1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama skeptik ndaj iniciativës për Sirinë

Në konfliktin me Sirinë Barack Obama i mban të gjitha opsionet e hapura, para së gjithash atë ushtarak. Presidenti mendon se është "shumë herët" për të gjykuar, nëse iniciativa diplomatike ruse do të ketë sukses.

"Gjatë ditëve të kaluara kemi parë disa shenja shpresëdhënëse", tha Presidenti i SHBA-së në një fjalim 15 minutësh drejtuar kombit. Iniciativa ruse për Sirinë "ka potencial të eliminojë pa përdorimin e dhunës ushtarake, kërcënimin nga armët kimike". Për këtë arsye Presidenti i ka kërkuar Kongresit të shtyjë votimin për një ndërhyrje ushtarake. Obama njoftoi se vendi i tij do të punojë së bashku me Francën, Britaninë e Madhe, Kinën dhe Rusinë për një rezolutë të OKB-së, e cila do të detyrojë kreun e shtetit sirian, Bashar Al-Asad, të vendosë nën kontroll ndërkombëtar armët e tij kimike.

Në të njëjtën kohë Obama bëri të qartë se ai vazhdon të jetë i vendosur për një sulm ushtarak, nëse përpjekjet diplomatike do të dështonin. "Askush nuk kundërshton se në Siri janë përdorur armë kimike", tha Presidenti. "Ne e dimë se për këtë ishte përgjegjës regjimi i Asadit." Përdorimi i gazit helmues është "një krim kundër njerëzimit". Në 22 gusht bota pa detajet mizore të një sulmi me armë kimike.

I shkurtër por jo i padëmshëm

Amerikanët nuk mbështesin ndërhyrjen ushtarake në Siri

Amerikanët nuk mbështesin ndërhyrjen ushtarake në Siri

Obama pranoi se një ndërhyrje ushtarake në Siri nuk është popullore tek amerikanët. "Nuk është çudi që amerikanët bëjnë pyetje të vështira", tha Presidenti në fjalën e tij për kombin. Obama ritheksoi se në rast të një sulmi ushtarak nuk do të ketë ndërhyrje me trupa nga toka. Veç kësaj nuk do të bëhej fjalë për një konflikt të gjatë si p.sh. në Afganistan. Por Asadi nuk duhet të mendojë se sulmi do të jetë i padëmshëm. "Ushtria amerikane nuk bën 'pickime'. Edhe një sulm i kufizuar dërgon një mesazh, që nuk mund ta dërgojë asnjë komb tjetër." Ndërsa regjimi sirian nuk ka asnjë mjet për të kërcënuar seriozisht ushtrinë e SHBA-së.

"SHBA nuk është polici i globit, por në Siri janë në lojë idealet, parimet dhe siguria kombëtare e SHBA-së", tha Obama. Heqja dorë nga ndëshkimi i Asadit do të ishte në favor të kundërshtarëve të SHBA-së dhe do t'i inkurajonte ata. "Nëse nuk veprojmë, për regjimin e Asadit nuk ka asnjë arsye të ndërpresë përdorimin e armëve kimike."