1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ofensiva turke në Ballkan

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu kohët e fundit ka ndërmarrë një nismë diplomatike për inkuadrimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO. Kjo nismë ka shkaktuar reagime të ndryshme në vend.

Ndikim në rritje i Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë

Ndikim në rritje i Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë

„Angazhimi aktiv i Turqisë në mbështetje të Bosnjës dhe Hercegovinës në rrugën e saj drejt NATO-s nuk bie në kundërshtim me parimet e Bashkimit Evropian", thotë analisti politik Zekerijah Smajiç. Sipas tij, nisma diplomatike turke nuk është "osmanizimi i njëanshëm i Ballkanit,“ por konsensus i Uashingtonit, Brukselit dhe Ankarasë, në mënyrë që të nisin proceset që janë zvarritur për dekada të tëra. "Në njëzet vitet e fundit është dëshmuar se as Uashingtoni, as Brukseli nuk mund të bëjnë të vetëm atë çfarë presin Ballkani dhe Bosnja dhe Hercegovina", thotë Smajiç.

„Në këtë kontekst, si aleati më i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një vend që aspiron për marrëdhënie më të ngushta me Brukselin, i vetëdijshëm se anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian në këtë fazë është ende një ëndërr e largët, Turqia do të tregojë veten si një fuqi aktive ndërkombëtare në rajonin më të afërt të saj, që është Ballkani. Nisur nga kjo, si Brukseli ashtu dhe Uashingtoni e mirëpresin rolin e Turqisë në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe rolin e Turqisë në 'natoizimin‘ e Bosnjës dhe Hercegovinës ", nënvizon Zekerijah Smajiç.

Nëse nuk dëshiron BE, dëshiron Turqia

Drejtori i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Banja Luka, Millosh Solaj thotë se ndryshe nga Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës, në Republikën Srspka ka shumë kritika për shkak të ndërhyrjes së tepruar të Turqisë në rajon. Kjo konsiderohet si një lloj kompensimi, që i bëhet Turiqsë për integrimin e saj të ngadalshëm në Bashkimin Evropian. "BE-ja ka një politikë specifike ndaj Ballkanit Perëndimor dhe atë e zbaton përmes proceseve të stabilizimit dhe asocimit, por tani për tani vetëm Kroacia ndodhet në prag të futjes në BE, ndërsa vendet e tjera, për shkak të vendosjes së një pragu të lartë të kushteve, vonohen shumë," thotë Solaji.

“Turqia ka hyrë me guxim në këtë hapësirë boshe dhe në këtë vakum është duke u përpjekur për të forcuar ndikimin e saj politik. Kjo mund ta pengojë Bashkimin Evropian në kuptimin e arritjes së standardeve evropiane në këto hapësira. Përveç kësaj, Republika Srpska është e pakënaqur me faktin se Bosnjë e Hercegovina është duke shkuar në drejtim të NATO-s, pavarësisht nga pëlqimi paraprak zyrtar, dhe është veçanërisht e pakënaqur me faktin që kjo politikë po udhëhiqet nga Turqia", thekson Solaja.

Rexhep Tayyip Erdogan, kryeministri i Turqisë

Rexhep Tayyip Erdogan, kryeministri i Turqisë

Ombrellë sigurie për Bosnjë dhe Hercegovinën

Duke pasur parasysh rolin e Aleancës Veriatlantike në zgjidhjen e krizës jugosllave të viteve '90, për analistët është e kuptueshme që Sarajeva dhe Banja Luka i përjetojnë ndryshe nga njëra-tjetra iniciativat e ndryshme të cilat përshpejtojnë rrugën e Bsonjë-Hercegovinës drejt NATO-s, duke përfshirë këtu edhe nismën turke. Zekerijah Smajiç beson se Aleanca për vendet e vogla të tilla si Bosnjë dhe Hercegovina është një "ombrellë sigurie". Por "ky është vetëm një aspekt që duhet të merret parasysh", thotë Smajiç.

„Një aspekt tjetër është se hyrja e një vendi të tillë si Bosnja e Hercegovina në NATO, rrit aspiratat për anëtarësim në BE. Kjo për faktin se shumë shtete fillimisht janë bërë anëtare të NATO-s e pastaj të Bashkimit Evropian. Zgjidhjet e tilla mirëpriten edhe në BE. Për Bosnjë dhe Hercegovinën është shumë i rëndësishëm dhe aspekti i tretë: hyrja në NATO i hap rrugën edhe investimeve të huaja“, thotë Smajiç. Ai kujton se në Kroaci dhe Shqipëri, pas hyrjes në Aleancë është pesëfishuar volumi i investimeve të huaja. Prandaj sipas Smajiçit është e mirëpritur çdo iniciativë që mund të përshpejtojë procesin e integrimit të Bosnjë dhe Hercegovinës në NATO.

Autor: Samir Huseinoviç / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi