1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama tregon më pak ambicie

Presidenti i SHBA ndërmori shumë përpjekje për t'i nxitur për kompromise izraelitët me palestinezët. Më kot. Tani ai priti sërish kryeministrin e Izraelit. Në Uashington janë të deziluzionuar.

"Change and hope" - kudo një fillim i ri, edhe në politikën e jashtme. Kjo ishte ajo që premtoi dikur një kandidat elokuent për President të SHBA. Barak Obama donte të sillte paqe në Lindjen e Mesme, pasi të zgjidhej. Me të vërtetë ai ndërmori disa përpjekje për t'i nxitur izraelitët dhe palestinezët për të arritur një kompromis. Më kot. Ndërkohë ai është bërë modest. Obama e di: Izraeli vazhdon t'i ndërtojë kolonitë e tij në Jordanin Perëndimor dhe palestinezët nuk shpallin heqjen dorë nga dhuna. Paqja në Lindjen e Mesme do të mbetet një ëndërr, të paktën hë për hë.

Raport i tensionuar

Gjithsesi u arrit një marrëveshje për çështjet atomike me Iranin. Obama e feston marrëveshjen si sukses të madh. Kurse kryeministri i Izraelit nga ana tjetër vuri në lëvizje të gjitha levat, për ta minuar marrëveshjen me Iranin. Me këtë ai i rëndoi marrëdhëniet gjithsesi të tensionuara me SHBA. Të dy politikanët nuk i besojnë njëri-tjetrit. Por ata janë politikanë profesionistë. Nuk kanë interes që mosmarrëveshjet t'i shpallin publikisht. Ata duan të fitojnë kohë. Obama është edhe një vit në post. Deri sa të largohet ai, nuk do të ketë politikë të re në Lindjen e Mesme.

Kurse Netanjahu megjithatë kërkon ta shfrytëzojë kohën e mbetur. Në fund të fundit, në negociatat me Iranin Obama është shprehur gjithmonë në mbështetje të sigurisë së Izraelit. Kryeministri dëshiron të vazhdojë një partneritet sigurie me Uashingtonin, që kap miliarda dollarë: një "memorandum of understanding" përkatës përfundon në vitin 2018. Netanjahu dëshiron një marrëveshje të ngjashme me një kohëzgjatje dhjetëvjeçare. Kjo do të ndihmonte që të financiohej dhe modernizohej ushtria e Izraelit.

Miodrag Soric

Miodrag Soric

Obama ka përpara vetes një akt ekuilibri të vështirë. Për arsye të politikës së brendshme, Presidentit i duhet të plotësojë shumë kërkesa të Izraelit për armë të reja. Por jo të gjitha kërkesat. Sepse partnerë të tjerë të SHBA në rajon - si Egjipti, Arabia Saudite dhe Jordania - kanë gjithashtu interesa sigurie. Edhe ato duhet t'i mbajë parasysh Shtëpia e Bardhë.

Interes në rënie

Peshat tektonike të politikës së sigurisë po zhvendosen. Në një kohë kur Irani nuk zotëron asnjë bombë të vetme atomike, fqinji i tij Pakistani ka avancuar që prej vitit 1998 në fuqinë e tretë atomike në botë. Në bazë të vlerësimeve, Islamabadi zotëron 120 koka me mbushje bërthamore. Me këtë ai zotëron më shumë të tilla se Pekini, Londra ose Parisi. Pakistani nuk i respekton marrëveshjet për mospërhapjen e armëve bërthamore. Ai ua shet dijet e tij atomike madje edhe shteteve gangstere si Koreja e Veriut. Me këtë ai e dëmton sigurinë e SHBA shumë më tepër se sa do të mund ta bënte Irani.

Mossukseset e Obamas në procesin e paqes në Lindjen e Mesme u kanë hapur sytë shumë njerëzve në Uashington. Gjendja është e vështirë, në Siri, në Irak dhe në vende të tjera. Kësaj i shtohet çmimi i ulët i naftës. Interesi i Uashingtonit për Lindjen e Afërme po bie. Më e leverdisshme është të hidhet vështrimi drejt Azisë Lindore. Atje mund të fitosh para. Konfliktet në Lindjen e Afërt - ato vetëm kushtojnë para.