1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB-ja koordinon ndihmën ndërkombëtare për Haitin

14 Janar 2010

Pas tërmetit katastrofal në Haiti njerëzit janë tërësisht të varur prej ndihmës ndërkombëtare. Ata kërcënohen nga uria, mungesa e ujit dhe epidemitë. Kombet e Bashkuara po bashkërendojnë ndihmën për Haitin.

https://p.dw.com/p/LVXN
Punonjësit e ekipeve të shpëtimit ndihmojnë të zënët nga gërmadhat.
Të shpëtohen të mbijetuarit nën gërmadha... Haiti, Port-au-Prince.Fotografi: AP

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, e cilësoi punën e ekipeve të shpëtimit me qen nuhatës në Haiti, si detyrën më urgjente. Kjo është një betejë kundër kohës, pasi për të zënët nën gërmadha ka rëndësi çdo orë, tha Ban: "Njerëzit e zënë nën gërmadha jetojnë ende. Ne duhet të shpëtojmë sa më shumë të mundim dhe duhet të veprojmë menjëherë", tha Ban mbrëmë në Nju-Jork.

Pallati Kombëtar, Port-au-Prince, 13.01.2010.
Fotografi: AP

Kërkimi i të mbijetuarve nën gërmadha prioriteti kryesor

Dy ekipe amerikane kanë mbërritur tashmë në rajonin e katastrofës, të tjera priten të mbërrijnë sot. "Ajo që na duhet tani janë ushqime, ujë, pajisje të ndihmës së shpejtë dhe strehim." - u shpreh ish-presidenti Bill Clinton, i cili u emërua vitin e kaluar i dërguar i posaçëm për Haitin prej Ban-Ki-Munit. Edhe Clintoni nënvizoi se fillimisht prioritet maksimal ka shpëtimi i të mbijetuarve. Përveç ndihmës emergjente duhet nisur shpejt edhe me nxjerrjen e viktimave, tha Clinton.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Haitin, ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton.
Fotografi: AP

Sipas fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm Ban, ish-presidenti do të përfshihet intensivisht në organizimin e ndihmës ndërkombëtare për Haitin. Clintoni tregoi ndër të tjera edhe gjatë katastrofës së përmbytjeve në New Orleans, se si është në gjendje të organizojë ndihmë edhe falë respektit që tregohet për të në nivel ndërkombëtar, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

OKB mobilizon 30 ekipe ndërkombëtare ndihme për Haitin

Se sa urgjentisht duhet kjo ndihmë, këtë e theksoi konsulli i përgjithshëm i Haitit në Nju-Jork. "Ne jemi shumë të shqetësuar. Bëhet fjalë për shëndetin publik. Ne kemi nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare", - tha konsulli Felix Augustin. Sipas të dhënave të veta, Kombet e Bashkuara kanë mobilizuar për ndihmën në Haiti rreth 30 ekipe ndërkombëtare. Projektet e ndihmës nisën me vështirësi të mëdha, sepse komunikimi në Haiti praktikisht ka pësuar kolaps, u tha në zyrën e bashkërendimit për çështje humanitare të OKB-së.

Ban: Ne jemi pranë jush!

Prej fluksit të mangët të informacionit tek Kombet e Bashkuara nuk kishte as mbrëmë një tabllo të qartë mbi viktimat e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Mun konfirmoi deri tani vdekjen e 16 punonjësve të OKB-së, 150 të tjerë janë të humbur, ndër ta shefi i misionit paqësor në Haiti, tuniziani Hedi Anabi. OKB-ja ka aktualisht me mision në Haiti rreth 7.000 ushtarë dhe 2.000 policë, kryesisht nga vendet amerikanolatine. Që mbrëmë Ban Ki-Muni dërgoi në Haiti Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm, Edmund Mallet. Ai do të bashkërendojë nga dita e sotme ndihmën ndërkombëtare në vend.

"Ne punojmë shpejt, aq shpejt sa ç'mund të punojnë njerëzit," tha Ban duke e mbyllur fjalën me një deklaratë personale: "Njerëzve në Haiti ju them këtë: Ne jemi pranë jush!"

Autor: Thomas Schmidt / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani