1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama shton presionin mbi Islamabadin - Pakistani duhet të zbulojë ndihmësit e bin Ladenit

Bin Laden duhet të ketë pasur një lloj rrjeti mbështetësish në Pakistan, tha Obama në intervistë me kanalin televiziv CBS. Ndryshe nuk ka pasur si të jetojë vite të tëra në Abottabad, qytet me disa institucione ushtarake

Presidenti Barack Obama

Presidenti Barack Obama

Për presidentin amerikan Barack Obama çështja është e qartë. Shefi i terrorit Osama bin Laden duhet të ketë pasur një lloj rrjeti mbështetësish në Pakistan, por deri tani qeveria amerikane nuk e di se kush, ose çka qëndron pas tij, tha Obama: "Ne mendojmë se në Pakistan ka pasur një lloj rrjeti mbështetjeje për bin Ladenin. Por ne nuk e dimë se kush bënte pjesë në të dhe çfarë ndihme është ofruar."

Kush kanë qenë ndihmësit e bin Ladenit

Gazetat njoftojnë për Osama bin Ladenin

Gazetat njoftojnë për Osama bin Ladenin

Biseda me kanalin televiziv CBS ishte intervista e parë e gjatë e presidentit amerikan pas aksionit komando kundër Osama bin Ladenit. Duke folur për aksionin, Obama e pranoi se kanë qenë 40 minutat më të gjatë në jetën e tij, ai foli për një gjendje shumë të tensionuar

Obama kërkoi nga qeveria në Islamabad që të hetojë se kush ka mundur ta ndihmojë bin Ladenin. Këshilltari i tij për çështje të sigurisë, Tom Donilon, tha për NBC se deri tani nuk ka dëshmi që qeveria, ushtria, apo shërbimi i fshehtë pakstanez kanë qenë në dijeni që Osama bin Laden ka jetuar prej vitesh jo larg kryeqytetit të Pakistanit. Donilon kërkoi nga qeveria në Islamabad që t'i ofrojë palës amerikane informatat e mbledhura deri tani për vendqëndrimin e bin Ladenit, si dhe mundësinë për të biseduar me tre gratë e tij, të cilat po mbahen në paraburgim nga forcat pakistaneze të sigurisë.

Qeveria amerikane ka shtuar trysninë ndaj Pakistanit, por njëkohësisht lavdëron bashkëpunimin e deritanishëm. Askund në botë nuk janë vrarë kaq shumë terroristë sa në territorin pakistanez, tha presidenti Obama për kanalin televiziv CBS dhe kjo ka qenë e mundur vetëm me ndihmën e autoriteteve vendore. Por për shkak të rolit të paqartë të qeverisë paksitaneze në kongresin amerikan është ndezur debati për shkurtimin e ndihmave financiare në lartësi prej miliardave për Pakistanin. "Para se të kemi dërguar edhe një cent të vetëm ne duhet të jemi të sigurtë se Pakistani është me të vërtetë në anën tonë në luftën kundër terrorizmit", thotë senatroi demokrat, Frank Lautenberg.

Osama bin Laden në vilën e tij në Abottabad

Osama bin Laden në vilën e tij në Abottabad

Ndërsa senatori me ndikim John Kerry tha për CBS-in, se ai sheh një mundësi të madhe për rivlerësimin e raporteve amerikane me Afganistanin dhe Pakistanin. Ndërkaq ish zëvendëspresidenti Dick Cheney paralajmëroi nga kthimi i shpinës këtyre dy vendeve. "Nëse ne kthehemi dhe largohemi prej Pakistanit, apo Afganistanit, apo nga ajo pjesë e botës në përgjithësi, atëherë unë kam frikë se do të fajësohemi për problemet e shkaktuara deri tani". Prandaj sipas Cheney amerikanët kanë nevojë për t'i ruajtur marrëdhëniet e punës me Pakistanin, Afganistanin dhe pjesën tjetër të rajonit e jo të kërkojnë për tu larguar nga atje. Ky rajon nuk duhet të lihet vetëm, një tërheqje e nxituar do të ishte sinjal i gabuar, ka thënë Cheney për kanalin FOX News.

Autor: Nicole Markwald/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM