1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama vepron, Berlini reflekton - strategjia amerikane për Afganistanin

Presidenti amerikan Barack Obama do të dërgojë edhe 30.000 ushtarë të tjerë në Afganistan. Ai pret që edhe aleatët e SHBA-ve të dërgojnë më tepër ushtarë. Por qeveria gjermane tani për tani nuk premton asgjë.

Presidenti Barack Obama për politikën e re ndaj Afganistanit

Presidenti Barack Obama për politikën e re ndaj Afganistanit

E lëkundur mbështetja në Gjermani për ushtarët në Afganistan

Barack Obama kërkon më shumë trupa për Afganistanin, qeveria federale gjermane hesht, me dëshirën që ajo do të qëndrojë gjithmonë në prapavijë. Tani për tani vendi i tretë për nga numri i ushtarëve në Afganistan po tregon pak sovranitet. Tepër i lëkundur është konsensusi shoqëror për misionin e 4.500 ushtarëve të Bundesvehrit (ushtria gjermane) për të cilin vetëm për vitin e ardhshëm janë llogaritur 785 milionë euro.

Dhe tani duhet të dërgohen ndoshta edhe 2.000 ushtarë të tjerë? Qeveria gjermane thotë se duhet të pritet konferenca ndërkombëtare për Afganistanin në fund të janarit duke i krijuar kështu vetes pak hapësirë manovrimi. Ndonëse kjo mund të tingëllojë si një veprim i mençur strategjik, në të vërtetë nuk ndihmon shumë. Marrja e vendimit nuk do të jetë e lehtë as pas tetë javësh.

Për Barack Obamën nuk janë të panjohura rezervat gjermane, megjithatë kur bëhet fjalë për këtë rast atij nuk i interesojnë ato. Nëse nuk përparon në Afganistan, atëherë atij i duhet ta harrojë rizgjedhjen në postin e presidentit. Sensibiliteti i partnerëve evropianë në NATO ka në këtë mes rëndësi të dorës së dytë. Duke marrë parasysh këto rrethana qeveria gjermane do të bënte mirë të kishte të paktën përkohësisht një përgjigje të gatshme.

Kjo mund të ishte edhe një jo e argumentuar mirë për shtimin e trupave e lidhur edhe me çështjen se si e parashikojnë amerikanët të fitojnë zemrat e afganëve vetëm me armë dhe bomba. Pas kësaj duhej të shtrohej për diskutim edhe çështja se sa i nevojshëm është në të vërtetë shtimi i trupave në veri të Afganistanit, ku vepron Bundesveri gjerman. Apo nëse qeveria gjermane do t' i plotësonte përpjekjet ushtarake të Obamës duke premtuar më tepër ndihma civile. Dhe nëse vërtetë qeveria gjermane planifikon të dërgojë më tepër ushtarë në Afganistan, atëherë tani do të ishte koha e përshtatshme për një diskutim publik mbi mundësitë dhe rreziqet e shtimit të trupave.

Gjermania mendon për qëndrimin e saj ndaj Afganistanit. Në foto: kancelarja Angela Merkel

Gjermania mendon për qëndrimin e saj ndaj Afganistanit. Në foto: kancelarja Angela Merkel

Strategji e re për Afganistanin në fund të janarit

Me qëndrimin e saj si e shtangur nga tmerri qeveria gjermane vetëm sa turpërohet. Nga njëra anë ajo dëshiron që të konsultohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të respektohet në NATO, nga ana tjetër ajo e shtyn marrjen e vendimit, të cilin sidiqoftë duhet ta marrë një ditë. Ajo i var tani shpresat tek një strategji e re, e cila duhet të përcaktohet në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin në fund të janarit. Kjo është naive për faktin se pas fjalimit të presidentit Obama strategjia për Afganistanin është e qartë: ai planifikon që me 100 mijë ushtarë amerikanë të shkatërrojë rrjetin terrorist të Al Kaidës. Gjithçka tjetër duhet duhet t'i nënshtrohet këtij qëllimi, gjithçka tjetër, pavarësisht faktit, që asgjë nuk mund t' i shtosh më shumë në aspketin ushtarak një demonstrimi të tillë të forcës.

Pra nuk ndryshon asgjë, nëse qeveria gjermane përpunon pas dyerve të mbyllura një kompromis me gjysmë zemre, i cili në rastin më të keq në muajin shkurt do të presupozonte rritjen e kontigjentit gjerman si zgjidhjen e vetme të mundshme. Pikërisht tani pas ngecjes së komunikimit lidhur me sulmin fatal nga ajri në Kundus, qeveria gjermane duhet ta dijë se s' ka rrugë tjetër veçse të jetë e hapur dhe e sinqertë. Dhe këtu bëjnë pjesë para së gjithash, përcaktimi i objektivave për sektorin e veprimit në Afganistan dhe paraqitja e një perspektive për tërheqjen.

Autor: Nina Werkhäuser/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 04.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KqBD
  • Data 04.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KqBD