1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Oferta pune online për refugjatët

Dy studentë nga Berlini ndihmojnë përmes një faqeje interneti refugjatët për të gjetur punë në Gjermani. Por përpara se të nënshkruhet kontrata, duhet të kapërcehen një sërë hapash burokratikë në Zyrën e të Huajve.

Dy studentë berlinezë kanë krijuar një faqe interneti përmes së cilës refugjatët që kërkojnë punë mund të lidhen me punëdhënës potencialë në Gjermani. Adresa: #link:http://www.workeer.de:workeer.de#

Punët që ofrohen janë nga më të ndryshmet, kujdestar për pleq, ndihmëskuzhinier, zhvillues për software, kujdestare për fëmijë e kështu me radhë. Përveç ofertave faqja përmban edhe një listë me emra sipërmarrjesh të interesuara për të punësuar refugjatë.

Nga ana tjetër në këtë faqe mund të prezantojnë veten edhe të interesuarit për punë. Shumica e tyre janë refugjatë nga disa vende arabe, apo nga Afrika. Disa kërkojnë punë në profesionin e tyre, të tjerë janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj pune.

"Ta financoj vetë jetën time"

"Unë nuk dua të jem i papunë, por ta financoj vetë jetën time," shkruan Housam Y., që jeton në Hamburg prej pesë muajsh. Ai ka studiuar në Damask drejtësi dhe kërkon një vend si praktikant, punësim të përhershëm, punë të pjesëshme, çfarë të jetë. Të bie në sy se ndër refugjatët ka disa që janë me arsim të lartë, p.sh. dy dentistë, një urolog, një arkitekt, një biokimist, një mësues i anglishtes. Shumica e refugjatëve thonë se flasin gjuhën e tyre amtare dhe anglisht ose frëngjisht.

Problemi është se ata nuk e njohin mirë gjuhën gjermane dhe në tregun gjerman të punës është e vështirë të gjesh punë në shumë profesione pa njohuri të mira të gjermanishtes. Megjithatë për dikë që ka studjuar informatikë, nuk është e vështirë të gjejë punë, edhe nëse flet vetëm arabisht dhe anglisht.

Kontrolle nga institucionet zyrtare

Ralf Czudzewitz nga Braunshvajgu ka një firmë që ofron shërbime dhe përkujdesje për të moshuarit dhe po kërkon përmes faqes workeer.de refugjatë të aftë për një punë të tillë. Por përpara se nënshkruhet kontratat e punës, duhet të kapërcehen një sërë hapash burokratikë me Zyrën e të Huajve, si statusi i qëndrimit, sa kohë ka personi që jeton në Gjermani e kështu me radhë. Po ashtu edhe Zyrat e Punës kontrollojnë nëse refugjatët punësohen sipas tarifave që ekzistojnë në Gjermani dhe nëse ata punësohen tek firma që bën kontratën, apo trajtohen si nënkontraktorë.

Plane për zgjerim

Philipp Kühn dhe David Jacob duan ta zgjerojnë projetin e tyre. Për momentin faqja është në version beta, pra në fazë testimi. Përveç ofertave për vende pune ata duan të ofrojnë në faqe edhe udhëzime për t'ju ardhur në ndihmë azilkërkuesve që kërkojnë punë dhe punëdhënësve që duan t'i punësojnë se si të kapërcejnë pengesat burokratike në Gjermani.

Philipp Kühn dhe David Jacob, që studjojnë në Shkollën e Lartë për Teknikë dhe Ekonomi në Berlin (HTW) kanë bërë reklamë për projektin e tyre në strehimoret për azilkërkuesit në Berlin dhe shpresojnë që projekti i tyre të bëhet edhe më i njohur.