1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Oettinger: Europa nuk është varur nga gazi rus

Rusia vazhdon të furnizojë me gaz Ukrainën. Por për sa kohë dhe me çfarë çmimi? Günter Oettinger, Komisioneri i BE për Energjinë, thotë se BE mund të mbështesë Ukrainën për gjetjen e burimeve të reja të energjisë.

Sa e pavarur është Ukraina nga energjia ruse? Sipas Komisionierit të BE për Energjinë, Günter Oettinger, Ukraina është pjesë e Komunitetit Energjitik Europian dhe do të marrë ndihmën e duhur. „Pas ekzaminimit të sistemit tranzit të gazit në Ukrainë kemi bërë plane për modernizimin dhe rindërtimin e tij. Këto plane mund të realizohen shumë shpejt dhe një pjesë e tyre do të financohen nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Banka Botërore”, thotë Oettinger për Deutsche Welle.

Në këtë mënyrë do zbutet varësia e Ukrainës nga Rusia, pasi do të përmirësohen tubacionet e gazit që lidhin Ukrainën me Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë. Deri tani këto tubacione kanë transportuar gaz nga Lindja në Perëndim, por tani mund të përdoren për të transportuar në drejtimin e kundërt. Kështu Ukraina mund të furnizohet nga tregjet Europiane.

Disa media kanë raportuar se Gazpromi rus mund të ngrejë çmimin për Ukrainën në prill. Komisioneri Oettinger thotë se është e rëndësishme që Europa të tregohet fleksibël në një situatë të tillë. “Furnizimi i Ukrainës me gas nga Bashkimi Europian, jo vetëm do të pakësonte sasinë e gazit të importuar nga Rusia, por gjithashtu do të forconte pozitat në negociatat me Rusinë”, thotë Oettinger.

Ndërsa sa i përket zërave se edhe Europa është e varuar nga gazi rus, ai ka theksuar se nuk ka vend për shqetësim, duke parë rezervat e gazit në vendet e BE. Brenda Bashkimit Europian gazi mund të shpërndahet lehtësisht. “Ne kemi arritur pavarësinë shumë kohë më parë. Ne jemi në dialog të vazhdueshëm më partnerët tanë rusë. Ata na furnizojnë dhe ne paguajmë. Prandaj varemi nga njëri-tjetri. Në këtë pikë Rusa dhe BE janë të vendosura për të mbajtur larg çështjen e gazit nga kriza politike aktuale”, vazhdon më tej Komisioneri i Energjisë në BE, duke shtuar se furnzimi me gas nuk është një instrument politik.