Obama nënshkruan kompromisin për buxhetin | Bota | DW | 27.12.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama nënshkruan kompromisin për buxhetin

Presidenti amerikan Obama ka nënshkruar kompromisin për buxhetin të arritur mes demokratëve dhe republikanëve. Marrëveshja e aprovuar prej tij parashikon ndër të tjera kursime masive.

Pas viteve të bllokimit të politikës buxhetore presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi planin buxhetor për vitin 2014-2015. Presidenti nënshkroi gjatë pushimeve të tij të Krishtlindjeve në Hawai kompromisin e buxhetit, për të cilin demokratët dhe republikanët ranë dakord në negociata të gjata, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë në Uashington. Rreziku i një tjetër krize buxhetore si në tetor, nga e cila u mbyllën pjesë të administratës federale, tani për tani duhet të jetë evituar nga plani dyvjetori buxhetit.

Kongresi amerikan e pati miratuar buxhetin në mes të dhjetorit. Obama e pati quajtur marrëveshjen "hapin e parë të mirë, larg nga vendimet dritëshkurtëra, të ndikuara nga krizat, që kanë frenuar ekonominë tonë."

Kompromisi i hartuar nga senatorja demokrate Patty Murray dhe deputeti republikan Paul Ryan përcakton një hapësirë financiare prej një bilion dollarësh amerikanë (720 miliardë euro) për shtetin në vitet 2014 dhe 2015.

Kursime masive

Shkurtimet e nisura pranverën e kaluar në të gjitha fushat, sipas parimit të kositjes së barit do të fashiten. Në të njëjtën kohë do të kursehet në mënyrë më të kontrolluar, për shembull tek pensionet dhe nëpunësit. Përveç kësaj do të rriten tarifat e biletave ajrore. Deficiti do të reduktohet në këtë mënyrë me më shumë se 20 miliardë dollarë amerikanë.
Por plani i buxhetit është shumë larg nga synimi i madh i konsolidimit të financave publike, që është pikësynimi i të dyja kampeve duke patur parasysh malin e borxhit prej më shumë se 17 bilionë dollarësh amerikanë. Kritika pati kryesisht nga partia ultrakonservatore Tea Party, një krah konservator i republikanëve, që mendonin se nuk janë bërë shkurtime të mjaftueshme. Edhe në spektrin e majtë të demokratëve pati pakënaqësi, sepse mbështetja për personat prej kohësh të papunë hiqet, ndërsa taksat për të pasurit nuk do të rriten.