1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

„Olimpiada bëjmë sikur“ – A e kanë ndihmuar Lojërat Olimpike Kinën për më shumë demokraci?

302 medaljet e arit u dorëzuan dhe Lojërat Olimpike përfunduan. Për dy javë Pekini u vu në qendër të vëmendjes së opinionit botëror, që nuk u interesua vetëm për sport, por edhe për pasojat e lojërave ndaj regjimit.

Një tifoz kinez

Një tifoz kinez

Ishte një spektakël perfekt i rendimenteve. Pikërisht ajo që kish porositur Komiteti Ndërkombëtar olimpik. Kina shfaqi në Pekin forcën e saj: aftësia e një regjimi autoritar për të mobilizuar njerëzit dhe energjitë për projekte të përcaktuara në mënyrë të centralizuar. Kjo ishte madje edhe aftësia që në rast nevoje kufizon për javë të tëra qarkullimin rrugor e madje pezullon punën edhe nëpër fabrika – në mënyrë që cilësia e ajrit t´u përgjigjet të paktën pjesërisht standardeve. Por për fat të keq Pekini demonstroi edhe aftësinë e vet për të ndaluar protetstat, për të izoluar disidentët dhe për të penguar gazetarët.


Lojërat e 29-a Olimpike të Pekinit ka gjasë që do të hynë në histori si lojërat e „bëjmë sikur“: Komiteti Ndërkombëtar Olimpik bëri sikur dhënia e lojërave Kinës mund të shërbente edhe si një mësim suplementar në çështjen e demokratizimit. Qeveria kineze bëri sikur në kontekstin e lojërave do të garantonte më shumë të drejta lirie. Kina bëri pra sikur të ishte vendi modern, i hapur ndaj botës, pra një vend që e prezanton veten. Organizatorët e olimpiadës bënë sikur i lejuan demonstratat, edhe pse asnjë proteste nuk iu dha leje dhe ata që paraqitën kërkesat përfunduan nëpër burgje. Në ceremoninë e hapjes një vajzë e bukur bëri sikur këndonte, ndërkohë që zëri i inçizuar i përkiste një vajze tjetër. Kinezët e vegjël bënë sikur ata ishin fëmijët e njërit prej 55 minoriteteve, por në fakt ata ishin mbuluar prej kostumeve shumëngjyrëshe. Atletët bënë sikur prej forcës së tyre ishin në gjendje të thyenin rekord pas rekordi. Kalorësit gjermanë madje ushqyen me doping edhe kuajt e tyre! Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, sponzoruesit dhe mediet së bashku bënë sikur lojërat ishin një „festë e rinsië botërore“, kur ka kohë që është komercialiteti ai që mbizotëron. Bota bëri sikur kjo ishte një „olimpiadë e paqes“. Por pikërisht në hapje të saj nisi konflikti i armatosur në Gjeorgji kundër provincës separatiste të Osetisë Jugore.


Për qeverinë kineze Lojërat Olimpike janë megjithatë një sukses. Ndoshta jo aq shumë me efektin e shpresuar në botën e jashtme. Por brenda vendit qëllimi u arrit. Moria e medaljeve, spektakli i hapjes me pjesëmarrjen e kryeministrave më shumë se çdo herë tjetër, ecuria e organizuar perfekt e garave sportive, të gjitha këto u përçuan në çdo vatër kineze. Një gjë e tillë përforcon vetëdijen kombëtare. Në këtë mënyrë sigurohet një kapital i vlefshëm politik për legjitimimin e sundimit të një partie, e cila është rënuar në aspketin ideologjik.


I humburi është Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Me shumë naivitet ky organizëm besoi se impulsi i demokratizimit që u ndje në Seulin koreano-jugor në vitin 1998 do të realizohej edhe në Pekin. Por Korea e Jugut është një vend i vogël, që në aspektin e politikës së sigurisë ndodhet në varësinë e SHBA. Ndërsa Kina është një vend gjigand, që funksionon sipas ligjeve të veta.


Megjithatë një filiz shprese mbetet. Ajo ushqehet nga anë të ndryshme. Nën presionin ndërkombëtar gjatë periudhës së Lojërave Olimpike u zbut censura në internet. Ndonëse ajo nuk u shfuqizua, u çlirua më shumë se asnjëherë më parë. Ky lëshim mund të shtrihet në vitet e ardhëshme edhe ndaj sferave të tjera të shoqërisë. Ndryshime të mëdha në Kinë po përgatiten prej kohësh nën rogoz. Ndaj vetëm e ardhmja do ta tregojë, se si dhe nëse Lojërat Olimpike e kanë ndryshuar Kinën.


  • Data 24.08.2008
  • Autor Matthias von Hein
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F3EQ
  • Data 24.08.2008
  • Autor Matthias von Hein
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F3EQ