1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama President - Një zgjedhje e mirë për Amerikën

Me rizgjedhjen e Barack Obamës amerikanët kanë marrë vendimin e duhur. Ai nuk është presidenti perfekt, por zgjidhja më e mirë në krahasim me kandidatin republikan Mitt Romney, mendon Christina Bergmann.

Përsa i përket politikës financiare, Presidenti Obama ka arritur të nxjerrë SHBA nga recesioni dhe të parandalojë një të dytë. Pas një muaji në detyrë, ai nënshkroi paketën ekonomike të shpëtimit koniunkturor me një vlerë prej më shumë se 787 miliardë dollarë. Ai vazhdoi në këtë mënyrë politikën, që kishte filluar paraardhësi i tij Xhorxh W. Bush, ndër të tjera me një plan për shpëtimin e bankave. Situata ekonomike nuk është rozë, shkalla e papunësisë me tetë për qind është ende relativisht e lartë, por ekspertët janë dakord se pa masat e duhura, gjendja do të ishte shumë më e keqe.

Një nga sfidat më të mëdha, me të cilat përballet presidenti në mandatin e ardhshëm, është borxhi i lartë prej 16 bilionë dollarësh. Presidenti është shprehur për një përzierje të rritjes së taksave dhe uljes së shpenzimeve, që është e vetmja mënyrë matematikisht e mundshme për të dalë nga kriza e borxhit. Nga ana tjetër është betimi i republikanëve, të cilin e kishte nënshkruar edhe Mitt Romney, për të mos pranuar në asnjë mënyrë një rritje të taksave. Kjo është politikisht e papërgjegjshme dhe matematikisht jorealiste. Kush përjashton që nga fillimi një kompromis të mundshëm negociues, vepron me papjekuri prej fëmije.

Maturi dhe qëndrueshmëri

Në politikën sociale tani mund të vlejë nisma ligjore, që Obama ka miratuar me përpjekje të madhe: reforma në shëndetësi. Një mandat i dytë për Obamën do të thotë se miliona amerikanë mund të përfitojnë sigurimin shëndetësor, dhe që një sëmundje nuk të çon më në shkatërrim financiar. Mitt Romney kishte kërcënuar se do ta hiqte atë që në fillim.

Dw Mitarbeiterin Studio Washington. DW Januar 2012

Christina Bergmann

Obama mund të dëshmojë edhe nisma të tjera ligjore, për shembull, ajo që i garanton grave paga të njëjta si burrave për të njëjtën punë dhe që homoseksualët mund të dalin hapur në ushtri me prirjen e tyre. Në reformën e ardhshme për cështjet e migrimit pritet që presidenti të ndjekë një politikë humane, ndryshe nga republikanët që bëjnë përjashtimin e një grupi njerëzish, të cilët kontribuojnë me pjesën e tyre në suksesin ekonomik të vendit.

Edhe në politikën e jashtme edhe pse presidenti nuk ka bërë gjithcka si duhet – sepse hezitimi i tij në lidhje me demonstratat në Iran dhe gjakderdhja në Siri është vështirë të kuptohen – por kush e akuzon atë, se ka vepruar shumë nga sfondi, duhet të dijë se amerikanët e zgjodhën në vitin 2008, sepse ai premtoi pikërisht këtë, ta kthejë Amerikën nga një vetmitar të urryer në një partner të kërkuar në koalicione. Aksioni ushtarak ndërkombëtar në Libi është shembulli më i mirë, se ai ia ka arritur kësaj.

E fundit por jo më pak e rëndësishme: Se si do të jetë politika e SHBA-së nën presidentin Obama pak a shumë duket. Obama ka drejtuar në katër vitet e fundit me maturi dhe qëndrueshmëri. Se si do të vepronte Mitt Romney do të ishte e vështirë të parashikohej për shkak të ndryshimeve të opinioneve të republikanëve në pothuajse të gjitha fushat. Por Amerika ka nevojë për një autoritet të kalkulueshëm në krye. Me Barak Obamën, amerikanët kanë rizgjedhur një të tillë.