1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ofensiva e Mosulit: 100.000 refugjatë deri më tani

Dy muaj pas fillimit të ofensivës kundër Mosulit në Irak gjendja humanitare në këtë qytet është mjaft dramatike. Luftimet janë të vështira dhe të ashpra.

Mossul Zerstörung - im Vordergrund ein Kämpfer der Spezialeinheit ISOF (Reuters/A.Al-Marjani)

Shkatërrime në Mosul

Ka dy muaj që në Irak është ndezur lufta më e përgjakshme që nga rënia e Sadam Huseinit e marshimit të trupave amerikane në vitin 2003: Ofensiva për marrjen e Mosulit nga milicët e të ashtuquajturit „Shtetit Islamik", IS. Qyteti disa milionësh është gati i ndarë nga bota, që kur milicët shiitë kanë vënë nën kontroll rrugën që në perëndim të çon drejt Sirisë. Me këtë synohet t'u ndërpritet furnizimi dhe tërheqja të 5000 milicëve të IS-it në Mosul.

Por ofensiva e trupave irakiane duket më e vështirë se mendohej. Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi kishte bërë të ditur marrjen e Mosulit brenda këtij viti. Marshimi i ngadalshëm ka të bëjë edhe me ndërrimin e taktikës së forcave irakiane. Renad Mansour, eksperti për Irakun nga Instituti „Chatam House" pohon se aktualisht nuk goditet me artileri të rëndë, si u veprua në rastin e Ramadit. „Në Mosul Abadi nuk dëshiron një eksod masiv, për t'u përballur me çështjet e vështira të rindërtimit dhe rikthimit të refugjatëve”, sqaron Mansour.

Mbrojtja e civilëve

Në Mosul ushtria irakiane dhe ushtarët elitë amerikanë po veprojnë me armë të lehta, konfirmon edhe përfaqësuesi për Irakun i UNHCR-s, Bruno Geddo. Kjo taktikë për mënjanimin e viktimave civile i lehtëson IS-it mbrojtjen. "”Shteti Islamik është shumë mobil. Ata lëvizin në tunele brenda qytetit dhe mund të godasin befasisht trupat irakiane.”

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara në nëntor janë vrarë rreth 2000 ushtarë irakianë. Iraku e hedh poshtë një shifër të tillë, por nuk jep të dhëna zyrtare për humbjet e veta. Po ashtu nuk ka të dhëna për numrin e viktimave të civilëve. Ndërkohë numri i refugjatëve ka arritur gati kuotën e 100.000 vetëve. Përfaqësuesi i UNHCR, Geddo bën fjalë për 96.000 vetë, të cilëve u është dashur të braktisin qytetin. Për ekspertin largimi nga zonat e kontrolluara nga IS-I në Mosul është i vështirë dhe mjaft I rrezikshëm.

Mosuli ndodhet në të dyja anët e lumit më të madh të Lindjes së Mesme, Tigris. Në kuadër të ofensivës janë çliruar vetëm rajone në verilindje të qytetit. Në këto luftime u angazhuan trupat me përvojë në luftimin shtëpi më shtëpi. Ndërsa në juglindje, trupat irakiane kanë vështirësi e duhet të përballen me humbje të rënda. Sipas ekspertit Bruno Geddo kur luftimet të afrohen në zonat mjaft të populluara të perëndimit, numri i refugjatëve do të pësojë një rritje dramatike, "Ne llogarisim me deri në 700.000 vetë që mund të braktisin Mosulin, për të cilët duhet gjetur një vend i sigurtë, ushqim dhe ujë.”

Pa ujë, pa ushqim, pa ngrohje

Në qytet brenda gjendja është dramatike. „Sipas rrëfimeve të qytetarëve që mund të largoheshin, e dimë se popullsia civile po kalon një kohë tmerrësisht të vështirë", thotë punonjësi i OKB-së, Bruno Geddo. Ai konfirmon se më shumë se një gjysmë milionë irakianë nuk furnizohen me ujë, katër nga pesë urat e Tigrisit janë shkatërruar, dhe se ushqimet e karburanti po mbarojnë. Kësaj i shtohet edhe fakti që IS i detyron njerëzit të hapin shtëpitë për ta, të cilat përdoren për të hedhur granata apo raketa, që mund të ketë si pasojë kundërpërgjigjen me zjarr edhe nga ana e forcave irakiane.

Por pyetja më e vështirë është se çfarë do të bëhet pas largimit të IS-it. Në koalicionin anti-IS janë bashkuar forca, të cilat i bashkon për momentin armiqësia ndaj të ashtuquajturit "Shtetit Islamik”, por që realisht janë kundërshtarë. Kurdët, arabët sunitë dhe shiitë, Turqia, qeveria irakiane dhe perëndimi, para së gjithash SHBA me 5000 trupa speciale e këshilltarë ushtarakë. Ende nuk ka një pozicion të përbashkët, se si do të mbyllet vakuumi i pushtetit pas fitores mbi të ashtuquajturin "Shteti Islamik.”