1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ofensiva e madhe kundër talibanëve - Provë për strategjinë e re të Obamës

Kjo është ofensiva më e madhe që prej rrëzimit të talibanëve në vitin 2001. Trupat e NATO-s luftojnë kundër luftëtarëve radikalë islamikë në Helmand në jug të Afganistanit.

Ofensivë e madhe kundër talibanëve.

Ofensivë e madhe kundër talibanëve.

Për shkak të eksplozivëve që talibanët kanë groposur në terrenin e vështirë rreth lokalitetit Marjah, ushtarët e NATO-s përparojnë shumë ngadalë. Kjo ofensivë e paralajmëruar prej kohësh duhet të sjellë kthesën në luftën që zgjat prej tetë vjetësh në Afganistan. Ajo është edhe provë për strategjinë e re të Presidentit të SHBA-së Barack Obama, i cili gjatë këtij viti do të rrisë me 35.000 ushtarë kontingjentin amerikan në Afganistan, për të filluar tërheqjen e tyre hap pas hapi që në vitin 2011.

Suksesi i ofensivës nuk është aspak i sigurtë

Në mediet amerikane dëgjohet dhe shihet shumë nga ofensiva në Afganistan. Reporterët nga SHBA-ja që shoqërojnë trupat amerikane gjatë luftimeve në provincën Helmand në jug të Afganistanit, informojnë në radio, televizion dhe në të përditshmet e mëdha. Nga Barack Obama, i cili ka dërguar atje ushtarët deri tani nuk është parë apo dëgjuar gjë. Kjo është e pazakontë pasi zakonisht Presidenti i SHBA-së komenton thuajse çdo veprim të qeverisë së tij. Deri tani komentimin e aksioneve në Afganistan Obama ia ka lënë këshilltarit të tij për çështje sigurie James Jones.

Ushtarët e NATO-s përparojnë shumë ngadalë.

Ushtarët e NATO-s përparojnë shumë ngadalë.

Obama u shfaq edhe në emisionet me tema politike të së dielës. Kështu edhe në kanalin NBC: "Është një moment i rëndësishëm se tani për herë të parë po zbatohen të gjithë elementët kryesorë të strategjisë së re të presidentit."

Strategjinë e tij e re për Afganistanin Barack Obama e prezantoi në fillim të dhjetorit të kaluar. Thelbi i saj ishte: më shumë trupa, më shumë ndihmë civile, më shumë para. Që prej së shtunës së kaluar trupat e SHBA-së në Afganistan luftojnë bashkë me ushtarët britanikë, holandezë dhe afganë në provincën Helmand kundër talibanëve. Në ofensivën më të madhe deri tani që prej hyrjes së trupave amerikane në Afganistan tetë vjet më parë, ku marrin pjesë gjithsej 15.000 ushtarë, ushtria e SHBA-së shumë gjëra do t'i bëjë ndryshe, thekson këshilltari i Obamës, gjenerali Jones: "Në vend që të vëmë në kontroll territorin për ta lëshuar më pas sërish, tani do t'i vëmë nën kontroll, do t'i mbajmë dhe do t'i rindërtojmë. Zona duhet të bëhet më e sigurtë, do të ketë administratë funksionuese. Në përgjithësi misioni duhet të ketë vulën afgane. Në fund afganët duhet të marrin në duar sovranitetin e këtyre provincave."

Thelbi i strategjisë së re është më shumë trupa, më shumë ndihmë civile, më shumë para.

Thelbi i strategjisë së re është më shumë trupa, më shumë ndihmë civile, më shumë para.

A janë në gjendje ta bëjnë këtë afganët?

Ky është plani. Por pyetja e madhe është: a janë në gjendje ta bëjnë këtë afganët? A do t'ia dalë vërtet qeveria e Karzait të ngrejë struktura të qendrueshme administrative në ish-fortesat e talibanëve dhe të kujdeset atje për siguri të mirëfilltë edhe pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë? Shumëkush ka dyshime për këtë. Edhe pse trupat amerikane luftojnë bashkë me ato afgane, janë amerikanët ata që vendosin në aksionet e ofensivës. Kështu informon të paktën reporterja Atia Abawi, e cila shoqëron për kanalin CNN ofensivën në Helmand: "Marinsat amerikanë drejtojnë pjesën më të madhe të luftimeve. Ata udhëheqin dhe fusin nën kontroll territore ."

Pra afganët janë ende shumë larg vënies së vulës në misionin në vendin e tyre dhe marrjes së përgjegjësisë. Deri në mes të vitit të ardhshëm kanë ata kohë. Pastaj Presidenti i SHBA-së do të fillojë të tërheqë trupat amerikane. "Nëse situata në Afganistan e lejon - kështu pati shtuar me kujdes Obama në prezantimin e strategjisë së tij të re dy muaj e gjysmë më parë."

Autor : Anne Angelke / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 16.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M2sL
  • Data 16.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M2sL