1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Oliver Ivanoviqi (nuk) është kriminel lufte

Arrestimi i Oliver Ivanoviqt dhe akuzat për krime lufte kanë befasuar shumë persona në Kosovë dhe jashtë saj. Por jo edhe ata të cilët kanë bërë hulumtime të krimeve të bëra në Kosovë në vitin 1999 dhe 2000.

Oliver Ivanoviq ëshë arrestuar me 27 janar, nën akuzat për krime lufte kundër shqiptarëve në vitin 1999 dhe në vitin 2000. Arrestimi i tij i ka befasuar dhe ka zhgënjyer shumë njerëz, të cilët e kanë parë Ivanoviqin si një politikan të matur dhe si bartës të shpresave për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve. Por autoritetet e Eulex-it vendosën më 27 shkurt që t'ia vazhdojnë masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, me shpjegimin se ekziston rreziku i ikjes nga drejtësia dhe influencimit të dëshmitarëve.

Bashkëjetesa me "kriminelin"

Bashkëjetesa me një person, i cili dyshohet për krime lufte me siguri që nuk është e lehtë. Por jo edhe për bashkëshorten e Oliver Ivanoviqit, Milena Popoviq - Ivanoviq, e cila ëshë e bindur se bashkëshorti i saj "nuk ka bërë kurrë asnjë krim dhe nuk është i përzier në veprat për të cilat fajësohet".

"Ne dhe të gjithë njerëzit e tjerë që e njohin jemi të befasuar shumë me arrestimin e tij dhe jemi të bindur se Oliveri është i pafajshëm. Për ne lajmi ka qenë shumë i befasishëm sepse ai nuk ka bërë kurrë ndonjë krim", thotë për Deutsche Wellen Milena Popoviq - Ivanoviq, e cila është e bindur se arrestimi i Ivanoviqit ka qenë me motive politike, për të mos i fituar zgjedhjet për kryetar bashkie në Mitrovicën Veriore.

Oliver Ivanoviq ndërkohë është kaluar nga burgu i Prishtinës në veri të Mitrovicës, pasi më 3 mars kishte nisur një grevë urie. Gjendja shëndetësore e Ivanoviqit, sipas bashkëshortes së tij, është stabile pasi ai është kontrolluar nga mjekët serbë në veri.

"Fajësimet janë budallallëk"

Disa media në Kosovë kanë raportuar se Ivanoviqi do duhej të arrestohej edhe në vitin 2002, por këtë nuk e kanë lejuar forcat ushtarake franceze, të cilat në atë kohë kanë qenë të stacionuara në veri të Kosovës. Bashkëshortja e Ivanoviqit pohon se i dyshuari për krime lufte ka qenë edhe në atë kohë në biseda informative, por ëshë liruar, sepse nuk ka pasur kurfarë dëshmishë dhe "rasti është mbyllur".

Milena Popoviq - Ivanoviq është e bindur se bashkëshorti i saj do të lirohet edhe tani, sepse "akuzat janë një budallallëk i thjeshtë". Qëndrime të ngjashme në bisedë me Deutsche Wellen shpreh edhe vëllai i tij Mirosllav Ivanoviq. "Oliveri dyshohet për vepra që për sfond kanë veprimin nacionalist. Ndërkohë që të gjithë e dinë se prindërit tanë dhe prindërit e prindërve tanë gjithmonë kanë jetuar në Kosovë dhe kanë pasur raporte të mira me shqiptarët". Mirosllav Ivanoviq mendon se asnjë prej dëshmitarëve nuk do të mund të pohojë të kundërtën, pasi "Oliveri është plotësisht i pastër dhe i pafajshëm".

Krimet e bëra në veri i ka hulumtuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare. Por drejtori i këtij Fondi, Bekim Blakaj pohon se emrin e Ivanoviqit nuk e ka përmedur si të dyshuar për krime asnjë prej të intervistuarve nga kjo organizatë. "Ne nuk e kemi asnjë dëshmitar që e akuzon zotin Ivanoviq për krime. Ndaj nuk mund të them nëse akuzat për krimet e pretenduara kundër shqiptarëve janë të vërteta", pohon Blakaj për Deutsche Wellen.

"Ivanoviqi është kriminel"

Mendim krejt tjetër ka Halit Barani, kryetar i degës rajonale të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë. Emrin e Ivanoviqit dhe krimet e pretenduara të tij, Barani i ka përmendur edhe në Tribunalin e Hagës, ku ka dëshmuar në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit.

"Oliver Ivanoviq së bashku me disa kriminelë të tjerë ka marrë pjesë në masakrën më të madhe të kryer kundër shqitparëve në Mitrovicë me 14 prill të vitit 1999, në lagjen Kovaçët, ku janë pushkatuar 31 shqiptarë të të gjitha moshave", pohon Barani.

Sipas tij, Ivanoviqi ka qenë i përzier edhe në një krim tjetër të rëndë. "Në natën mes 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, para syve të ushtarëve francezë dhe policëve të Unmikut, Oliver Ivanoviqi së bashku me Dragan Delibashiqin u ka prirë bandave serbe, të cilat kanë vrarë në shtëpitë e tyre 10 shqiptarë, të moshës prej 13 deri në 65 vjet". Duke iu referuar dëshimtarëve okularë, Barani pohon se të njëjtën natë forcat serbe "të udhëhequra nga personat në fjalë i kanë plagosur në shtëpitë e veta edhe 25 shqiptarë dhe i kanë keqtrajtuar rëndë 93 shqiptarë". KMLDNJ rajonale në Mitrovicë ka të dhëna se në periudhën prej vitit 2000 - 2004 nga veriu i Mitrovicës janë dëbuar me dhunë 1564 familje shqipatre me 11.362 anëtarë.

Hedhja e bombave

"Dëshmitarët të cilët i kanë deponuar dëshmitë e tyre tek ne, e kanë parë me sytë e vet dhe e kanë dëgjuar me vesh, se si Oliver Ivanoviqi ka urdhëruar hedhjen e bombave ndaj dritareve të shtëpive shqiptare në veri, pasi nuk kanë mundur të futen përmes dyerve të blinduara", pohon Barani. Sipas tij, "ka dëshmitarë, të cilët e kanë parë edhe vet Ivanoviqin e armatosur duke shkuar nga një shtëpi tek tjetra dhe duke urdhëruar shqiptarët që të shpërngulen".

KMLDNJ ka të paktën tetë dëshmitarë okularë që dëshmojnë për krimet e Oliver Ivanoviqit, thotë Barani, i cili dyshon se "Oliver Ivanoviqi është kaluar nga burgu në Prishtinë në veri të Mitrovicës me qëllim që të ikë nga burgu". Për këto pohime ai i referohet rasteve të mëparshme të ikjeve nga ky burg.

Sa i përket momentit të arrestimit, Halit Barani mendon se ai nuk ka lidhje me zgjedhjet dhe me politikën. "Ne kemi arritur që me 25 shkurt të vitit 2013 t'ia dorëzojmë organeve të Eulexit të gjitha dokumentet dhe dëshmitë për krimet e Ivanoviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ndërsa organet e hetuesisë e kanë kryer punën e tyre dhe kanë urdhëruar arrestimin, që do të thotë se kjo çështje nuk ka të bëjë fare me momentin politik", pohon Barani.

Edhe shefi i Eulexit Bernd Borchardt pohon se atyre nuk iu interesojnë zhvillimet e brendshme politike por vetëm faktet juridike. Arrestimi i Ivanoviqit është bërë vetëm mbi bazat ligjore dhe faktet e mbledhura. Ndaj nuk ka lidhje me politikën, pohon Borchardt në një intervistë me DW.