1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

OBT bën "kthesën historike"

Edhe pse me vonesë, Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) ka arritur objektivin e saj: më në fund është arritur marrëveshja e parë e madhe për liberalizimin e tregtisë globale, për të cilën është punuar me dekada.

Pas shumë ecejakesh është arritur marrëveshja historike për reduktimin e barrierave tregtare në mbarë botën. E ashtuquajtura paketë e Bali-t për lehtësimin e tregtisë dhe ndihmave për vendet në zhvillim është konfirmuar në Bali me konsensus të gati 160 anëtarëve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). I lehtësuar, kryesuesi i Konferencës së 9-të Botërore të Tregtisë, Ministri i Tregtisë së Indonezisë, Gita Wirjawan, njoftoi për marrëveshjen e arritur në seancën e mbylljes së konferencës. Kjo është e para reformë gjithëpërfshirëse e tregtisë që nga themelimi i OBT-së në vitin 1995.

Në foto, Roberto Azevêdo

Në foto, Roberto Azevêdo

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë, Roberto Azevêdo, u shfaq krenar dhe i lehtësuar: "Megjithatë marrëveshja e Bali-t nuk është fundi, por vetëm fillimi", tha braziliani, i cili ndodhet në krye të OBT-së që nga shtatori i këtij viti.

Negociata të ndryshueshme

Për dallim të premten në mbrëmje mbizotëronte ende atmosfera e krizës: Kuba me mbështetjen e Bolivisë, Venezuelës dhe Nikaraguas refuzonte pakon e kompromisit të rënë dakord nga pjesa tjetër e 155 vendeve anëtare. Edhe pas shumë orë negociatash nuk kishte shenja se këto katër shtete do të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Të shtunën herët në mëngjes (sipas orës lokale) zëdhënësi i OBT-së, Keith Rockwell, njoftoi se konferenca do të zgjatet. Përsëri vazhduan bisedimet dhe në fund me SHBA-në u gjetën formulimet e duhura, të cilat i mundësuan Kubës që të lejojë miratimin.

Pamje nga punimet e konferencës në Bali

Pamje nga punimet e konferencës në Bali

Më parë ishte arritur të mënjanohej edhe pengesa e madhe për marrëveshjen e parë të madhe për liberalizimin e tregtisë: me bekimin e SHBA dhe BE-së, India dhe vende të tjera mund të subvencionojë ushqimin e tyre për të varfërit. Ky përjashtim nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) duket se do t'i hapë rrugën lehtësimeve tregtare, zhvillimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës sidomos në vendet në zhvillim.

Rregulla të posaçme për Indinë

India kishte miratuar një program në gusht, përmes të cilit do të furnizojë 820 milionë njerëz me oriz dhe grurë të subvencionuar me çmime të lira. Nga ky projekt gjigant nuk përfitojnë vetëm të varfërit, por edhe fermerët dhe tregtarët. Përmasat e këtij projekti mund të shkelin rregullat e OBT-së, të cilat kanë për qëllim të pengojnë shtrembërimin e konkurrencës dhe për këtë arsye kufizojnë subvencionet e tilla në dhjetë për qind të prodhimit të përgjithshëm.

Pamje nga punimet e konferencës në Bali

Pamje nga punimet e konferencës në Bali

Gjithsejt dhjetë marrëveshjet e së ashtuquajturës paketë e Bali-t paraqesin kontratën e parë të madhe për reduktimin global të barrierave tregtare. Në prill të vitit 1994 me Marrëveshjen e Marrakesh-it përfundoi "Raundi i Uruguait" dhe në të njëjtën kohë ishte vendosur krijimi i OBT-së. Pas kësaj, në vitin 2001, anëtarët e OBT-së filluan "Raundin e Doha-s", i cili duhet të zvogëlonte barrierat në tregtinë botërore, të tilla si kufizimet apo detyrimet e importit. Megjithatë, planet dështonin rregullisht për shkak të kontradiktave ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Tani konferenca ministrore në Bali ishte konsideruar si ndoshta shansi i fundit për të ringjallur raundin e bisedimeve të Doha-s, të cilat kishin ngecur për dymbëdhjetë vjet.