1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama për vizitë në vendet e Azi-Paqësorit

Presidenti amerikan Obama fillon një udhëtim në Azinë Jugore: Të dielën dhe të hënën (18/19.11.) ai do të jetë në Tajlandë. Të martën në Myanmar do të realizojë një vizitë historike. Dhe në fund qëndron në Kamboxhia.

Thomas Donilon paraqet sipas renditjes kronologjike itinerarin e presidentit Obama: "Fillimisht Tajlanda, pastaj vizita historike në Birmani dhe më në fund Kamboxhia. Fakti që Obama udhëton në këtë rajon menjëherë pas rizjedhjes në postin e presidentit tregon rëndësinë që ai i kushton atij."

Në foto, Thomas Donilon

Në foto, Thomas Donilon

Thomas Donilon është kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë dhe duhet ta dijë një gjë të tillë. Sepse katër vjet më parë, Barack Obama e kishte ngarkuar atë me shqyrtimin e politikës ekzistuese ndaj Azisë Jugore. "Ne në Këshillin e Sigurimit Kombëtar kemi ndërmarrë një rishikim strategjik. Ne kemi vlerësuar praninë tonë, reputacionin tonë dhe interesat tona dhe kemi pyetur: Çfarë gjurmësh po lëmë pas? Pyetja kryesore ishte: ku jemi të përfaqësuar shumë fortë dhe ku shumë dobët? Presidenti erdhi në përfundim se ne jemi të përfaqësuar fort sidomos në aspektin ushtarak në Lindjen e Mesme ndërsa të përfaqësuar dukshëm jo sa duhet në rajone të tjera sidomos në rajonin e Azi-Paqësorit.

SHBA interesohet për marrëdhënie të qëndrueshme me Kinën

Pamje nga Kamboxhia ku do të zhvillojë punimet samiti i ASEAN-it

Pamje nga Kamboxhia ku do të zhvillojë punimet samiti i ASEAN-it

Ky rajon është zyrtarisht që nga viti i kaluar në qendër të një strategjie të përshtatur gjeo-politike. Me rëndësi të veçantë është Kina, me presidentin e të cilës Barack Obama do të takohet në samitin e ASEAN-it në Kamboxhia. Megjithatë, edhe vendet e tjera të Detit të Kinës Jugore janë me interes të madh për Shtetet e Bashkuara. Siç shhpjegon Thomas Donilon në prag të fillimit të vizitës, këto vende presin ndihmën dhe mbrojtjen e SHBA-ve nga Kina gjigande fqinje, dhe Amerika do të përmbushë dëshirat e tyre. Nga ana tjetër Uashingtoni dëshiron marrëdhënie të qëndrueshme edhe me udhëheqjen e re kineze. Një akt balancues: njohja e superfuqisë në zhvillim por pa e paraqitur veten të dobët. Për shembull: "Deri në vitin 2020 ne do të përqëndrojmë 60 për qind të kapaciteve të përgjithshme të flotës tonë në këtë rajon. Oqeania është thelbësore për sigurinë tonë detare - ne angazhohemi këtu për partneritet, tregti të papenguar dhe liri të lundrimit."

Marrëdhënie të ngushta me njerëz kyç

Në foto kryeministri kamboxhian, Hun Sen

Në foto kryeministri kamboxhian, Hun Sen

Uashingtoni është duke e bërë këtë me para, me kontaktet e biznesit, me armë dhe marrëdhënie të ngushta me njerëz kyç si për shembull kryeministrin kamboxhian Hun Sen. Qeveria amerikane ka paguar për dy djemët e tij programe të shtrenjta shkollimi në akademitë më të njohura ushtarake në SHBA. Ndërkaq djali i mesëm i kryeministrit Sen drejton njësinë speciale anti-terroriste kamboxhiane e cila pajiset dhe trajnohet nga Pentagoni që prej vitit 2008, njofton "Washington Post".

Fakti që Hun Sen vet ishte dikur komandant i Kmerit të Kuq vrasës dhe tani udhëheq vendin në mënyrë autoritare është i pakëndshëm për administratën e Obamës por jo edhe një pengesë e pakapërcyeshme. Organizata të tilla si Human Rights Watch akuzojnë qeverinë kamboxhiane dhe ushtrinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për një listë të gjatë të vrasjeve të motivuara politikisht.