolutisht edhe për Shqipërinë, një vend demokratik që ka nënshkruar dhe ratifikuar aktet dhe konventat europiane dhe ndërkombëtare pra dhe ka aderuar në parimet e të drejtave të njeriut, të refugjatëve dhe migrantëve. Në këto kushte, si ombudsman i Shqipërisë,p ara disa ditësh unë i kam drejtuar një apel Qeverisë Shqiptare duke rekomanduar midis të tjerave përgatitjen dhe marrjen e të gjitha masave për respektimin dhe garantimin, sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, të Drejtave të Refugjatëve dhe të Drejtave të Migrantëve, për të gjithë ata persona që do të kërkojnë ndihmën e Shqipërisëe në mënyrë të veçantë për kategoritë e riskuara si, Personat me Aftësi të Kufizuar, LGBT, gratë, fëmijët dhe moshuarit. Në një situatë fluksi migrator përmes territorit shqiptar, strukturat e policisë, gjithashtu, duhet të pengojnë dhe godasin çdo tentativë për trafikim të qenieve njerëzore.Gjithashtu, kam rekomanduar qeverisë Rama të shtojë përpjekjet e saj informuese dhe promovuese për të mos lejuar shfaqjen e stereotipeve, tabuve, akteve diskriminuese, raciste e ksenofobe përballë këtyre flukseve migratore. Për sa i përket mundësive që ka Shqipëria për ta përballuar, mendoj se një situatë e tillë e jashtëzakonshme është e vështirë për çdo vend, aq më tepër për një vend me mundësi tepër të kufizuara si Shqipëria. Situata të tilla kërkojnë bashkëpunim dhe mbështetje ndaj shteteve, që duhet të përballen me këtë zhvendosje masive të popullsisë. Në këtë kuptim Shqipëria, sikurse dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për ndihmë. Por pavarësisht nga kjo, Shqipëria duhet të jetë e hapur, mikpritëse dhe solidare ndaj çdo njeriu që kërkon ndihmën e saj. Dhe ne si institucion do të monitorojmë, hap pas hapi, mikpritjen e institucioneve shqiptare.

DW: A keni informacion për ngritjen e kampeve në Gjirokastër dhe Korçë, në këto dy qytete kufitare me Greqinë, për akomodimin e refugjatëve sirianë?

Igli Totozani: Në këtë fazë nuk kemi informacion të hollësishëm për kampe të ngritura tashmë në këto zona. Me herët, kemi inspektuar pikat e kalimit në këto zona si edhe mjediset për të cilat kishim informacion se do të ngriheshin kampe, por me sa dime deri tani asgjë nuk është bërë konkretisht për pritjen e një fluksi të madh që mund të shfaqet, pra nuk ka kampe dhe është e qartë se përgatitjet e deritanishme janë të pamjaftueshme.

DW: A do t'ia dalë mbanë Organizata Ndërkombëtare e Avokatëve të Popullit të Mesdheut, të ketë një qëndrim të përbashkët për çështjen e refugjatëve? Nëse po, cili do të jetë ai?

Igli Totozani: Kjo situatë ka bërë që çështja e flukseve migratore të shndërrohet në një nga prioritetet e AOM-së dhe për këtë aktivitetet kanë ardhur duke u rritur. Ndjeshmëria ndaj kësaj cështjeje tek kolegët tanë është shumë e madhe dhe është rasti të vlerësoj vecanërisht, punën e bërë nga Ombudsmani i Francës, Spanjës, Jordanisë, i Greqisë, Maqedonisë, Serbisë, Sllovenisë etj. Flukset migratore në Europë, duke mos neglizhuar në asnjë rast këndvështrimin nga pikëpamja e sigurisë janë në rradhë të parë një cështje e të drejtave të njeriut dhe si e tillë kjo ka bërë që momenti historik që po jetojmë, të thërrasë në skenë një rol të rëndësishëm të Ombudsmanëve dhe të organizimeve ndërkombëtare të tyre. Dhe, Ombudsmanët po e luajnë më së miri këtë rol, duke u shndërruar në partnerë jetikë për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Të mos harrojmë se AOM është një organizatë, anëtarët e së cilës janë gjithashtu vende origjine, tranziti dhe destinacioni, çka i jep asaj një rol dhe zë unik në trajtimin e kësaj situate të jashtëzakonshme në Europë. Në këto kushte, duke patur si bosht të përbashkët të punës dhe misionit tonë njeriun, dinjitetin dhe të drejtat e tij, qëndrimi ynë i përbashkët ndaj kësaj situate nuk ka pse të përbëjë një sfidë.