1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama në ofensivë

Presidenti i SHBA-s Barack Obama ka dy mesazhe në konferencën e tij për shtyp: më shumë transparencë për programet e përgjimeve dhe rishikim të politikës ndaj Rusisë.

Nuk ishte paraqitje e lehtë për Barack Obamën. Kohët e fundit ai dukej i rrethuar nga konflikte të vazhdueshme në politikën e brendshme dhe të jashtme. Pak para fillimit të pushimeve të verës, ai duket se donte të hidhej edhe një herë në ofensivë. Për këtë zgjodhi dy tema veçanërisht të kontestuara, të cilat janë me rëndësi të madhe jo vetëm për SHBA-në por edhe për Gjermaninë dhe aleatët.

Pamje simbolike: azil në Rusi për Snowden

Azili për Edward Snowden përkeqëson raportet Moskë-Uashington

Së pari: programet e përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), të cilat kanë ngjallur debate të forta në Evropë dhe shqetësojnë gjithnjë e më shumë edhe vetë amerikanët. Së dyti: raportet e tensionuara me Rusinë, të cilat duket se janë në nivelin më të ulët që prej anulimit të pashembullt nga Obama, të takimit të nivelit të lartë me Presidentin Putin, i cili ishte planifikuar të mbahej në shtator. Për ironi, në të dy konfliktet luan një rol informatori i Wikileaks Edward Snowden. Me bërjen publike të programeve të gjera të përgjimit, ai e e vuri qeverinë amerikane para një situate të vështirë politike brenda dhe jashtë. Në të njëjtën kohë ishte premtimi i Rusisë për një azil njëvjeçar për Snowden, që shkaktoi në fund anulimin nga Obama të vizitës në Moskë.

Situata paradoksale me Snowden

NSA para ndryshimesh - Obama njofton më shumë kontroll dhe transparencë për shërbimet sekrete

NSA para ndryshimesh - Obama njofton më shumë kontroll dhe transparencë për shërbimet sekrete

Obama u mor shkurt me Snowden në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Ai "nuk është patriot", tha Presidenti, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve. Megjithatë për herë të parë Obama pranoi se masat e njoftuara tani prej tij për NSA-në, nuk do të kishin ardhur kaq shpejt pa rastin Snowden. "Kemi një situatë mjaft paradoksale ku Snowden kërkohet për shkak të një krimi. Dhe në të njëjtën kohë kemi një administratë që pranon se veprimi i tij u bë shtysë për një rishikim të politikës së deritanishme", thotë për Deutsche Welle, Cory Welt, zv/drejtori i Institutit për Studime Evropiane, Ruse dhe Euraziatike pranë Elliot Scholl në Uashington.

Më shumë kontroll mbi përgjimet: Obama kërkon të rifitojë besimin

Me njoftimin e tij për më shumë "transparencë" dhe kontroll për NSA-në dhe angazhimin e një komisioni të pavarur ekspertësh, Obama duket se kërkon të rifitojë besimin e amerikanëve: më shumë se gjysma e tyre, sipas sondazheve të fundit, nuk kanë besim tek Presidenti dhe dyshojnë se të dhënat e mbledhura nga përgjimet, nuk përdoren për luftimin e terrorizmit. "Çështja që ngre Presidenti është shqetësimi i amerikanëve dhe aleatëve për përmasat e programeve të përgjimit", thotë Mark Jacobsen nga German Marshall Fund.

Por edhe nëse Obama lajmëron në konferencën për shtyp një "epokë të re" për shërbimet sekrete, Jacobson paralajmëron ndaj keqkuptimeve: "Unë nuk do të bëja gabimin të shihja këtu një distancim. Nuk dëgjova asgjë që të lë të kuptosh se programet e përgjimit të do të kufizohen apo reduktohen." Ndërkohë që nga Partia Demokrate e Obamës sinjalizohet mbështetje për linjën e re, republikani John Boehner e akuzoi Presidentin për mungesë mbështetje për programin e përgjimeve.

Periudhë e ftohtë në marrëdhëniet amerikano-ruse

Sergey Lavrov dhe John Kerry

Sergey Lavrov dhe John Kerry

Miratim nga të dy palët mori Obama për politikën e tij ndaj Rusisë. Në konferencën për shtyp ai njoftoi një "pushim" në marrëdhëniet amerikano-ruse. "Do të ndalemi dhe do të rivlerësojmë se ku po shkon Rusia, cilat janë interesat tona bazë" dhe "do të përshtasim më pas marrëdhëniet", tha Presidenti amerikan.

Edhe pse Obama thotë se me Putinin ai ka një raport të mirë, u bë e qartë se përballë konfkliteve të pazgjidhura të Sirisë dhe Iranit, atij i ka mbaruar durimi dhe ndihet i frustruar: "Anulimi i takimit sipas këndështrimit të Obamës ishte i pashmangshëm", thotë Cory Welt, "por ai tha se mes dy vendeve ka një axhendë, për të cilën duhet punuar." Pra ishte një sinjal shumë premtues që dy ditë pas anulimit të takimit nga Obama, në Uashington u mbajt takimi i ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të SHBA dhe Rusisë.

"Jam i sigurt se rusët kanë qenë shumë pranë anulimit të takimit. Dhe nëse vë re gjuhën e trupit të ministrave, kuptohet se bisedimet ishin të tensionuara", thotë Welt. Megjithatë prej takimit doli i njëjti sinjal si nga konferenca për shtyp e Obamës: megjithë diferencat, palët synojnë të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive dhe të mos futen në një rrugë pa kthim. Në të njëjtën frymë ishte refuzimi i qartë që i bëri Presidenti kërkesave nga Kongresi për të bojkotuar olimpiadën dimërore në Soçi.

Cili është mesazhi i Obamës?

Anulimi i vizitës në Moskë është një "vendim taktik", shkruante Washington Post. Në periudhë afatgjatë megjithatë marrëdhëniet mund të funksionojnë vetëm "me angazhim në nivelin më të lartë". Dhe me një mesazh të qartë, i cili pikërisht tani pas sulmeve të fundit kundër homoseksualëve në Rusi, të theksojë më fort vlera si të drejtat e njeriut dhe demokracia.