1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama viziton përkujtimoren e kampit të përqendrimit të Buhenvald-it

Kampi i përqendrimit i Buhenwald-it ishte njëri prej më të mëdhenjve në Gjermani. Në çlirimin e tij kontribuoi në 1945-ën edhe një kushëri i presidentit amerikan. Sot Obama do të informohet vetë në vendin e ngjarjes.

Presidenti Obama në Dresden

Presidenti Obama në Dresden

Vizita e Obamas kryhet jo në Berlin, por në Dresden

Presidenti i SHBA-së Barack Obama viziton Gjermaninë. Por jo në kryeqytet, në Berlin. - Jo, ai do të vizitojë ish-kampin e përqëndrimit Buhenvald pranë Vajmarit si dhe spitalin ushtarak të SHBA-së në Landstuhl në Pfalc. Por qysh nga mbremja e se enjtes si qëndron në Drezden, ku zhvillohet dhe takimi me kancelaren Angela Merkel.

Numri i të vdekurve në Buhenvald llogaritet afërsisht 56.000 vetë

Kampi i Buhenvaldit u ngrit në vitin 1937 pranë Vajmarit dhe ishte një ndër më të mëdhenjtë në Gjermani. Deri në prill 1945 u mbajtën këtu dhe në më shumë se 100 kampet përreth një çerek milioni njerëz nga e gjithë Evropa, të cilët kryenin punë të detyruar në prodhimin e armatimeve.

Shumë të burgosur të kampit të përqëndrimit nuk i mbijetuan torturave - numri i të vdekurve përllogaritet afërsisht 56.000 - ndonëse Buhenvaldi nuk ishte një kamp shfarosjeje si Aushvici. Megjithatë edhe këtu kanë vrarë SS-ët, trupa e sigurisë dhe e terrorit të nacionalsocialistëve dhe dhjetëra mijëra të burgosur kanë gjetur vdekjen në kushte çnjerëzore. Kampi kryesor ka qenë i rrethuar me tela me gjemba dhe gardh elektrik si dhe mbikqyrej me automatik prej kullave të vrojtimit. Godina e portës ishte një sallë vrasjesh dhe torturash dhe mbi të qëndronte mbishkrimi cinik: " Secili atë që meriton“.

Amerikanët gjetën një pamje të tmerrshme me male me skelete në kamp

Kur në fillim të prillit 1945 trupat e SHBA-së po i afroheshin kampit, SS dërguan rreth 40.000 të burgosur në marshimin e vdekjes në drejtim të kampeve të tjera të përqëndrimit - vetëm si pasojë e këtij veprimi gjetën vdekjen deri në 15.000 vetë. Grupi i rezistencës i formuar prej të burgosurve të kampit përpiqej t' i vononte marshimet e vdekjes. Madje përmes radios mund t' i dërgohej thirrja për ndihmë trupave të SHBA-së që afroheshin. Pak përpara se të afroheshin trupat, të burgosurit e mbetur mundën të çliroheshin prej tortures. Amerikanët gjetën një pamje të tmerrshme me male me skelete. Ish-korrespondenti i CBS-it Edward Murrow:

„Dukej që shumica e burrave dhe djemve nuk ishin ekzekutuar por kishin vdekur nga uria. Por mënyra se si kishin vdekur dukej pak e rëndësishme. Në Buhenvald ishin bërë vrasje.“

Qytetarët nga Vajmari me urdhër të amerikanëve duhej ta shihnin kampin me pirgjet me skelete

Pak pas çlirimit qytetarët nga Vajmari aty pranë me urdhër të amerikanëve duhej ta shihnin kampin me pirgjet me skelete njerëzish, me krematorë dhe me të burgosur të pafuqishëm. Ish-reshteri amerikan Roberts:

„Të gjithë pretendonin, se nuk kishin ditur gjë për atë çfarë kish ndodhur. Por ishte më se evidente, që ata e dinin se çfarë kishte ndodhur. Vetëm se ata nuk donin ta besonin, që kjo kishte ndodhur.“

Në këtë territor në vitin 1958, ish-RDGJ hapi muzeun përkujtimor kombëtar Buhenvald.

Nxënësit e Vajmarit këndojnë një këngë kushtuar të keqtrajtuarve në Buhenvald

Në vitin 1991 vendi përkujtimor u rikonstruktua me shumë ekspozita mbi historinë e Buhenvaldit.

Buhenvaldi vizitohet edhe nga shumë të rinj. Nxënësit e Vajmarit e mbajnë të gjallë kujtimin ndaj vuajtjeve të të burgosurve të kampit të përqëndrimit dhe këndojnë një këngë të kompozuar prej tyre kushtuar të keqtrajtuarve në Buhenvald.

50 km nga Buhenvaldi në fund të 1944 u ndërtua një shtesë e kampit në Ohrdruf të Tyringenit. Deri në 12.000 të burgosur u vunë në punë për ndërtimin e tunelit dhe të komplekseve të bunkerëve, që mendohet të ketë qenë planifikuar si kuartieri qendror i Hitlerit. Më 2 prill 1945 edhe këtu SS nisën një marshim vdekjeje. Të burgosurit e arratisur i drejtuan trupat e SHBA-së që arritën pikërisht këtu më 5 prill 1945. Ky ishte kampi i parë i çliruar me të burgosur të mbijetuar. Një ndër ata që çliruan kampin ishte edhe një dajë i madh i peresidentit të sotëm të SHBA-së, Barack Obama. Më 12 prill 1945 gjeneralët e SHBA-së vizituan kampin, ndër to edhe Dwight D. Eisenhower. Kur më vonë ai u bë president në ditarin e tij e kish përshkruar kampin si një shok.

Autor: Johen Vock / Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 05.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3rf
  • Data 05.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3rf