1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Obama për herë të parë në Evropë

Pak para vizitës së parë të presidentit amerikan Barack Obama në Evropë dhe takimit të G-20 në Londër euforia për një fillim të ri amerikan i ka lënë vendin gjykimit të kthjellët.

default

Presidenti i SHBA-së, Barak Obama

Se sa shpejt euforia i lë vendin mendjes së kthjellët edhe në Evropën politike, mund të vërehet këto ditë. Ndërsa para dhe pas zgjedhjes së tij si president i ri SHBA-së Barack Obama konsiderohej si një Mesia shpëtimtar i ri dhe shpresat ndaj tij ishin të jashtëzakonshme, tani në prag të takimit të G-20 në Londër papritur mbretëron skepticizëm dhe qëndrim i përmbajtur për shkak të krizës së thellë ekonomike dhe financiare.

A është Obama në gjendje t'i përmbushë shpresat, që kanë varur njerëzit te ai, apo në personin e tij do të rezultojë jo më tepër se sa pafuqia e edhe vetë politikbërësve karizmatikë në rrjetin e ndërvarësive globale? Kjo kur forca drejtuese globale e Amerikës ndërkohë duket që është paralizuar.

Tregjet e aksioneve nuk presin ndonjë gjë prej takimit të G-20 dhe Evropa dhe SHBA-ja janë tepër larg në përpjekjet e tyre për të formuluar një rregullore gjithëpërfshirëse për tregjet financiare ndërkombëtare.

USA General Motors 100 Jahre Jubiläum

100 vjetori i GM, 16 shtator 2008

Industrisë evropiane të automobilëve, e cila gjendet në vështirësi, i duhet të shikojë se administrata e Obamës po i tërheq çeqet e bardhë për rimëkëmbjen pa kushte të koncerneve Chrysler dhe GM, duke u zhytur gjithnjë e më thellë në një vorbull, që e tërheq nga poshtë. Ndonjë nga kryeministrat e vendeve të BE-së ka filluar ta shprehë hapur pesimizimin e tij, si kryeministri i rrëzuar çek Topolanek, i cili u shpreh se SHBA-ja është duke e çuar "botën në ferr" me recetat e saj për luftimin e krizës globale. Parisi dhe Berlini nuk po tregohen të gatshëm, kur Obama kërkon prej evropianëve paketa të reja koniukturore për nxitjen dhe stimulimin e ekonomisë. Në këtë mes po hapen hendekë.

I dukshëm është besimi i Amerikës te fuqia financiare e dollarit dhe gatishmëria për t'u lënë në kurriz brezave të ardhshëm borxhe në miliarda e miliarda, shumë më e madhe se sa në Evropë. Gatishmëria për kontrollin dhe rregullimin e tregjeve duket se edhe për qeverinë e re amerikane është më tepër një fjalë goje, se sa një qëllim i vërtetë.

Përshtypje të bëjnë gjithësesi hapat e rëndësishëm të Obamës në politikën e jashtme.

Në ato pak javë, që është në post, ai jo vetëm që e kreu kthesën në politikën për Guantanamon të paraardhësit të tij, por i ofroi Teheranit bisedime të drejtpërdrejta, apo eliminoi vetëbllokadën në dialogun mes NATO-s dhe Rusisë. Në strategjinë për Afganistanin ai ndërmori gjithashtu një ndryshim për t'u përshëndetur, i cili i jep fund besimit se lufta në këtë vend mund të fitohet vetëm me mjete ushtarake. Këto janë shumë më tepër se sa evropianët kishin guxuar të shpresonin deri para pak muajsh.

Barack Obama in Afganistan (Barack Obama Hamid Karzai)

Obama dhe presidenti afgan Karsai

Për vizitën e Obamës në Evropë rekomandohet pra mendjekthjelltësi dhe optimizëm me masë. Me diplomaci të heshtur mund të arrihet shumë më tepër se me aksionizëm të egër, me anë të të cilit nuk mund të rifitohet për kohë të gjatë ribesimi i humbur ndaj tregjeve financiare. Një arkitekturë e re financiare globale nuk mund të krijohet brenda natës.

Endërrat irracionale për një drejtues të botës janë të kuptueshme për shkak të krizës së thellë financiare, por ndihmë mund të ofrojë vetëm një sasi arsyeje e përzier mirë.


Autor: Daniel Sheshkevic/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 31.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HNXH
  • Data 31.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HNXH