1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

OKB-ja do të kontrollojë tregtinë me armë

Deri në fund të korrikut vendet e OKB-së duhet të arrijnë marrëveshje për kontroll më të mirë të tregtisë me armë konvencionale në botë. Gjermania kërkon që të rregullohet edhe tregtia me armë të vogla dhe me municion.

Foto e tregtisë me armë

Foto e tregtisë me armë

Tregtia me armë është një biznes shumë i levërdishëm. Prodhuesit e armëve fitojnë në vit mbi gjashtë miliardë euro nga shitja e armëve të rënda dhe të lehta - prej municionit e deri tek avionët. Armë u shiten edhe diktatorëve për të shtypur popullin e tyre, apo palëve në konflikt për luftë. Shembulli i fundit është Siria e cila importon armë nga Rusia.

Lufta në Siri

Lufta në Siri

Armët nuk duhet të dërgohen në rajonet e konflikteve, nuk ka leje për eksporte armësh në vendet ku shkelen të drejtat e njeriut apo në vendet ku cënohet rritja ekonomike dhe luftimi i varfërisë. Kështu thuhet në marrëveshjen për kontrollin e armatimeve, e cila do të debatohet në Nju Jork të hënën (02.07.).

"Gjermania do të angazhohet për një marrëveshje ('Arms Trade Treaty') të qëndrueshme dhe të obligueshme", thotë ministrja e shtetit në ministrinë e Jashtme, Cornelia Pieper. Gjermania është pas SHBA-së dhe Rusisë vendi që eksporton më së shumti armë në botë - me rreth 11 % të tregut të përgjithshëm botëror.

Gjermania kërkon kontroll më të rreptë

"Nga kjo konferencë ne presim një marrëveshje me të cilën do të rregullohet për herë të parë në historinë e OKB-së tregtia me armë konvencionale", thotë ekspertja për armë e Amnesty International, Katharina Spieß.

Cornelia Pieper

Cornelia Pieper

Gjermania angazhohet për rregulla që do të respektonin të gjithë, thuhet në Berlin. Vëmendje e madhe në këtë aspekt i kushtohet respektimit të të drejtave të njeriut, të drejtës humanitare dhe stabilitetit në vendet dhe rajonet ku shiten armë.

Por në tregtinë me armë ka shumë paqartësi. Gati 900 milionë copë armë janë aktualisht në qarkullim në botë, që do të thotë se armë ka gati çdo i teti njeri. Ish - sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan foli për një "fenomen të shkatërrimit në masë". Ndërsa Amnesty International bën të ditur se në botë çdo minutë vritet nga një person.

Ekspertët thonë se një vëmendje shumë e madhe duhet t'u kushtohet edhe të drejtave të njeriut dhe të popujve. Ndërkohë që ende nuk është sqaruar as mekanizmi i mbikqyrjes së këtyre armëve. Është e mundur që vet OKB-ja të krijojë një organizatë për këto qëllime. Por ëshë e vërtetë që kjo marrëveshje do të ndihmonte për zgjidhjen e problemeve të tanishme në shumë vende.

Raketat ruse

Raketat ruse

Eksportuesit (nuk) janë të interesuar për marrëveshje

Vendet perëndimore janë të interesuara që në marrëveshje të theksohet edhe çështja humanitare, thotë Sabine Wisotzki. Por negociatat do të jenë të vështira për shkak të qëndrimeve të pesë vendeve të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje. SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë. "Këto vende janë të mendimit se tregtia me armë duhet të jetë në kompetencën e shteteve. Kina është kundër futjes në marrëveshje të të drejtave të njeriut", thonë ekspertët. Ndërkohë që vërejtje ka dhe nga SHBA-ja.

Katharina Spieß nga Amnesty International mendon se edhe për tregtinë me armë duhet gjetur rregulla unike që vlejnë në mbarë botën. Në Nju Jork do të mblidhen përfaqësuesit e 193 vendeve. Marrëveshja mund të arrihet vetëm me konsensus.