1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Oferta „joshëse“ për votuesit në Maqedoni

Në Maqedoni fillon këtë të shtunë (05.04.) fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Analistët, premtimet e partive në të shumtën e rasteve i vlersojnë si të parealizueshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në Maqedoni me 27 prill. Në garën për 123 vende deputetësh në 6 njësi zgjedhore dhe 3 njësitë e diasporës, do të marrin pjesë 5 koalicione dhe 9 parti politike.

E vetmja parti që ka shpalosur platformën zgjedhore para fillimit të fushatës, është partia shqiptare në pushtet BDI, e cila në konventën partiake, pos promovimit të kandidatëve për deputetë, ka shpalosur edhe thekset kryesore të programit. Zhvillimi ekonomik i vendit, zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, integrimi në strukturat euroatlantike, do të jejnë thekset e programit të ardhshëm qeveritar të BDI-së. Sipas kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, në programin zgjedhor janë përfshirë 1800 projekte me vlerë prej 2 miliard eurosh. “Ne me këtë program zgjedhor hapim një kapitull të ri, me çka ky kapitull, kjo platformë, ky program, kjo hartë ka të përcaktuar rrugën se nga do të ecim. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm që t'i realizojmë këto premtime, sepse jemi në objektivin satelitor- syrin e popullit”, është shprehur lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Moto e BDI-së në zgjedhjet parlamentare do të jetë, "Bashkë më mirë, bashkë më të fortë, bashkë në Evropë”. Në përgatitjen e programit zgjedhor dhe paraqitjen në fushatë BDI, përveç ekspertëve nga vendi ka angazhuar edhe ekspertë nga SHBA-të.

Partia Demokratike Shqiptare, platformën zgjedhore do ta prezentojë në ditën e parë të fushatës. Kjo parti në paraqitjen para elektoratit do të shfrytëzojë modelin amerikan të zgjedhjeve që nënkupton takime të drejtëpërdrejta dhe komunikim me votuesin, thotë Bekim Fazliu nga PDSH. “Barazia e plotë e shqiptarëve në sistem, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, decentralizimi i mirëfilltë, ndarja e re territoriale, eurointegrimet, do të jenë thekset kryesore me të cilat do të dilet për të fituar besimin e elektoratit”, shprehet sekretari organizativ i PDSH-se, Bekim Fazliu.

RDK: “Ne nuk vjedhim paratë e popullit për t'i harxhuar në fushatë"

Rilindja Demokratike Kombëtare në këto zgjedhje del me moton ‘Është koha…” Platformën zgjedhore dhe organizimin e fushatës e kemi bërë vetë pa angazhim të konsulentëve nga jashtë thonë nga RDK. “Ne nuk vjedhim paratë e popullit për t'i harxhuar në fushatë. Ne qëllimet i kemi të qarta, fisnike dhe të kapshme për elektoratin. Programi ynë është rrugëdalje nga ky qorrsokak i pashpresë që është krijuar nga politikëbërja e qeveritarëve të deritanishëm”, thotë Artan Dika, shef i shtabit zgjedhor të RDK-së.

VMRO-DPMNE, partia maqedonase në pushtet, në platformën zgjedhore vend meritor i ka kushtuar projekteve ekonomike, hapjes së vendeve të reja të punës dhe sigurimin e investimeve nga jashtë. “Sa i përket fushatës kemi angazhuar agjenci për marrdhënie me publikun, të cilat do të përkujdesen për paraqitjen sa më të mirë si të kandidatëve tanë për deputetë, po ashtu edhe të kandidatit presidencial”, thotë Ilia Dimovski, kryesues i qendrës për informim të VMRO-DPMNE-së.

Partia opozitare maqedonase LSDM, në këtë fushatë kryesisht do të konkurojë me emra të rinj të kandidatëve për deputetë, që nga vetë partia vlerësohet si një hap i guximshëm. “LSDM në përpilimin e programit zgjedhor theks të veçantë i ka kushtuar zgjidhjes së problemeve aktuale të cilat me decenie po e pengojnë eurointegrimin e vendit. Prosperiteti ekonomik, antarësimi në NATO dhe BE dhe marrdhëniet ndëretnike, do të jenë në fokusin e programit zgjedhor”, thotë Petar Shilegov, zëdhënës i Social Demokratëve.

Analistët : Elektorati ka nevojë për ide të reja

Analistët politik në përgjithësi programet zgjedhore të partive i vlerësojnë si mungesë të ofertave serioze për elektoratin. Ato, sipas tyre janë të stërmbushura me premtime që vështirë mund të realizohen. E gjithë kjo bën që një numër i konsiderueshëm i votuesve ende të jenë të papërcaktuar. Kire Vasilev, studiues i çështjeve evropiane thotë se partitë politike mundohen ta largojnë vëmendjen e opinionit nga problemet reale. Sipas tij programet e partive politike ofrojnë ide dhe projekte të cilat asnjëherë nuk mund të realizohen në Maqedoni. “Programet e tyre në shumë aspekte janë harxhuar dhe tani ata përpiqen që tema kryesore e debateve në opinion të jenë aksionet e ndryshme policore apo aferat e ndryshme korruptive. Në mjetet e informimit mungojnë debatet e mirëfillta mes oponentëve politikë. Qytetari i rëndomtë nuk mund të bëjë krahasimin se cili program është më joshës për një të ardhme më të sigurtë të vendit,' shprehet Kire Vasilev.

Analisti Ibraim Mehmeti është i mendimit se partitë politike duhet të ofrojnë programe më tërheqëse për votuesit në përgjithësi e në veçanti për të papërcaktuarit. “Partitë shqiptare humbasin më tepër energji në ndërtimin e pozicioneve me partnerët e mundshëm nga blloku maqedonas, duke llogaritur në pjesmarrjen e tyre në qeveri, sesa që përqëndrohen në promovimin e programeve apo ideve të reja. Partitë shqiptare , të cilat dëshirojnë të fitojnë besimin tek votuesit, duhet të krijojnë pozicion i cili do tu mundësointe që idetë e tyre në fund edhe të realizohen”, vlerëson Ibraim Mehmeti.

Sipas sociologut Zdravko Savevski, partitë politike gjatë prezentimit të platformës zgjedhore në fushatë, mund të sigurojnë maksimum 6-7 % të votuesve. Duke u nisur nga ky fakt, në veçanti partitë politike maqedonase, përcaktohen për ruajtjen e trupit të tyre votues. "VMRO-DPMNE bën një fushatë klasike zgjedhore, e cila më tepër është e motivuar në ruajtjen e trupit votues. Sa i përket votuesve të papërcaktuar VMRO-DPMNE është e interesuar që kjo pjesë e votuesve, nëse nuk votojnë për të, të paktën të mos votojnë për opozitën , pra të vazhdojë të jetë e papërcaktuar”, shprehet Savevski.

Sipas analistëve, zgjidhja e çështjes së emrit, proceset eurointegruese dhe zhvillimi ekonomik do jenë tre shtyllat kryesore në të cilat do të mbështetet fushata e partive politike garuese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale.