1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Okupimi i universiteteve në Bullgari

Studentët në Bullgari po protestojnë kundër qeverisë së kryeministrit Plamen Oresharski. Ata kanë okupuar disa institucione të larta shkollore dhe kërkojnë zgjedhje të reja. Protestat po zgjerohen.

Me brohoritjet "bravo", rreth 200 studentë të Universitetit „Sveti Kliment Ohridski", e kanë shpallur gjatë fundjavës të okupuar këtë institucion të lartë shkollor. Ata kanë bllokuar hyrjet e universitetit më të vjetër në Bullgari dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja parlamentare. Protestave ndërkohë u janë bashkangjitur edhe studentët nga Universtieti në Sofje, në Veliko Trnovo dhe në Plovdiv. Të gjitha këto universitete janë okupuar nga studentët.

„Ne stundetët mendojmë se kemi të drejtë të jetojmë në një shtet normal, i cili kujdeset për ne të rinjtë. Duam që të kemi perspektivë në këtë shtet", tha një prej studentëve.

Shkaku i protestave ishte vendimi kontestues i Gjykatës Kushtetuese në Bullgari, sipas së cilit manjati mediatik Deljan Peevski ka mbetur në postin e deputetit. Për shkak të Peevskit ka pasur protesta në Bullgari edhe para katër muajsh, sepse ai ishte parashikuar të bëhej shef i shërbimit sekret. Peevski konsiderohet si një simbol i përzierjes së qarqeve mafioze në strukturat e politikës dhe biznesit. Protestat kanë filluar kur u bë e ditur se kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të mbajë ligjërata në këtë universitet. Një prej studentëve tha se "ai është i interesuar për studime, por në protesta ka dalë sepse mendon se edhe kjo është një "ligjëratë" shumë e rëndësishme. Studentët duhet të jenë më aktivë dhe të kërkojnë ndryshime.“

Protesta edhe në universitete të tjera

Rreth 100 studentë në Sofje kanë nisur aksionin e mbledhjes së nënshkrimeve në shenjë solidariteti me kolegët. Në faqen e internetit të Universitetit në Sofje mund të lexohet: "Ne i mbështesim protestat e studentëve për shkak të mungesës së moralit në politikën bullgare“.

Edhe presidenti i Bullgarisë Rosen Plevnelijev i ka mbështetur protestat studentore. Ndërsa qeveria ka paralajmëruar dialog. Ministrja e arsimit Anelija Klisarova apeloi: „Studentët janë njerëz të rinj të arsimuar, të cilët duhet t'i shprehin mendimet e tyre si gjithë qytetarët, por nuk duhet t'i pengojnë të tjerët. Kjo është demokracia. Universiteti është një institucion mbipartiak ku nuk guxon të bëhet politikë“. Këshilli Akademik në universitetin e Sofjes ka kërkuar nga studentët që ta lirojnë universitetin më të madh në vend dhe të gjejnë "ndonjë formë tjetër të protestave“.

Zaprijan Koslucov, rektor i universitetit në Plovdiv, mendon se „universitetet nuk mund të jenë territore për tubime dhe protesta qytetare. Okupimi nuk çon askund. Ndërsa nëse studentët mendojnë se kanë të drejtë, atëherë mendoj se mund të arrijnë shumë, sepse nëse studentët dalin në rrugë situata do të jetë shumë serioze. Jo disa qindra, por nëse dalin në mënyrë masive në rrugë, ata mund të kenë sukses.“

Qytetarët kanë mendime të ndryshme për këto protesta. Ata që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë u japin të drejtë studenëve, por shumë të tjerë dyshojnë në suksesin e studentëve.