1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Oferta për turizëm malor në Shqipëri

Megjithëse me një terren malor që shtrihet nga jugu në veri, ende shfrytëzimi për qëllime turistike mbetet modest. Të interesuar më shumë për turizmin malor në Shqipëri janë britanikët, gjermanët dhe skandinavët.

Turizmi malor, që shpesh identifikohet edhe si turizmi rural, ka një kurbë rritjeje në Shqipëri, por për ekspertët ende shifrat janë larg kapaciteteve dhe resurseve natyrore. Karakteristikë për vendin është se veç pjesës së alpeve në pjesën veriore dhe verilindore maja të larta malesh dhe vargmalesh ka dhe në Shqipërinë e mesme, si dhe në jug e juglindje.

Në foto: Sadik Malaj

Në foto: Sadik Malaj

Sadik Malaj, i cili veç menaxhimit të agjencisë turistike “Sondor”, është dhe president i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, UOPSH, duke iu referuar të dhënave nga terreni, thotë se vizitorët e huaj që frekuentojnë më shumë zonat malore janë nga Britania e Madhe, Gjermania dhe vendet skandinave. Britanikët janë më shumë të orientuar për turizmin malor, ndërkohë që gjermanët dhe skandinavët kërkojnë që në një guidë disaditore të frekuentojnë destinacione miks, ku të përfshihet dhe shëtitja në alpe ose terrene të thyera malore, thotë Malaj për DW.

Stacione atraktive, ku ndërthurren natyra me traditën

“Për një njeri që e njeh gjeografinë e Shqipërisë, është e qartë se turizmi malor nuk përfshin vetëm pjesën veriore dhe verilindore, por resurse ka dhe në pjesën tjetër të territorit. Korça, Erseka, Përmeti, por dhe zona e Beratit, apo Gjinari, Strebleva etj., janë stacione shumë atraktive, ku ndërthurren natyra me traditën vendore të mënyrës së jetesës dhe të gatimit, me objekte kulturore, historike dhe të kultit, ku ke përshenbull si opcion për të ushtruar rafting, si në rastin e kanioneve të Osumit, ashtu sikundër në stacione të tjera që përmenda të krijohet mundësia për shëtitje me kuaj, rrëshqitje ose ecje me ski, gjueti etj.

Në foto: Martin Mato

Në foto: Martin Mato

Ish shefi i Departamentit të Gjermanishtes në Universitetin e Tiranës, Martin Mato, prej më shumë se dy dekadave bën rolin e udhërrefyesit turistik për grupe vizitorësh. Ai e përshkruan territorin e vendit si dhumë diversiv, në aspektin e ofertës. Jo shumë larg detit, ka udhë e shtigje malore që i përshkruan më këmbë, përmes të cilave bie në kontakt me objekte historike si kala, kështjella, objekte të hershme kulti, monumente natyrore, të cilat ta pasurojnë guidën, thotë ai për DW.

“Ke mundësinë e kalimit në një kohë të shkurtër nga një zonë bregdetare në lartësitë e maleve. Problemi është se grupet ose individët nuk kanë informacion të plotë mbi shtigjet që duhet të ndjekin, mungon sinjalistika dhe shënjimet orientuese për drejtimin se si mund të kalosh nga një destinacion në një tjetër. Nuk janë të stabilizuara stacionet e qëndrimit, qoftë disa orësh apo për të kaluar natën, se cili restorant, a banesë është më e përshtatshme për meny-në tradicionale, me garancinë e cilësisë së ushqimit, fjetjes etj. Ka më shumë spontanizëm dhe zgjidhje rrethanore, për të cilat një udhërrëfyes nuk është i sigurtë nëse do të përmbushë pritmëritë e grupit të tij. Plus kësaj ndjekja e guidave në terrene malore kërkon më shumë siguri jo vetëm nga organet e rendit, por dhe autoritetet lokale. Vizitorët, ata që qëndrojnë disa orë, apo kalojnë një natë duhen vlerësuar si njerëz që dikur kthehen prapë. Në mos ata të tjerë që kanë marrë ndjesi dhe emocione pozitive nga udhëtimi, qëndrimi apo zbavitja”.

Në foto: Ismail Beka

Në foto: Ismail Beka

Një nga pionerët e investimit disavjeçar në turizmin malor është dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ shpk ( më herët është njohur si GTZ-ja gjermane). Programet zhvilluese në zonën malore të Thethit, në verilindje të vendit, permes ngritjes së han-eve ose “guest house”-ve shikohen me impakt lokal dhe rajonal, një ndërthurrje e bashkëpunimit mes komunave me atë të tre shteteve kufitare, Shqipëri, Mali i Zi e Kosovë. Zëvendësdrejtori i zyrës së GIZ shpk në Tiranë, Ismail Beka, thotë se turizmi malor nuk ka stinë, në kuptimin që destiancionet mund të shfrytëzohën në verë dhe në dimër, por dhë në stinët e tjera. Është një aktivitet kompleks, ndryshe nga turizmi bregdetar, thotë Beka për DW.

Turizmi malor i shëndetshëm dhe me kosto më të ulët

“Arritshmëria drejt vendeve ku do të shëtisësh apo të qëndrosh është më e vështirë, gjithashtu dhe informacioni për pikat hotelerike, restorantet, vendzbavitjet etj. Shikoni, turizëmi malor nuk është thjesht një udhëtim, një ngrënie dreke a darke, qëndrimi për një natë apo dy diku. Kjo është minimaliste. Një individi, një familjeje, një grupi i duhet një informacion i bollshëm, mbi zonën, mbi shtigjet, shënjimin e tyre në hartë ose skica udhëzimi. Me një çantë shpine gjithkush dëshiron të ecë, të shijojë natyrën, të takojë banorë, të ndjekë dinamikën e gjallesave, të përjetojë gjithçka që i ofron një destiancion. Ne jemi të rrethuar me male, me kurora të gjelbërta, lumenj dhe ujëra që derdhen nga bjeshkët, pra, me mrekulli natyrore të cilat pak i njohim, pak i frekuentojmë”.

Kalaja e Petreles

Kalaja e Petreles

Ismail Beka nga GIZ shpk, mendon se në Shqipëri ka pak kulturë për turizmin malor. Sipas tij, nëse je i orientuar nga ky lloj turizmi jo vetëm që fiton kenaqësi, por të rezulton dhe më shumë i shëndetshëm, sepse nxit angazhimin aktiv në kushte të parametrave disa here më të përmirësuar se zonat urbane, në një kohë që kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit janë më të ulta. “Edhe në pikëpamjen kohore janë më të shkurtëra, se fjala vjen, krahasuar me turizmin në bregdet. Me një ditë, dy ose tre përmbush një objektiv. Duhet të ketë më shumë afrim me terenin malor dhe kjo duhet të tregohet nga vetë shqiptarët. Kemi një shembull shumë domethënës nga Gjermania. Shoqata e Alpeve Gjermane ka mbi 3 milion anëtarë. Imagjinoni që në një vend që nuk shquhet për zona të denduara malore të ketë një adhurim të tillë për lartësitë, të ketë një ‘miqësi malore' të tillë”.