1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama për shanse të barabarta për të gjithë

Presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij para kombit sukseset e administratës së tij. Por ai nuk ka qenë në gjendje ta sjellë ndryshimin e premtuar në vitin 2008, mendon Christina Bergmann.

Obama: Më shumë vende pune dhe tatime më të larta për të pasurit.

Obama: Më shumë vende pune dhe tatime më të larta për të pasurit.

Ishte një fjalim elokuent i presidentit, pa dyshim. Me zotësi ai vendosi dy lajme të mira në fillim dhe në fund: Eliminimin e terroristit Osama Bin Laden dhe fundin e Luftës së Irakut. Urdhëri për veprim kundër udhëheqësit të El-Kaidës dhe organizatorit të sulmeve të 11 Shtatorit i solli atij (me të drejtë) kudo respekt dhe vlerësim. Fundi i Luftës së Irakut ishte përmbushja e një premtimi të fushatës zgjedhore.

Me siguri edhe pjesa tjetër e fjalimit ngjalli mirëdashje te shumë dëgjues në vend: të fuqizohen energjitë e pastra [për mjedisin], të bëhen përpjekje për të pasur arsimim më të mirë të fëmijëve dhe kualifikim më të mirë të punëtorëve, të mos taksohen miliarderët me një përqindje më të ulët, sesa ajo e sekretareve të tyre, të shprehet acarimi prej ngecjes së punëve në Uashington: e kush mund të ishte kundër këtyre gjërave?

Déjà Vu

Obama fillon fushatë elektorale

Obama fillon fushatë elektorale

Mirëpo problemi është ky: Obama është prej tri vitesh president. Për krijim vendesh pune nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës së Amerikës, nxitje të energjive të ripërtëritshme, konkurrencë që nuk fle në Kinë e Gjermani e së cilës i duhet kundërvënë, rregullim të bankave dhe domosdoshmëri të nxitjes së mësuesve të mirë. Ai bëri fjalë që në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e kombit, në janar 2009. Nuk është rastësi që pamjet ngjajnë njëra me tjetrën, pasi premtimet e tij për ndryshime në vend presidenti nuk ia ka dalë t'i mbajë.

Ajo, që i shqetëson më së shumti amerikanët, është papunësia e lartë. Me 8,5 për qind ajo është vërtet ndjeshëm nën nivelin maksimal prej dhjetë për qind në tetor 2009, por ende 0,7 për qind mbi atë të muajit të fjalimit të parë të Obamës mbi gjendjen e kombit. Megjithëse mundësitë e presidentit për t'i krijuar vendit punësim të plotë janë të kufizuara, ai matet me këtë shifër.

Premtime të pambajtura

Fjalimi i Obamës për gjendjen e kombit.

Fjalimi i Obamës për gjendjen e kombit.

Dështimet në zbatimin e premtimeve të tjera, këtë Obama duhet ta pranojë që t'ia kujtojnë drejtpërdrejt. Shembujt janë të shumtë: Reforma gjithëpërfshirëse për imigrimin gjendet tani tutje në largësi, madje vetë natyralizimi i të rinjve, që janë sjellë në SHBA prej prindërve dhe studiojnë atje, ose kryejnë shërbim ushtarak (i ashtuquajturi DREAM Act) dështoi. Lehtësimet fiskale për 160 milionë amerikanë në marrëdhënie pune u arrit të zgjateshin vetëm deri në fund të shkurtit, në një kohë që multimilionerët duhet të paguajnë për fitimet e tyre nga kapitali më pak se gjysmën e përqindjes së tatimit të një punëtori, ose nëpunësi. Dallimet sociale sa vjen e thellohen.

Prandaj Obama i bëri thirrje në fjalën e tij Kongresit të nisë një ligj imigrimi, një reformë fiskale dhe një ligj energjetik. Mirëpo shanset, që kjo të ndodhë, janë baras me zero. Që në tetor 2010 Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, pati deklaruar se detyra më e rëndësishme e republikanëve tani ishte shmangia e rizgjedhjes së presidentit Obama. Pra, republikanët nuk ia urojnë suksesin presidentit. Mirëpo t'ua hidhje fajin vetëm republikanëve bllokues në Kongres do të ishte tepër e thjeshtë. Obama e humbi rastin sa demokratët patën një shumicë të sigurt në të dyja dhomat e Kongresit, vitin e parë. Të arrinte më pas ujdi, nuk ishte në gjendje.

Janë nxjerrë mësime prej gabimeve?

Fjalimi synonte të bashkonte demokratët rreth presidentit.

Fjalimi synonte të bashkonte demokratët rreth presidentit.

Për këtë arsye lista e synimeve politike të Obamës ka dy funksione: Ajo është pranim i asaj çka nuk është arritur në legjislaturën e tij të parë; dhe një plan për legjislaturën e tij të dytë. Prioritetet e tij politike nuk kanë ndryshuar. Ai beson te drejtësia sociale, te mbrojtja e mjedisit, te energjitë e pastra dhe te rregullat ligjore. Në dallim nga republikanët ai gjykon se shteti ka vendin e vet në jetën e qytetarëve. Por me sa duket, Obama ka tani vullnetin të veprojë më agresivisht në zbatimin e planeve të veta. Bllokadës (nga ana e republikanëve) do t'i kundërvihem me veprime të miat, tha ai.

Dhe këtë qëndrim të ri ai e ka dëshmuar, kur pa një pa dy plotësoi në pushimet dimërore të Kongresit vendin e shefit të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Çështje Financiare, duke shmangur kësisoj strategjinë e tij bllokuese. Gjithashtu në fjalimin e tij Obama paralajmëroi ndër të tjera krijimin e një komisioni të posaçëm nën varësinë e ministrit të Drejtësisë, që do të hetojë praktikat e dhënies së kredive për shtëpi. Këto çuan në krizën e kredive të shtëpive. Organizata progresive moveon.org, që e ka mbështetur Obamën në zgjedhjen e tij në 2008-n dhe që pati shprehur së fundmi zhgënjim në lidhje me të, iu gëzua kësaj vendosmërie të re të presidentit.

Obama, vlerat e pëlqueshmërisë të të cilit gjenden aktualisht në një nivel minimal, është i varur prej një mbështetjeje të tillë. Këtë herë me fjalimin e tij për gjendjen e kombit ai ka ndjekur vetëm një qëllim: Kërkimin e mbështetjes së bashkatdhetarëve për rizgjedhjen e tij. Për përpjekjet e kaluara për të qenë mbipartiak gati nuk u bë fjalë. Që ditën e fjalimit ai do të niset në një turne fushate zgjedhore në pesë shtete federale. Ai duhet t'u lutet zgjedhësve për një shans të dytë. Herën e parë i ka zhgënjyer.

Autor: Christina Bergmann/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM