1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama mbron emigrantët - Çfarë do të thotë iniciativa e re

Konfrontim: Ndërkohë që presidenti amerikan Barack Obama bën të ditur se do të ndalë me dekret dëbimet e emigrantëve ilegalë, republikanët kundërpërgjigjen duke e hedhur në gjyq qeverinë Obama për reformën shëndetësore.

Klima politike në Uashington është e ndezur si kurrë më parë. Republikanët kanë dorëzuar në një gjykatë të Uashingtonit aktakuzën kundër qeverisë Obama për reformën shëndetësore, sipas tyre një reformë „antikushtetuese dhe e paligjshme". Formalisht të akuzuar janë ministri i Financave, Jack Lew dhe ministrja e Shëndetësisë, Syliva Burwell. Hedhja në gjyq e qeverisë Obama erdhi pas bërjes publike të enjten (20.11) nga ana e presidentit amerikan të përdorimit të pushtetit ekzekutiv si president për të ndërmarrë disa masa në politikën e emigracionit. Barack Obama duket se me dekrete presideciale do ta shtyjë së paku për një kohë të caktuar dëbimin e 5 milionë emigrantëve ilegalë. Gazeta "Washington Post" e cilëson këtë "ndërhyrjen më të rëndësishme të të një presidenti në sistemin e emigracionit që prej tre dekadash".

Republikanët, të cilët i kanë bllokuar gjithmonë nismat ligjore të presidentit për emigracionin janë të zemëruar që Obama tani po shfrytëzon pushtetin ekzekutiv që gëzon si president. Mitch McConnell, kreu i republikanëvë në senatin amerikan kërcënon se "po qe se presidenti Obama injoron popullin dhe i detyron vendit vullnetin e tij, kongresi do të veprojë."

Mitch McConnell

Republikani Mitch McConnell

Duel në distancë me republikanët

Audrey Singer nga Instituti Brookings në Uashington paralajmëron në bisedë me DeutscheWellen për ndikime negative politike dhe luftë të fortë mes deputetëve të kongresit. "Kjo nuk është pozitive. Por mendoj se presidenti e ndjen shumë fort tani se është vënë me shpatulla pas murit dhe se duhet të veprojë."

Kërcënimet e republikanëve arrijnë nga ironia e përdorur për Obamën nga senatori Ted Cruz, - "Mbreti Obama"- , deri tek deklaratat për proces për shfuqizimin e mandatit presidencial. Singer mendon se duhet pritur se si do të veprojnë republikanët, nëse "ata do të përpiqen të bllokojnë masat e tij, apo kjo do ta bëjë kongresin të veprojë." Pas zgjedhjeve të fundit republikanët kanë shumicën në kongres, prandaj një bllokadë e thjeshtë pa kuptim do të zemëronte elektoratin. Ndërkohë sipas sondazheve të NBC News, 48% e amerikanëve janë kundër faktit që presidenti të veprojë pa kongresin, 38% e mbështesin Obamën në këtë rrugë.

Mbledhje tatimesh në vend të dëbimit

Dekretet e Obamës kontestohen jo vetëm në mënyrën e implementimit të tyre, por edhe në ndryshimet përmbajtësore që sjellin me vete. Për Singer në fokus qëndrojnë mbrojtja nga dëbimi dhe dhënia e lejes së punës. Sipas Obamës nga këto ndryshime preken 5 milionë vetë. Deri më tani emigrantët ilegalë në SHBA e kishin të drejtën e lejes së punës vetëm pas një kohe të caktuar. "Ky është një ndryshim pozitiv për ta dhe familjet. Tani ata mund të gjejnë punë më të mira dhe të kontribuojnë me tatimet e tyre."

Senatori republikan nga Alabama, Jeff Sessions e kritikon këtë rregull të ri dhe duke aluduar me "pushtetin ekzekutiv" të presidentit, e cilëson atë, "amnesti ekzekutive". Megjithë këto ndryshime këta njerëz nuk kanë status legal. "Status legal do të thotë për ta të hapej rruga për të drejtën e përhershme të qëndrimit", sqaron Singer. Dhe kjo do të bëhej vetëm me miratimin e një ligji të ri nga kongresi, dhe jo me dekret presidencial. Ajo kujton se presidenti i ri mund t'i shfuqizojë të gjitha këto dekrete. Pra pasiguria ligjore mbetet. Nga ana tjetër vëren Singer, sulmet e ashpra të republikanëve nuk i inkurajojnë personat e prekur të shkojnë tek autoritetet dhe të pohojnë se jetojnë ilegalisht në këtë vend.

Nga rregulloret e reja përfitojnë më shumë prindërit që jetojnë prej më shumë se 5 vjetësh në SHBA, fëmijët e të cilëve kanë një leje të përhershme qëndrimi, apo janë të qytetarë amerikanë. Obama mbron me dekretin e tij edhe 600.000 të ashtuquajturit "dreamers" - "ëndërrimtarët" të cilët kanë hyrë ilegalisht në SHBA dhe ende nuk kanë një leje qëndrimi.

Vështirësi të reja

Prindërit e kësaj kategorie nuk preken nga rregulloret e presidentit, për shumë vetë në SHBA kjo një masë e ashpër. Sipas Audrey Singer iniciativa e Obamës ka si qëllim kryesor "të mbajë bashkë familjet, të mbrojë ata prindër që kanë fëmijë, ata që janë shtetas amerikanë apo që kanë leje qëndrimi në këtë vend. Pra ajo prek nejrëzit që kanë krijuar lidhje afatgjata me këtë vend dhe kanë të afërmit e tyre këtu."

Edhe për gazetën "New York Times" masat nuk janë ideale. Gazeta amerikane vëren se vetëm kongresi mund të krijojë një sistem emigrimi të drejtë, e që hap rrugën e nënshtetësisë për punëtorët dhe familjet që jetojnë në Amerikë. Obama e di se ai i vetëm nuk mund të ofrojë një zgjidhje afatgjatë. Prandaj ai i drejtoi një thirrje të hapur kongresit "Miratojeni ligjin!"