1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Obama pranon mangësi në sektorin e sigurisë

Pas tentativës për atentat ndaj një avioni civil amerikan, presidenti i SHBA-së Barack Obama ka pranuar dështimin e sistemeve shtetërore të sigurisë dhe mangësi të rënda në punën e forcave të sigurisë.

Presidenti Barack Obama

Presidenti Barack Obama

Në pozicionimin e tij të dytë ndaj tentativës për atentat kundër një avioni civil presidenti i SHBA-së Obama pranoi mangësi serioze në punën e forcave të sigurisë. I dyshuari si atentator ishte i njohur për këto autoritete. Megjithë informacionet që babai i 23-vjeçarit u kishte dhënë autoriteteve amerikane, nuk kishte ndodhur asgjë. Obama konstaton: në sistem ka një defekt, dhe kjo është për të krejt e papranueshme. Sipas Obamës një përzierje mes gabimeve njerëzore dhe atyre të kushtëzuara nga sistemi në forcat amerikane të sigurisë, bëri që atentatori i dyshuar të arrinte të hipte në bord të avionit.

Obama: Sistemi i sigurisë në SHBA jo bashkëkohor

Sipas informacioneve të kanalit televiziv amerikan CNN, babai i të riut nigerian, në një vizitë në ambasadën amerikane në Nigeri, kishte paralajmëruar një punonjës të CIA-s për djalin e tij. Agjenti i CIA-s shkruajti një raport dhe e nisi atë në qendrën e shërbimit sekret. Por raporti mbeti atje. Informacionet bënë vetëm që atentatori i dyshuar të vendosej në një listë me më shumë se gjysmë milioni emra të personave në vëzhgim. Por ai nuk u vu në listën e personave, të cilëve u ndalohet fluturimi me avionë amerikanë.

Shtohen kontrollet në aeroporte

Shtohen kontrollet në aeroporte

Obama kritikoi sistemin e sigurisë në SHBA si jo bashkëkohor: "Që nga 11 shtatori kemi arritur shumë në drejtim të mbledhjes së informacioneve që kanë të bëjnë me terroristët apo sulmet e mundshme terroriste. Megjithatë po bëhet e qartë se sistemi që kemi ngritur katër vjet më parë nuk është aq bashkëkohor sa duhet për të shfrytëzuar plotësisht përparësitë e informacioneve që mbledhim dhe njohurive që kemi."

Presidenti amerikan tha se do të nxirren shpejt mësime. Që nesër Obama kërkon të ketë një raport të përkohshëm rreth hetimeve mbi rrethanat e përgjithshme të tentativës për atentat. Vendimtare është që problemet të evidentohen shpejt dhe të kujdesemi menjëherë për to, tha Obama.

Autor: Albrecht Ziegler/Eliana Xhani
Redaktor: Pandeli Pani