1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

OKB dërgon më shumë trupa në Sudanin e Jugut

Gjendja në Sudanin e Jugut është kritike dhe komplekse. Shumë njerëz janë në arrati, presidenti Kiir i ka ofruar kundërshtarit të tij një takim për bisedime ndërsa OKB do të dyfishojë trupat e saj në këtë vend.

"Të gjitha shtetet kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre ", tha ambasadorja amerikane në OKB Samantha Power, pas një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, duke pasur parasysh gjendjen dramatike dëshiron të rrisë për 5000 ushtarë misionin paqëruajtës të helmetkaltërve në Sudnain e Jugut. Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai kërkoi gjithashtu edhe 423 oficerë të policisë shtesë për misionin UNMISS në vendin e Afrikës Qendrore. Aktualisht në Sudanin e Jugut nën flamurin e OKB-së ndodhen në shërbim 7.000 ushtarë dhe policë.

Kombet e Bashkuara evakuojnë bashkëpuntorët e tyre

Kombet e Bashkuara evakuojnë bashkëpuntorët e tyre

Përveç kësaj, OKB-ja paralajmëroi për një rritje masive të nevojës për ndihmë dhe bëri thirrje për donacione. Më shumë se 40.000 njerëz janë duke kërkuar strehim në kampet e OKB-së. Për luftimin e krizës humanitare Bashkimi Evropian ka miratuar një ndihmë prej 50 milionë eurosh. "Sudani i Jugut është në prag të një tragjedie humanitare të cilën ne duam ta shmangim me çdo kusht", tha komisionerja për Ndihma Humanitare, Kristalina Georgieva, në Bruksel.

Vendi kanoset nga lufta civile

Shumica e bashkëpuntorëve të organizatave humanitare janë larguar nga vendi për shkak të luftimeve, sqaroi më tej komisionerja e BE-së. Kështu OKB është duke dërguar bashkëpuntorët e saj për të cilët njerëzit kanë aq shumë nevojë në vendin fqinj të Ugandës. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë larguar qytetarët e tyre për në vende më të sigurta.

Trupat qeveritare në Juba

Trupat qeveritare në Juba

SHBA ka kohë që paralajmërojnë nga një luftë civile në vend. I dërguari i posaçëm i SHBA-së Donald Booth ka mbërritur në Juba. Sipas tij, presidenti Salva Kiir është i gatshëm për bisedime me rivalin e tij dhe zëvendësin e shkarkuar Rieke Machar. Kjo u njoftua pas një takimi që Boot zhvilloi me presidentin Kiir përmes një videokonference. Kiir nuk ka vendosur kushte. Biseda me Kiir ka qenë e hapur dhe konstruktive, shtoi ai. Zyrtari i qeverisë amerikane megjithatë sqaroi se është tërsisht e paqartë se ku dhe kur do të mund të zhvillohej një takim i tillë me rebelët.

Sudani i Jugut i cili fitoi pavarësinë e tij duke u shkëputur nga Sudani në vitin 2011, konsiderohet shumë jostabil dhe i pazhvilluar, por ka rezerva të mëdha të naftës. Në një luftë civile, e cila zgjati nga viti 1983 deri në vitin 2005 jetën humbën rreth dy milionë njerëz.

Presidenti Kiir është i diskutueshëm. Në javët e fundit, anëtarë drejtues të ish grupit rebel dhe tani Lëvizjes Popullore Çlirimtare (SPLM) në pushtet, e akuzuan atë publikisht për sjellje "diktatoriale". Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara që prej shpërthimit të luftimeve gjatë ditëve të fundit jetën kanë humbur mbi 500 njerëz.